Fakte të reja tregojnë se si e kishte ngritur Balili, i quajtur nga CNN si eskobari i Ballkanit, industrinë e tij të trafikimit të drogës.

Në fillim ai kapi transportet, pasi Edi Rama e emëroi drejtor rajonal për Sarandën.

Pastaj futi nën kontroll pikat kufitare, duke caktuar përmes Tahirit, si shef të kufirit për komisariatin e Sarandës, Asim Canajn, të cilin Balili e kishte për 10 vite drejtues në biznesin e tij, në policinë private.

Kështu, prej viti 2013, Klement Balili rilindi duke futur në dorë rrugët e transportit të drogës, pasi ishte vetë drejtor, dhe duke pasur gjithashtu në dorë pikat e kalimit të drogës jashtë vendit, me hyzmeqarin e tij, si shef kufiri.

Po çfarë ndodhi kur aksioni ndërkombëtar i policisë greke, belge dhe DEA-s amerikane iu afrua Balilit, dhe ai ia doli të arratisej falë bashkëpunimit të suksesshëm të Tahirit.

Shefi i komisariatit të Sarandës u pezullua për këtë neglizhencë të vogël, dhe në krye të policisë atje, u komandua për disa ditë, pikërisht i punësuari nga Balili, Asim Canaj.

Duhej disa ditë në krye të policisë së Sarandës njeriu i Balilit, për të kopsitur letrat, për të rregulluar punët, apo për të fshirë gjurmët.

Ky është inkrimkiminimi, kapja e shtetit nga krimi. Krimi i veshur me pushtet dhe pushteti i veshur me krim.

Këto fakte jo vetëm dëshmojnë se Tahiri dhe Rama e dinin shumë mirë kush ishte Balilaj, por kishin vënë në dispozicion të tij gjithë infrastrukturën shtetërore.

Saimir Tahiri del edhe një herë drejtpërdrejt i përfshirë në krim, në trafik droge.

Çdo ditë e tij në detyrë, është një ditë më shumë në pushtet e krimit, e drogës, e trafikantëve.


Deklaratë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 29 maj 2016