Saimir Tahiri i ka shtuar karteles së tij kriminale dhe një akt tjetër shumë të rëndë që është përgjimi i paligjshëm. Prej ditësh, është konstatuar se Tahiri mban një pajisje përgjimi të paligjshme, sepse ky veprim kryhet vetem nga Prokuroria dhe me autorizimin e saj.
Tahiri e thellon këtë skandal paligjshmërie pasi refuzon të dorëzojë pajisjen edhe pas kërkesës së organit të akuzës.
Me të drejtë lind pyetja, për cfarë e përdor Tahiri këtë pajisje përgjuese telefonatash, kur Baroni i drogës Balilaj u arratis edhe pse e kërkonte gjysma e botës dhe u bë kronikë deri tek CNN.
Pse i përgjon telefonat Tahiri, kur krimi po bën kërdinë e droga ka mbuluar vendin. Kë përgjon Tahiri, kur Shullazit e ushtarëve të tij po ju shërben deri në fund? Kë regjistron Tahiri kur Habilajt po shtojnë parcelat me kanabis?
Hipotezat jane të shumta. Tahiri përgjon e regjistron telefonatat e rivalëve të bandave të tij. Tahiri përgjon rivalët politikë të Edi Ramës, opozitën, gazetarë dhe ambasadorë të rëndësishëm.
Pajisja e Përgjimit është krimi i fundit dhe më flagranti që lidh bashkë Ramën dhe Tahirin dhe kështu të zhytur të dy në llumin e krimit mbajnë njëri-tjetrin.
Në cdo rast, Tahiri është duke kryer një krim të rëndë shtetëror.
Si Zv.Kryetar i Komisionit të Sigurisë i kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm të reagojë menjëherë, me forcë dhe me energji për të ndalur këtë paligjshmëri kriminale. Prokuroria duhet të hetojë e të hedhe dritë se pse përgjoi dhe kë përgjoi Saimir Tahiri.
Ky akt i rëndë kundër ligjit e kushtetutës është qershia mbi tortë e veprimtarisë kriminale të ministrit të brendshëm, i cili duhet të largohet një orë e më parë nga detyra.
Kjo është një kërkesë sot e çdo shqiptari që ka parë e ka dëshmuar zhytjen 3 vjecare të Saimir Tahirit nga një krim në tjetrin.
Nesër Komisionit të Sigurisë Kombëtare do ti kërkohet zyrtarisht thërritja e Sajmir Tahirit, Haki Çakos si dhe Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të SHISH për të dëshmuar në një seancë dëgjimore të Komisionit të Sigurisë Kombëtare mbi këtë skandal politik që përveç tjerave kompromenton rëndë sigurinë kombëtare dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Deklarata për mediat e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka, 15 Maj 2016