Denoncim i këshilltarëve demokratë, Olli dhe Spaho
Partia Demokratike ka denoncuar sot nisjen e zbatimit të planit të Erion Veliajt, për ta kthyer territorin pas Stadiumit Qemal Stafa, nga lulishte që ishte parashikuar kur bashkia drejtohej nga Lulzim Basha, në shesh ndërtimi për kulla betoni për bandat kriminale të lidhura me qeverinë.
Partia Demokratike, prej dy muajsh ka bërë publik planin e Veliajt për të dhënë këtë zonë në qendër të Tiranës për interesat e Hakmarrjes për Drejtësi dhe bandës së Shullazit.
Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Tiranës, Spaho dhe Olli bënë sot thirrje për ndaljen e këtij projekti, pikërisht pranë territorit që nga lulishte, Veliaj ka nisur ta kthejë në territor me beton.
“Frika jonë është që pas parkimit të jepen leje pas leje për pallate shumëkatëshe në këtë zonë të qytetit, e cila ka shumë nevojë për parqe dhe për një jetë shumë më cilësore për banorët e Tiranës. Së pari kjo zone, absolutisht cilësore po degradon dhe po lejohet tjetërsimi i saj në një masë fillestare, dhe më pas bashkia të ketë mundësinë të japë një leje për tjetërsim për ndërtim. Ne absolutisht kërkojmë që të bëjmë transparente të gjitha vendimet nga bashkia e Tiranës përsa i përket destinacionit të kësaj zone”, tha Spaho.
“Gjërat ditë pas dite po bëhen gjithnjë e më të qarta. Veliaj si noter përfundimtar i bandave të qeverisë, i mafies së betonit të lidhura ngushtë me to, po tenton me zhvendosjen graduale të destinacionit nga lulishte drejt një elementi të betonizuar sikundër e ka shumë për zemër dhe shumë shpejt, në seli të bandave kriminale të lidhura me pushtetin, që do do të kenë pranë stadiumit me kullë ose kullës në stadium, kullën e tyre për të vijuar të qeta veprimtarinë kriminale. Eshtë për të ardhur keq dhe është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë që ky destinacion kaq i rëndësishëm në këtë zone, që ka qenë për lulishte qysh në fillim, ky ambjent i cili në kundërshtim me planet vendore në fuqi dhe në kundërshtim me ligjet po tjetërsohet në mënyrë jo transparente. Ky pra është treguesi më i qartë që pushteti i ka shtrirë rrënjët thellë edhe në bashki, ku modeli i vendimarrjes së lidhur me krimin në pushtet dhe mafies së betonit, po fillon tjetërsimin e këtyre ambienteve. Kjo do të kundërshtohet me të gjithë forcën dhe mjetet që na jep kuadri ligjor, dhe me çdo mjet bashkë me qytetarët e Tiranës”, tha Olli.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 6 qershor 2016