Sekretet e vjedhjeve në shëndetësi ruhen në kasafortën e korrupsionit!
Kryeministri Rama dhe Ministri Beqaj, pasi ndanë 340 milionë euro me klientët e tyre në shëndetësi, kanë urdhëruar vartësit të bllokojnë çdo lloj informacioni.
Këtu kam disa kërkesa për informacion të dërguara javët e fundit në Ministrinë e Shëndetësisë, QSUT, Fondin e Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore. Edhe pse afati prej 2 javësh, sipas ligjit “Për Statusin e Deputetit” ka kaluar, asnjë përgjigje nuk ka ardhur.
Me anë të kësaj shkrese, i jam drejtuar Ministrit dhe QSUT, në cilësinë e deputetes dhe Kryetares së Komisionit Parlamentar, ku kam kërkuar informacionin për aparaturat e trajtimit të sëmundjeve tumorale. Por Beqaj dhe Drejtoria e QSUT mban në sirtar kërkesën bashkë me informacionin.
– Pse Ministria nuk shpjegon për arsyet e mosvënies në punë të akseleratorit linear, inauguruar pak muaj më parë?
-Pse edhe pas vënies ne funksionim para pak ditësh, vetëm 2 pacientë kanë kryer terapinë, ndërkohë që numri i pacientëve duhet të ishte mbi 50 në ditë??
– Pse ministria refuzon të dërgojë dokumentacionin e plotë të pajisjeve të kobaltit? Pse nuk shpjegon, se përse njëra prej pajisjeve sot është prishur dhe tjetra nuk funksionon ashtu siç duhet??
Kjo shkresë është dërguar me datë 19 prill, ku kam kërkuar informacion në lidhje me mungesat e të gjitha barnave dhe kurave për të sëmurët më HIV/AIDS, si dhe pasojat që mund të kenë të prekurit nga kjo sëmundje.
Në të dyja rastet, Drejtuesit e QSUT-së bllokojnë informacionin. Nga frika, apo bashkëfajësia, administratorja e QSUT shkel çdo afat kushtetues për të dhënë informacionin e kërkuar nga Parlamenti.
Por bllokada e informacionit vazhdon për të gjitha praktikat korruptive të firmosura nga ministri i tenderave dhe koncensioneve. Në disa shkresa radhazi , i kam kërkuar Ministrit Beqaj praktikat e koncesionimit të 3 shërbimeve: sterilizimi, hemodializa dhe kontrolli periodik i shëndetit. Ministri ka refuzuar, në shkelje të Ligjit, të dërgojë të dhënat e kërkuara.
Beqaj fshihet, se skandali është i madh, vjedhja është e madhe.
Me anë të kësaj shkrese me datë 13 prill, i kam kërkuar informacion të detajuar drejtueses së Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore. Kam kërkuar të gjitha praktikat që janë kryer dhe pagesat për koncesionarin e Check-up. Por edhe ky institucion, ka refuzuar të japë informacionin, duke shkelur ligjin.
Urdhri politik dhe korruptiv për të mbrojtur korrupsionin dhe Vilmën, sjell shkelje e paligjshmëri të reja.
Ndërkohë që aferat qindra milionëshe në shëndetësi vazhdojnë, spitalet janë në krizë totale, mungojnë ilacet dhe paisjet bazike.
Partia Demokratike i bën thirrje edhe një herë drejtuesve të këtyre institucioneve të sjellin informacionin e kërkuar, siç parashikon ligji.
Dita do të vijë kur Beqaj e njerëzit e tij me të cilët ka kapur shëndetësinë do të përgjigjen para ligjit për të gjitha këto krime që kanë bërë e po bëjnë ndaj qytetarëve.
Partia Demokratike është e vendosur dhe do të përdorë të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për të zbardhur vjedhjet dhe abuzimet ne shëndetësi!
Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, 4 maj 2016