Historia e publikuar në Ora News është dëshmia e modelit qeverisës në Shqipëri: Imoralitet, korrupsion dhe kriminalitet! Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë në hierarkinë e abuzimeve seksuale për një vend pune, ka “shokë” në qeveri, administratë dhe polici.
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë denoncon me neveri abuzimet në zyrat e shtetit me gratë dhe vajzat.
Sekretari i Partisë në Sarandë që kërkoi favore seksuale me fëmijën 14 vjeç, Drejtoresha e Arsimit në Lushnje që iu dërgonte mësueset shokëve të partisë, shefi i komisariatit në Velipojë që abuzonte seksualisht me viktimat e dhunës në familje dhe Kryetari i Bashkisë në Peshkopi që abuzoi seksualisht me një vajzë 20 vjeçe, janë reforma e Rilindjes në administratën publike.
Po sa raste të tjera mund të ketë në zyrat e Rilindjes? Sa raste të tjera abuzimi për të cilat gra e vajza të pazëshme nuk guxojnë që të flasin?
Duke dënuar ngjarjen e rëndë të Kryetarit të Bashkisë Peshkopi, Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë, i bën thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të reagojnë fuqishëm ndaj këtyre fenomeneve të turpshme të cilat ky pushtet po tenton ti kthejë në institucion!
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë ka denoncuar pushimet e padrejta nga puna në administratën publike të rreth 3000 grave dhe vajzave, në mes tyre edhe të shumë nënave kryefamiljare. PD ka denoncuar pushimet me motiv politik të rreth 1000 grave nga sistemin spitalor, pothuajse të gjitha me problem sociale, kryefamiljare, me fëmijë apo burra të sëmurë.
Mbi 1000 vajza e gra, që nuk do kenë mundësi të çojnë pagën për të mbajtur familjen apo fëmijët e tyre. Secila prej tyre, në dëshpërim të jetesës e mbijetesës mund të rrezikojë të jetë viktima e radhës të cilës do t’i kërkohen favore seksuale për ta mbajtur apo kthyer në punë.
Gruaja shqiptare është viktima e madhe e qeverisjes së Edi Ramës. Shifrat e INSTAT tregojnë që papunësia rritet çdo tremujor dhe ka arritur nga 35 – 50% në rajone të ndryshme. Rritja e taksave vendore e qendrore, mbyllja e bizneseve, rritja e çmimeve mohimi i të drejtave kushtetuese për arsimim dhe shërbim shëndetësor, prishja e mekanizmave të mbrojtjes së të drejtave të grave e kanë përkeqësuar statusin e gruas në shoqërinë shqiptare.
Rama premtoi 300 mije vende pune, premtoi mirëqenie për 97% të qytetarëve shqiptarë, por solli diskriminim, dhunë psikologjike dhe përndjekje gjinore në këmbim të punësimit.
Rama premtoi 300 mijë vende pune, bërtet e thotë çdo ditë që s’ka profesionistë, po ai dhe përfaqësuesit e tij në kanë ngritur një sistem të tërë paralel, korruptiv që ofron zgjidhje apo vende punë vetem në këmbim të favoreve të llojeve të ndryshme.
Ndaj edhe shumë gra e vajza po azilojnë jo vetëm s’kanë më shpresën, por ikin se kërkojnë një shoqëri ku askush mos t’i shohë me sytë tërë epsh të zyrtarëve por të mund të kërkojnë punë, të trajtohen e të jetojnë me nder e dinjitetin që ato meritojnë.
Në përkrahje edhe të revoltës qytetare që ka shpërthyer në rrjetet sociale , kërkojmë nga Prokuroria hetim të plotë të abuzimeve në zyrat e shtetit!
Ju bëj thirrje familjeve shqiptare,aktivisteve të të drejtave të grave të mos heshtin, por të tregojnë kurajën e nënës që denoncoi rastin në Sarandë, të vajzës që tregoi abuzimet e kryetarit të bashkisë në Peshkopi, të gruas që denoncoi kryekomisarin në Velipojë.
E gjithë shoqëria duhet të dalë nga indiferentizmi dhe të reagojë në mbrojtje të fëmijëve, grave dhe vajzave që abuzohen verbalisht, psikologjikisht, apo seksualisht në zyrat e rilindësve.
Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, 13 maj 2016