Pas publikimit të formularit të vetëdeklarimit për dekrimanilizimin, në Krujë kërkohet largimi i menjëhershëm i kryetarit të Bashkisë, Artur Bushi. Megjithëse ka deklaruar vetëm një pjesë të së shkuarës kriminale, edhe ajo është e mjaftueshme që bashkia e Krujës të pastrohet nga krimi e t’i kthehet qytetarëve. Ndërkohë, Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji i shoqëruar nga qytetarë të Krujës dhe Fushë-Krujës, kanë kërkuar sot hetim të plotë për atë çfarë Bushi ka fshehur nga e shkuara e tij. Ata protestuan sot para Bashkisë së Krujës kundër damkës së krimit që Rama ka vendosur aty në pushtet. Duke e rrethuar bashkinë me shirita “skenë krimi” Salianji i drejtoi disa pyetje publike kryebashkiakut dhe kryeministrit Rama: A ka përdorur kryebashkiaku emrin Kastriot Cakoni që nuk e ka deklaruar? A është dënuar në Itali për prostitucion, trafik dhe shpërndarje narkotikësh? Sekretari i PD u shpreh më tej se çlirimi i institucioneve nga krimi është emergjencë kombëtare dhe se të dhënat e fshehura në formularët e vetëdeklarimit do të ndiqen me prioritet nga Partia Demokratike dhe Prokuroria.
“Jemi sot para Bashkisë së Krujës, një prej institucioneve që Rama i ka vendosur damkën e turpit duke emëruar një prej personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, një njeri me precedent të rëndë penal siç është Artur Bushi. Në formularin e vetëdeklarimit ka deklaruar vetëm një pjesë të veprave penale si akuzat për prostitucion, akuzat për trafik droge që ka nga drejtësia italiane. Jemi sot këtu për të treguar që çlirimi i institucioneve nga krimi është një emergjencë kombëtare dhe flirtimi dhe mbarsja e Ramës me persona kriminalë i ka ardhur fundi me ligjin e dekriminalizimit. Sot i bëjmë thirrje Prokurorisë që të hetojë rastin e Artur Bushit dhe bëjmë edhe disa pyetje; A e keni pasur emrin Kastriot Cakoni? A jeni dënuar, hetuar dhe arrestuar në Itali për trafik prostitucioni, trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike me emrin Kastriot Cakoni? I presim përgjigjet dhe presim hetimin e plotë e të gjithanshëm të Prokurorisë, për t’i dhënë fund mandatit të krimit e pushtetin ta marrin njëherë e mirë qytetarët e këtij vendi”, tha Salianji.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 22 Maj 2016