REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE
KRYETARI
Tiranë, më _____/_____/2016
Lënda: Propozohet për shqyrtim dhe miratim një nismë për rishikim të Kushtetutës
DREJTUAR: ZOTIT ILIR META
KRYETAR I KUVENDIT
- Kryetar i Kuvendit,
Në mbështetje të nenit 177 të Kushtetutës dhe nenit 77/a të Rregullores së Kuvendit, bashkëlidhur ju dërgojmë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë, projektligjin “Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, së bashku me relacionin shoqërues. Kjo nismë është ndërmarrë nga 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Me bindjen se dekusarizimi i Kuvendit dhe jetës publike në vend, është masë plotësuese e reformës së dekriminalizimit, dhe hap jetik për mbrojtjen e interesit publik,
KRYETARI
EDI PALOKA
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
PROJEKTLIGJ
Nr. ______/2016
PËR NJË SHTESË DHE NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 8417, DATË 21.10.1998 “KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 83, pika 1, dhe 177, të Kushtetutës, me propozimin e jo më pak se një të pestës së deputetëve
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen shtesa dhe ndryshimi si vijon:
Neni 1
Në nenin 69 bëhen këto ndryshime:
- a) Pas pikës 1, shtohet pika 1/1 me përmbajtje si më poshtë vijon:
“1/1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, personat që i është konstatuar një herë papajtueshmëria e mandatit sipas nenit 70 të kësaj Kushtetute.”.
- b) Në pikën 2, togfjalëshi “me paragrafin 1” zëvendësohet me togfjalëshin “me paragrafët 1 dhe 1/1”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar më _____/_____/2015
KRYETARI
ILIR META
RELACION
MBI PROJEKTLIGJIN
PËR NJË SHTESË DHE NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 8417, DATË 21.10.1998 “KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR
Neni 70/3 i Kushtetutës e konsideron të papajtueshme me funksionin e deputetit ushtrimin e “veprimtarisë fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Ndërkohë, sipas nenit 70/2, ndalimet e tjera parashikohen me ligje të posaçme.
Nga këto dispozita rezulton se Kushtetuta jonë ia delegon ligjeve të posaçme rastet e papajtueshmërisë (neni 70/2). Ajo ka preferuar të vendosë ndalimin në rang kushtetues dhe ta cilësojë si të papajtueshëm me funksionin e deputetit ushtrimin e aktivitetit fitimprurës prej tij, kur të ardhurat nga ky aktivitet burojnë nga Buxheti i Shtetit. Ky ndalim është i shprehur qartë dhe pa ekuivok nga kushtetutbërësi, i cili ka patur si qëllim eliminimin e plotë të mundësive për ta konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi e mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ka ai si anëtar i organit më të lartë përfaqësues. Nëse deputeti përveç pagës që do të merrte si i tillë, do të mund të merrte dhe të ardhura të tjera nga buxheti i shtetit për shkak të profesionit të tij primar, atëherë ky parim do të cenohej.
Mirëpo, edhe pse deputeti kryen një “krim” kushtetues me vullnet të plotë, duke e konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi të mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ka ai si anëtar i organit më të lartë përfaqësues, sanksioni i parashikuar nga Kushtetuta, është vetëm mbarimi i mandatit të deputetit për legjislaturën ku evidentohet kjo shkelje kushtetuese.
Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët të cilët me vullnet të plotë, kryejnë shkelje kushtetuese, jo vetëm duhet të humbasin mandatin e deputetit, por duhet edhe t’i ndalohet kandidimi apo zgjedhja në të ardhmen. Kjo i shërben parimit të shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe në fund të fundit parimit të demokracisë, ku çdo funksionar publik duhet të ushtrojë me të gjitha forcat dhe energjitë e veta detyrën për të cilën është zgjedhur ose emëruar, detyrë të cilën ai e ka pranuar me vullnetin e tij të plotë dhe të lirë. E kundërta mbart, natyrshëm, dyshime lidhur me besueshmërinë e publikut në cilësinë e përfaqësimit të tij.
Gjithashtu, ne cmojmë se dekusarizimi i Kuvendit dhe jetës publike në vend, është masë plotësuese e reformës së dekriminalizimit, dhe hap jetik për mbrojtjen e interesit publik. Nëse deputeti është provuar njëherë se nuk respekton parimin e shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe cenon parimet e demokracisë funksionale, atëherë nuk ofrohet asnjë garanci që në të ardhmen do të korrigjojë sjelljen e tij. Rizgjedhja apo rikandidimi i personave që kanë kryer “krimin” kushtetues të parashikuar në nenin 70 të Kushtetutës, duke përfituar fonde apo pasuri publike, në vlerësimin tonë përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, si dhe për bazat e lirisë ekonomike.
Nëse fondet publike dhe pasuritë publike do të përfitohen nga vetë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kjo do të ishte një goditje e rëndë ndaj lirisë ekonomike dhe bizneseve të ndershme dhe pa asnjë lidhje me politikën. Askush prej tyre nuk do të besonte se në prokurimet publike zbatohet parimi i “konkurueshmërisë” nëse pjesëmarrës në garë janë kompanitë në pronësi të deputetëve apo personave të lidhur me deputetët.
Për këtë arsye, propozojmë një shtesë në nenin 69 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku të përcaktohet se nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, personat që i është konstatuar papajtueshmëria e mandatit sipas nenit 70 të Kushtetutës. Në rast se ato zgjidhen, atëherë mandati do të konsiderohet i pavlefshëm.
Ne besojmë se miratimi i këtij amendamenti kushtetues, është kusht i domosdoshëm për forcimin e demokracisë, frenimin e fenomenit të përfitimeve të paligjshme të fondeve publike dhe pasurive publike, rritjes së besimit të qytetarët tek funksionimi i institucioneve publike, si dhe garanton parimin e shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve.