Jemi sot këtu për të denoncuar truket sa kriminale dhe qesharake që përdorin të zgjedhurit e Edi Ramës për ti shpëtuar dekriminalizimit.
Kemi dëgjuar shumë variante për emrin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, por së fundmi, ai ka nxjerrë një të ri, ku i ka përmbledhur gjithë identitetet në një, duke iu drejtuar autoriteteve gjermane.
Në këtë shkresë, i zgjedhuri i Ramës e ka emrin Elvis-Ervin. Mbiemri mbetet po ai, Roshi.
Pra Roshi i Ramës, i thotë autoriteteve gjermane, të japin të dhëna për Elvis Ervin Roshin. Sigurisht, me këtë emër të sajuar, atij nuk i del asgjë.
Pse kryetari model i Edi Ramës, nuk i drejtohet autoriteteve gjermane me emrin Ervin Roshi që ka pasur deri në vitin 2002, siç e pranon edhe vetë në formularin e vetëdeklarimit, kur dhe është dëbuar nga gjykata.
Ndërkohë që ne presim të dhëna të tjera, nga vende të tjera të Europës për Roshin e Ramës, prokuroria duhet të veprojë me shpejtësi në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, për të verifikuar fshehjen e të dhënave dhe truket e manipulimet e tjera që ky dhe të tjerë të zgjedhur të Edi Ramës po përdorin për të shmangur ligjin.
Dekriminalizimi është i pashmangshëm. Pastrimi i politikës nga krimi dhe të inkriminuarit do të bëhet, me çdo kusht e me çdo mjet.
Deklaratë e Sekretarit për Zgjedhjet, Ivi Kaso, 27 maj 2016