Të dy projektligjet, si ai “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, ashtu edhe ai “Për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, kanë për qëllim ndryshimin e afateve të përfundimit të procesit të plotësimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, për territoret e ish-kooperativave dhe ish ndërmarrjeve bujqësore, nga bashkitë, si dhe të procesit të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, nga komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, pranë prefektëve të çdo qarku.
Ne dhjetor të vitit 2014, kjo qeveri, ka sjellë dhe ka miratuar këtu ne Kuvend, ligjin nr. 172, nëpërmjet të cilit kërkonte që procedurat e pajisjes të subjekteve me akte të marrjes të tokës bujqësore në pronësi, të përfundonin me 30 qershor 2016.
Por pse kërkohet që ky afat të shtyhet përsëri deri në dhjetor 2017?
Sepse qeveria ka dështuar në përfundimin me sukses të këtij procesi, brenda afatit qe vetë ajo e përcaktoi.
Dhe justifikimi i qeverisë është absurd: Mos përfundimi i tij në afatin e planifikuar, ka ardhur për shkak të mosnjohjes së këtij procesi nga administrata e bashkive të reja, të dala nga zgjedhjet lokale të vitit 2015, përgatitjes së kapaciteteve njerëzore dhe të bashkëpunimit të mjaftueshëm me institucionet e tjera shtetërore.
Por demagogjia e kësaj qeverie nuk ka fund. Si mund të thuhet në relacionin shpjegues të saj për këto dy projektligje, se ato janë në përputhje dhe në zbatim të programit politik të qeverisë shqiptare për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe në mënyrë të veçantë për konsolidimin e së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore, kur vetë qeveria e pohon se, në tre vjet qeverisje, janë miratuar vetëm një numër i vogël titujsh pronësie?
Por ky nuk është i vetmi dështim i qeverisë në fushën e bujqësisë.
Kjo qeveri ka dështuar me çmimet e inputeve bujqësore.
Tashmë janë harruar angazhimet e programit elektoral të PS për politika fiskale që synojnë uljen e drejtpërdrejtë të çmimeve të inputeve bujqësore, dhe për heqje të TVSH për të gjitha plehrat kimike, farat, fidanat, materialin gjenetik që përdoret në blegtori, vaksinat, ilaçet dhe për çdo lëndë të parë që përdoret për bujqësinë dhe blegtorinë.
Kjo qeveri ka dështuar edhe me çmimin e naftës për bujqësinë.
Para tre vjetësh, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, PS, u premtoi fermerëve, se kur të vijë në pushtet, do të zbatojë programin e furnizimit me naftë pa akcizë për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme, si dhe do të heqë taksën e qarkullimit të naftës për bujqësinë.
Por fermerët vazhdojnë ta blejnë naftën për punimet bujqësore po aq sa dhe automjetet, ndërkohë kur mjetet e mekanikës bujqësore nuk kanë të bëjnë fare me taksen e qarkullimit të automjeteve.
Rritja e taksës dhe për pasojë dhe rritja e çmimit të karburanteve për bujqësinë, po rrit me 20% koston e
punimit dhe shërbimeve bujqësore si dhe koston e transportit të mallrave të tyre. Kjo do të thotë 20% më pak të ardhura për fermerët, ose një çmim 20% më të lartë në treg, për të përballuar taksat ekstra te qeverisë, duke ulur ndjeshëm konkurueshmërinë në treg të prodhimeve tona bujqësore.
Javën e kaluar ministri i shëndetësisë foli këtu në parlament për uljen e çmimit të ilaçeve, të cilat, për hir të së vërtetës, janë të një cilësie shumë të dobët, dhe nuk e di sepse, foli edhe për uljen e çmimit të karburantit.
Në qeverisjen e PD nafta ishte 1800 lekë/litri, tha ai, dhe në qeverisjen tonë e kemi ulur në 1600 lekë/litri, duke ju kursyer shqiptarëve miliona dollarë.
Është e turpshme të tentosh gënjesh shqiptarët në këtë mënyrë. Por ata nuk gënjehen aq lehtë. Ata e shohin se një litër karburant në Shqipëri është më i shtrenjtë se në Greqi dhe shumë më e shtrenjtë se në Maqedoni.
Kjo qeveri ka dështuar edhe me investimet për ujitjen dhe kullimin.
Në programin elektoral dhe në atë të qeverisë socialiste thuhej se do të investoheshin 160 milion dollarë për sistemin e ujitjes dhe kullimit, brenda një periudhe 4 vjeçare.
Por realiteti është krejt ndryshe. Kryeministri shprehet që mbështet investimet ne bujqësi, duke inspektuar ndonjë pastrim kanali, por gjatë tre viteve të qeverisjes së tij, fondet për ujitje dhe kullim janë shumë herë më pak, se ç’pati premtuar, duke e lëne bujqësinë ne mëshire te fatit.
Kjo qeveri ka dështuar edhe me skemat mbështetëse për bujqësinë.
Do të pesë fishojmë financimin publik për skemat mbështetëse të bujqësisë, ka qenë një tjetër premtim i bujshëm i PS.
Por si paraqitet në fakt realiteti? Struktura dhe aktivitetet e parashikuara për mbështetje, përjashtojnë pothuajse tërësisht fermerin.
Tendenca e Ministrisë te Bujqësisë për te ndryshuar kahun e financimit nga pagesa direkte për hektar te sipërfaqes se mbjelle, drejt financimit te ngritjes se kapaciteteve grumbulluese, ruajtëse dhe përpunuese, është e gabuar, sepse rrezikon frenimin e rritjes se prodhimit bujqësor si dhe shpenzimin e fondeve ne mënyre jo eficiente.
Projekti “AGRO 100”, të cilin kryeministri e propagandon me shumë bujë, duke thënë se qeveria do të financojë të gjithë ata që duan të investojnë në fshat, nuk është gjë tjetër veçse mashtrimi i radhës i tij.
Ai nuk është gjë tjetër veçse një fond garancie, i cili do të shërbejë si kolateral për bankat e nivelit të dytë, për të dhënë kredi për investimet në bujqësi, por jo me norma të ulta interesi, ose me interes zero.
Kjo qeveri ka dështuar edhe me shitjen e prodhimeve bujqësore.
Para se te vinte ne pushtet Rama u premtoi fermerëve se nuk do tu linte asnjë kg prodhim pa shitur.
Por prodhimet bujqësore mbeten pa u shitur, kalben dhe përfundojnë si mbeturina argjinaturave të lumenjve.
Kjo qeveri ka dështuar gjithashtu edhe me formalizimin e bujqësisë. Asnjë fermer nuk po shikon ndonjë përparësi, për faktin që është pajisur me të ashtuquajturin NIPT.
Por e dështuar nuk është vetëm reforma në bujqësi, por e gjithë reforma në ekonominë shqiptare.
Dhe këtë nuk e themi vetëm ne, deputetët e PD këtu në parlament.
Atë e thonë vetë investitorët e huaj, në konferencat show të qeverisë.
Kryeministrit i është dashur pardje, të durojë live shuplakën e fortë të biznesit të huaj, për politikat e dështuara fiskale.
Përfaqësuesi i FMN në Shqipëri, Jens Reinke, pohoi se komuniteti ndërkombëtar ka ende një vlerësim të ulët për Shqipërinë si lokacion investimesh.
Zëvendës shefi i misionit të SHBA në Tiranë, David Muniz, deklaroi pardje se investitorët që kanë dashur të investojnë në Shqipëri, janë frikësuar dhe kanë ikur dhe se ka një sërë problemesh që e kanë vështirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.
Mark Crawford, kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë, ka zhvlerësuar pretendimet e kryeministrit për mos largime të bizneseve të huaja nga Shqipëria.
Ai pohoi se dy kompani amerikane që kishin studiuar tregun shqiptar, për një investim prej 250 milion $, ishin larguar, se Shqipëria nuk mund të konkurrojë me vendet e rajonit, për sa i përket taksave.
Kolegë deputetë!
Kryeministri vjen shpesh për fundjavë në Korçë, dhe mirë bën. Ai, si shumë qytetarë të tjerë, e ka kuptuar që në Korçë ja vlen të qetësohesh dhe të çlodhesh për fundjave.
Por kur të vish përsëri për fundjavë dhe të bësh ndonjë inspektim punimesh, zoti kryeministër, të lutem mos i mashtro korçarët, duke deklaruar se, me PS në qeveri, për Korçën është investuar në 2 vjet e gjysmë sa 20 vjet të marra së bashku, se nuk të beson kush.
Ne fakt, gjatë qeverisjes të PS, Korça ka pasur vetëm 3 investime kryesore, pazarin, kullën e famshme dhe Parkun Rinia, te tria së bashku rreth 7 milion euro.
Por mos harro zoti kryeministër, se gjatë qeverisjes së PD, vetëm rruga Korçe-Pogradec dhe Unaza e Korçës, ishin dy investime me vlerë te paktën 40 milion euro.
Së fundmi, dua të ngre një shqetësim shumë të madh të banorëve të fshatrave të Korçës dhe të rrethit të Kolonjës, për të cilët, rruga Korçë-Ersekë është bërë një ferr i vërtetë.
Rruga kombëtare Korçë-Ersekë, me gjatësi 17.5 km, e nisur në qershor të vitit 2013, duhej të kishte përfunduar në qershor 2015.
Por sipas drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, qeveria, jo vetëm që nuk ka çelur asnjë fond për vitin 2016 për këtë objekt, por nuk i ka shlyer as detyrimet e prapambetura prej 6 miliard lekësh firmës kontraktore.
Për pasojë, firma kontraktore ka braktisur punimet dhe rruga është lënë në mëshirë të fatit, në gjendje skandaloze, me gropa të thella, me pluhur dhe baltë, jashtë çdo standardi.
Në vazhdën e mashtrimeve, përfaqësues të qeverisë dalin përpara kamerave dhe gënjejnë qytetarët duke thënë se punimet janë ndërprerë për shkak të kohës së keqe dhe do të fillojnë menjëherë me përmirësimin e saj.
Banorët e gjithë kësaj zone shprehen, se përballë kësaj situate skandaloze dhe heshtjes të shtetit, e vetmja gjë që ju ka mbetur, është protesta.
Nuk e kuptoj pse deputetët e PS të qarkut të Korçës, që mbulojnë këtë zonë, nuk mbrojnë interesat e qytetarëve që i kanë votuar. A kanë udhëtuar ndonjëherë në këtë rrugë dhe a i kanë dëgjuar shqetësimet e banorëve? Pse nuk e ngrenë këtë shqetësim këtu në parlament dhe pse nuk lobojnë në qeverinë e tyre për çeljen e fondeve, që të paktën rruga të bëhet e kalueshme, ashtu si ka qënë më parë?
Por kjo qeveri as ka përfunduar dhe as ka për të përfunduar ndonjë rrugë.
Fjala në Parlament i deputetit të Partisë Demokratike, Gjergji Papa, 26 maj 2016