E nderuara drejtuese e seancës,
Të nderuar kolegë,
Të nderuar qytetarë,
Projektligji i paraqitur sot për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për pyjet dhe shërbimin pyjor” na vjen në një kohë kur që nga janari i këtij viti, me vendim të këshillit të ministrave, pyjet i kanë kaluar në administrimin e pushtetit vendor. Dua të theksoj se kemi një projektligj shumë të vonuar, i cili duhej të ishte bërë të paktën katër muaj më përpara, për të mos krijuar problemet që shkaktoi reforma gjysmake territoriale.
Si rezultat i kësaj reforme që po ecën kuturu, nga shkrirja juridike dhe fizike e strukturave rajonale të Ministrisë së Mjedisit që në muajin janar, jo vetëm që u krijua një amulli në kontrollin dhe administrimin e zonave pyjore, por u paralizua tërësisht çdo lloj veprimtarie në pyje, duke krijuar një bllokim të plotë edhe të veprimtarisë së Ministrisë së Mjedisit, edhe atë të bashkive në pyje.
Imagjinoni, që prej më shumë se katër muajsh, në këtë vend, askush nuk di apo mban përgjegjësi se çfarë ka ndodhur dhe ndodh në zonat pyjore, pasi si asnjëherë më parë, shërbimi pyjor ka qenë dhe është inekzistent. Nga ana tjetër po gjatë kësaj kohe nxorët të papunë punonjësit e këtyre drejtorive, për shkak të vakuumit ligjor që ka legjislacioni për qeverisjen vendore, duke i shtuar kështu problemit të pyjeve edhe një problem ekonomiko-social. Dhe bëhet fjalë për jo më pak se 950 inxhinierë pyjesh, të cilët prej katër muajsh janë pa punë dhe pa rrogë.
Dhe zgjidhja që na vjen sot nuk është një draft i ri, i mirëstudiuar,zgjidhja e gjetur është një arnim i ligjit të vitit 2005, i cili jo vetëm që ka çaluar në zbatimin e tij prej njëmbëdhjetë vitesh, por me ndryshimet që kanë ndodhur në kuadrin ligjor mbi kompetencat e pushtetit lokal, e kanë nxjerrë atë tërësisht jashtë loje. Disa prerje dhe zëvendësime mekanike nenesh, ndryshime termash nuk ia ndryshojnë frymën këtij ligji që lë mjaft paqartësi dhe nuk ndan qartësisht kopetencat mes ministrisë dhe bashkive të reja.
Duke pasur parasysh, sidomos, nenin 7 të projektligjit, që korespondon me nenin 10 të ligjit të 2005, pikën 2.2, gërmat a, ç, dh, shihet qartë se Ministria e Mjedisit nuk ka vetëm funksionin politikbërës, por edhe vendimmarrës nëpërmjet hartimit të strategjisë në fushën e pyjeve dhe kullotave, planit të veprimit, akteve ligjore dhe nënligjore, miratimit të planeve 10 vjeçarë, madje cilësohet qartë tek pika 2.1 atributi menaxhues dhe kontollues i saj, ndërkohë që projektligji i ngarkon njësive të qeverisjes vendore, vetëm funksionin menaxhues të fondit pyjor.
Qartësisht projektligji është tërësisht në kundërshtim me ecurinë e tanishme të kalimit të kompetencave të pushtetit vendor. Gjithashtu, kjo është edhe në dhunim me ligjin e autonomisë vendore, si edhe me ligjin e planifikimit të territorit.
Ky projektligj, që vjen si një adoptim nga halli i ligjit të 2005-ës, nuk zgjidh problemet kryesore me të cilat ndeshet ky sektor kaq i rëndësishëm. Ai nuk përcakton dhe as merr përsipër të sqarojë ndarjen e drejtë të përfitimeve dhe dobive që vijnë nga mbrojtja dhe përdorimi i burimeve natyrore pyjore, nuk orienton rimëkëmbjen e integritetit ekologjik të pyjeve e kullotave në vend.
Po ashtu nuk bën dhe nuk siguron nxitjen e mbështetjen e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve pyjore. Nuk është marrë përsipër të përcaktohet sesi do të bëhet krijimi i lidhjeve me sektorët e tjerë të ekonomisë kombëtare, apo dhe përfshirjen e aktorëve dhe përdoruesve në nivel kombëtar dhe lokal në ruajtjen dhe zhvillimin e pylltarisë.
Ky projektligj paraqet reformën më të mangët institucionale dhe ligjore të shërbimit pyjor në nivel kombëtar dhe lokal, pasi nuk përmbushen lidhjet me rëndësi themelore të sektorit të pyjeve dhe kullotave për plotësimin e objektivave të zhvillimit të sektorëve të tjerë si atij të bujqësisë, blegtorisë, energjetikës, ujërave, turizmit, zhvillimit rural në përgjithësi.
Nga mënyra sesi është shartuar nga ligji i vjetër, ky projektligj që na vjen sot, nuk do të mundësojë rritjen dhe përmirësimin e shërbimit pyjor, sepse nuk përcakton pika dhe modalitete për ta mbështetur atë me politikat dhe burimet financiare të nevojshme. Po ashtu e bën më të pa realizueshme mbështetjen e organizmave ndërkombëtare partnere të interesuara për zhvillimin e sektorit e pyjeve dhe kullotave, duke parë shfrytëzimin jo efikas të kontributeve të tyre, jo vetëm në planin kombëtar por dhe në atë rajonal.
Me këto ndryshime të bëra në ligjin e 2005, nuk i mundësohet personelit pyjor angazhimi në një veprimtari më të përgjegjshme dhe më profesionale, për ta konsideruar veten si aktor dhe si faktor të përpjekjeve dhe nismave për zhvillimin e sektorit pyjor. Po ashtu nuk përfillet aspak dhe nuk jepet një përcaktim i qartë marrëdhënia me privatin, në ndërmarrjen e investimeve dhe nuk sigurohet nxitja e nismave që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe qeverisjen e qëndrueshme të burimeve natyrore pyjore.
Po ashtu, me këtë projektligj nuk kemi siguruar një kuadër legjislativ, për vlerësimin e monitorimin të politikave a moratoriumeve për ruajtjen dhe zhvillimin e pyjeve, çka dëshmon se edhe në këtë pikë nuk keni vizionin minimal për vetë reformat që kërkoni t’i bëni. Këtë e dëshmon qartë edhe moratoriumi i famshëm, i cili figuron vetëm në letër, pasi në terren vijojnë bandat e pushtetit.
Padyshim që ky projektligj, që siç e thashë që në fillim, na vjen tepër i vonuar, edhe pse ka muaj të tërë që problemet kanë dalë sheshit, na vjen edhe si një projektligj i përciptë, gjysmak që nuk jep zgjidhje, sepse dhe kalimi i pronësisë tek bashkitë është bërë me kohë. Por ky arnim nenesh duket se në të vërtetë ka për qëllim të lejojë vazhdimin e praktikave të deritanishme për prerjet e pyjeve me bekimin e shtetit.
Të lejojë shkatërrimin e shërbimit pyjor shqiptar. Të lejojë firmat që iu dhanë tenderat e shfrytëzimit të pyjeve, duke iu lënë dorë e lirë qe kinse te ruanin pyllin dhe ata shumëfishuan sipërfaqet e shfrytëzueshme deri edhe brenda parqeve kombëtare; të vijojnë tenderat për pyllëzimet monopol prej vetëm dy firmave, ku njëra është për çmim, pasi i biri shpall të atin fitues tenderi; ky projektligj sillet i tillë edhe për të vazhduar djegiet e gjithë zonave të mbjellura gjoja me fidanë të rinj, pasi ata që morën tenderat ndanë paratë me pushtetarët pa mbjellë asgjë dhe i futën zjarrin për të zhdukur gjurmët. Ndoshta ky projektligj do të gjejë zbatim në Ersekë ku PS dhe LSI janë në garë se kush do të presë pyllin.
Duke përfunduar, mendoj se shqetësimet që paraqita më sipër, projektligji i plotë për pyjet duhet t’i pasqyrojë me ndryshime konkrete, në mënyrë që t’i japë zgjidhje problemeve themelore që ka sektori i pyjeve dhe shërbimi pyjor që i kalon në këtë mënyrë pushtetit lokal ( pa fonde shtesë) dhe te mos bëhet një barrë që rëndon mbi vendorët dhe shpie në përkeqësimin e këtij shërbimi.
Përveç problemit të pyjeve desha të ngre edhe një problem tjetër që vjen nga qyteti im. Banorët e zonës së nën Shkodrës kërkojnë dëmshpërblimin e miratuar që në vitin 2011. Qeveria Shqiptare me Vendim te Këshillit të Ministrave 842 ka akorduar fondin pasi ka evidentuar dëmin material që i është shkaktuar pronarëve te ligjshëm, duke marrë përsipër të paguajë këtë fond. Edhe pse ju Zoti Kryeministër vuani nga sidroma e vitit zero, Qeveria Shqiptare e ka marrë këtë vendim dhe ju jeni i detyruar ta zbatoni, sepse këtë qeveri jeni votuar të drejtoni.
Mospagimi i dëmit të shkaktuar përbën shkelje te Kushtetutës dhe të Ligjit. I lutem qeverisë shqiptare ti japë zgjidhje problemit të atyre banorëve, të dëmbshpërblejë pronarët e ligjshëm. Po aq e ligjshme është edhe kërkesa e tyre për zbatimin e këtij vendimi, apo marrjes së një vendimi tjetër që i jep zgjidhje. Por ju preferoni rrugën e tretë, të rrini me dy këmbë mbi kushtetutë , dhe kjo po ju kthehet në zakon. Ky problem ishte dhe në datën 7 Mars e këtij viti, ku banorët që kanë protestuar deshën t’ju qanin hallet ndërsa kalonit ne Shkodër as nuk denjuat t’i takonit, t’i degjonit, aq më pak ti jepnit zgjidhje për problemin e tyre.
Çuditem që ju nuk njihni Qeverinë e më përparshme, duke mos zbatuar vendimet e këshillit të saj te ministrave. Unë mendoj që ju duhet të ndiheni përkundrazi krenar për atë qeveri, madje të frymëzoheni prej saj, sepse kur ju ndërtoni stadiume-supermarkete, apo trotuaredekorative, ajo qeveri ndërtonte autostrada dhe hidrocentrale, kur ju bëni si babai i kombit dhe prisni kombëtaren në aeroport për të thënë që: “unë ju futa ne Kampionatin Europian”, ajo qeveri na çonte në Nato, na hapte gjithë kufijtë e Europës pa viza, kur ju renditeni i fundit, si lideri më i pa rëndsishëm i Europes, apo i fundit vend në Rajon per investitorët gjermanë, ajo Qeveri ishte e para në rajon për terheqjen e investitorëve, apo projekteve madhështore si TAP. Prandaj një kërkesë ju bëj, më mirë frymëzohuni dhe bëni dicka, se u bene 3 vjet që qeverisni dhe Shqiptarët nuk po shohin asgjë, vetëm shohin nga cila rrugë të marr arratinë. Frymzohuni dhe lejeni propogandën boshe.
Ajo për të cilën ju duhet të keni turp dhe të mos krenoheni, është ajo që do i tregoni fëmijëve tuaj kur të rriten. Kur ti thoni qe ja kjo është ajo që ndërtuam. Shpresoj që shqipetarët te zgjohen dhe te mos ju lejojnë qe ju të keni një histori për të treguar, do ishte një histori e trishtë për pasardhësit.
Fjala në Parlament e deputetes së Partisë Demokratike, Irma Kopliku, 5 maj 2016