Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioritet kryesor i demokratëve. Lulzim Basha është i vendosur të bëjë gjithçka për t’ia arritur kësaj duke nisur me sanksionimin në reformën zgjedhore të votimit biometrik dhe elektronik. Në një takim me të rinjtë e Lezhës, zoti Basha ka theksuar se do të ndërmarrë çdo veprim demokratik për t’ia arritur kësaj, sikundër është i vendosur dhe për një reformë në drejtësi që lufton dhe nuk mbron të korruptuarit dhe të inkriminuarit.

 “Unë jam europianist, dhe si i tillë nuk mund të mos përpiqem me gjithçka për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, një drejtësi që nuk i mbron por i ndëshkon qeveritarët e korruptuar dhe kriminelët. Dhe do të përpiqem patjetër të gjej gjuhën e përbashkët me kundërshtarin politik, por vetëm sipas standardeve europiane: Për zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje elektronike, numërim elektronik, dhe një drejtësi të pakapur nga Koço Kokëdhima, nga Emiliano Shullazi, nga Habilajt”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vënë votën e lirë në themel të vendimmarrjes dhe zgjedhjet në Partinë Demokratike pasi beson se përmes votës është mënyra më e mirë për të bërë zgjedhjet dhe zgjidhjet e duhura. Me votë u zgjodhën drejtuesit e Forumit Rinor, me votë të përzgjidhen dhe 49 kandidatët për deputet nga radhët e të rinjve. Lulzim Basha u ka bërë dhe një premtim të rinjve nga Lezha. Sa më të mirë të jenë kandidatët aq më lart do të renditen në listën e kandidatëve, premtoi zoti Basha.

 “Në qoftë se kandidatët që ju do të zgjidhni me votë të lirë dhe të ndershme  sipas gjykimit tuaj e me sa më pak ndikime të jashtë, mundësisht me zero ndikime të jashtme përveç gjykimit juaj; pasi t’i dëgjoni mirë e mirë e të bindeni për integritetin e tyre, për forcën e tyre, për kurajon e tyre; Për luajalitetin e tyre në radhë të parë ndaj interesave tuaja, dhe sigurisht ndaj interesave të opozitës, Partisë Demokratike sot e të qeverisjes tonë nesër,sa më të mirë t’i zgjidhni aq më lart, ju jap fjalën, do t’i rendisim në listën fituese të deputetëve të ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë”.

Në takimet me fermerët në Rraboshtë dhe Zejmen zoti Basha u njoh me mungesën e subvencioneve dhe investimeve në bujqësi. 150 milionë euro, theksoi kreu i demokratëve do të akordohen në buxhetin e bujqësisë që në vitin e parë të qeverisjes. 100 milionë euro do të shkojnë drejtpërdrejt për subvencione për fermerët, blegtorët dhe peshkatarët.

Fermer: Në të drejtë të Zotit tri gjana kena qef në mujsh me na i hjek prej fytit. Për energjinë 120 lekë/kw ardh shpirti me na dal është. Ato taksa me na i këqyr një fije edhe me bashkëpunu sa më shumë e tanë bashkë në mujshim me ja thye qafën.

Fermer: Në çdo komunë ka pas përfaqësues Drejtoria e Bujqësisë, agronom të vetin. Nga viti 2013 as nuk shihet kund se ku është as agronom, as veteriner të Drejtorisë së Bujqësisë.

Rritja e çmimit të energjisë është shqetësimi më i madh i shprehur nga qytetarët nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Në programin e saj Partia Demokratike parashikon uljen e çmimit për konsumatorët dhe për biznesin.  Paratë që sot shkojnë për luks, për Vilma Nushin e që përfundojnë në xhepat e qeveritarëve janë më shumë se të mjaftueshme për të përballuar faturën e uljes së çmimit të energjisë, theksoi zoti Basha.

 “Për tju ulur cmimin e energjisë shqiptarëve me 7.7 lekë/kw për konsumatorin dhe me 9.7 lekë /kw për biznesin na duhen rreth 60,70 milionë dollarë. Aq sa shpenzojnë këta për orendi. Ja ku janë lekët. Po t’i japim të gjitha familjeve ndihmë ekonomike 200 apo 300 kw e para falas, fatura  është 20 milionë dollarë. Ndërsa këta 80 milionë dollarë shpenzojnë për zyra, perde. 20 milionë dollarë do t’i jepnin vetëm për jaguarë. 120 milionë i merr Vilma Nushi për check-up-in, 80 milionë i merr ky tjetri për sterilizimin. Ja ku janë lekët pra. Lekët e kujt marrin këta? Lekët tuaja marrin, lekët e taksave marrin që i nxjerrin me kërbaç duke i marrë shpirtin tregtarëve dhe fermerëve.

Në radhë të parë do të ulim taksat dhe vetëm me uljen e taksave ne llogarisim që ekonomisë shqiptare t’i rikthehen 1 miliard euro që sot nuk përfundojnë në arkën e shtetit, jo. Së dyti, ato para që do të mblidhen do të destinohen qartazi vetëm për investime që hapin vende pune dhe ndihmojnë standardin e jetës”, tha Basha.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 5 Qershor 2016