Përgjimi i paligjshëm i kryer nga Saimir Tahiri, me dijeninë e Edi Ramës është një krim i rëndë shtetëror pesha e të cilit rritet, sa më shumë vonon zbardhja e tij, sa më shumë vonon hetimi i plotë e vendosja e përgjegjësve para ligjit.

U bënë një muaj që skandali është bërë publik, që qyetarët e vendit, opinioni publik kanë mësuar se paisja e përgjimit është futur në mënyrë të paligjshme, është përdorur në mënyrë të paligjshme, pa dijeninë dhe pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Kjo shkelje brutale e ligjit dhe e kushtetutës është pranuar, mohuar e sërish pranuar nga Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, të cilët janë kapur në deklarime kontradiktore, gjë që dëshmon tensionin që ekziston mes tyre në lidhje me këtë skandal.

Një herë Tahiri lë në baltë vartësit e tij, duke thënë se nuk është ai përgjegjësi.

Pastaj vartësit e tij kërcënojnë se do të flasin, do të tregojnë, duke kërkuar mbrojtje e paprekshmëri, pasi prokuroria ka nisur hetimin, ndjekjen penale.

Po lojërat, thikat pas shpine dhe kulisat mes Tahirit dhe drejtuesve të Policisë nuk i interesojnë shumë opinionit publik.

Vendit dhe qytetarëve sot u intereson e vërteta rreth këtij krimi shtetëror.

Të dalin para ligjit porositësit, kush e solli, kush e përdori, kë përgjuan, pse përgjuan, pse e mbajtën të fshehtë.

Partia Demokratike i bën thirrje prokurorisë të tregojë vendosmëri e të mos lejojë pengimin e hetimit.

Një hetim i plotë, i gjithanshëm, që nxjerr çdo përgjegjësi para ligjit, është domosdoshmëri për vendin, për të vendosur drejtësi e për të bërë që krime të tilla shtetërore të mos ndodhin më.


Deklarata për mediat e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 4 Qershor 2016