Kriza ekonomike, varfëria, papunësia, rritja e çmimeve ndihet në çdo cep të Elbasanit. Rritja e çmimit të energjise elektrike dhe abuzimet e OSHE-së me faturat janë shqetësimet e para që i shprehin banorët e Elbasanit kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në takimin me tregtarët e Elbasanit zoti Basha u njoh me rënien e fuqisë blerëse. Ky vit, thonë tregtarët, është më keq edhe se një vit më parë ndërkohë që taksat janë rritur e çmimet po ashtu. Qytetarë ankohen për papunësinë dhe ata që kanë një ndihmë ekonomike nuk u mjafton as për faturën e energjisë. Një shitëse i tha zotit Basha se është detyruar t’i ndërpresë studimet e larta vajzës pasi e kishte të pamundur t’i paguante tarifat.

Banore: Me ndihmë ekonomike. Me 17 mijë lekë mund të jetohet?
Pa strehë, pa të gjitha. Jemi më të mbarum, të vdekur. Ky është shteti.

Banore: Unë 110 mijë lekë i du vetëm ilaçe muaj për muaj. Është gjynah vajza nuk vazhdon dot shkollën e lartë, ka dy vjet që nuk ikën në shkollë.

Banorë: Njerëzve të thjeshtë këta po ua marrin frymën fare. Këta po na marrin frymën o burrë.

Banorë: Na rrejti, na persekutoi, na përdhunoi, të gjitha gjënat e këqija na i kanë bë. I majtë jam, nuk jam i djathtë. Nuk na japin as asistencë, as asgjë. Jemi në ajër fare.

Tregtar: Nuk ka shtet më të korruptum se ky. Më kupto, po paguajmë kot, po gjobitemi, po goditemi nga shteti.

Banore: Punët janë si mos më keq, duket vetë çdo gjë. Të shohim, shpresa kemi tek juve.

Banore: Fëmijët janë burra rrinë nëpër shpija. Fëmijët e fëmijëve pa hangër, pa pirë edhe kemi shku aty ku s’mban më.

Tregtare: S’kemi bërë akoma me shnet, asgjë nuk kemi shitur, vetëm rrimë roje malli.

Basha:Po dje ?

Tregtare: Kemi afro  një vit kështu.

Tregtar: Shtrëngesë nga të gjitha anët, një presion i paparë. Situata është shumë, shumë e keqe.

Basha: Taksat rriten, rruga Tiranë-Elbasan nuk mbaron, shëndetësia në ditë të zezë, pensionet nuk rriten, rrogat nuk rriten, normalisht që nuk ka xhiro. Hapi i parë është të ulim taksat. Ulim taksat të ketë më shumë para për biznesin, më shumë para për qytetarët, më shumë para për konsum. Hapi tjetër është që paratë që do të mblidhen do të shkojnë vetëm për investime që hapin vende pune, jo për luks, për orendi, për bileta avioni për qeveritarët.

Tregtar: Të tërë popullin e ke me vete, zdurohe ma

Tregtare: Ça bëhet kështu, jemi shtet?! Paguaj taksat një më një, ku është shteti?  Të ndihmojë popullin. Rrojmë pesë veta me këtë dyqan.

Tregtar: Shtet nuk ka, punë nuk ka, treg nuk ka, asnjë gjë nuk ka.

Tregtar: Edi Ramën ta heqim, ta qërrojmë.

Tregtare: Ti dalim atij Ramës dhe ta vrasim se asgjë tjetër nuk ka mbet. Vemi në shpi nuk kemi kokërr leku.

Basha: Me votë, me votë ta vrasim.

Tregtare: Dobët fare, taksat e larta.Shihe dyqanin këtu me kasa, me të gjitha. Çfarë ngelet për mua vetë e gjashtë në shtëpi?

Kryetari i Partisë Demokratike u ndal dhe në dy biznese të mëdha të Elbasanit, prodhues tubash plastik dhe përpunim të drurit. Taksat e larta dhe rritja e çmimit të energjisë janë shqetësimet e tyre. Kostoja e prodhimit të tubave plastik është rritur 30 për qind si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë, theksoi pronari i fabrikës. Të dy sipërmarrësit e garantuan zotin Basha se zbatimi i platformës së tij fiskale do të sjellë shtim të numrit të të punësuarve dhe rritje të pagave për punonjësit.

Basha: Me uljen e taksave, 9 për qind taksë e sheshtë, 9 për qind edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore, 15 për qind TVSH. Kjo do të ketë efekt tek rroga?

Tregtar: Patjetër, direkt në rritjen e tyre.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Maj 2016