Kush nuk ngrihet kundër presionit politik të qeverisë ndaj drejtësisë për megaskandalin e përgjimeve nuk është naiv por bashkpërgjegjës.
- Nëse ka një model që ofron më shumë garanci kundër kapjes politike se ky që ne kemi zgjedhur në bazë të propozimeve të Venecias, jemi gati ta diskutojmë dhe ta pranojmë. Por nuk mund të pranojmë e nuk do të pranojmë asgjë më pak sesa garancitë që ofron modeli që ne kemi përzgjedhur në bazë të propozimeve të Venecias.
- I bëj thirrje të heqë dorë nga presioni i vazhdueshëm kundër drejtësisë sa herë që nisin çështjet e korrupsionit ndaj qeveritarëve.I bëj thirrje në veçanti të ndalë presionin ndaj Gjykatës së Apelit dhe Prokurorisë për skandalin e skandaleve atë të përgjimit dhe të largojë menjëherë nga detyra Saimir Tahirin. Duke dhënë kështu provën minimale se ka interes në një hetim të paanshëm dhe të plotë dhe jo në ndalimin e hetimit, sepse e dyta nuk do të ishte thjesht mbrojtje e Saimir Tahirit, por do të ishte vetë denoncimi i Edi Ramës si porositësi i këtij skandali. Heshtja për këtë skandal nuk është naivitet por është bashkëpërgjegjësi.
Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në konferencën:“KORRUPSIONI DHE TRANSPARENCA: NJË MODEL PËR SHQIPËRINË” organizuar nga Fondacioni për Liri dhe Demokraci (FLD), në bashkëpunim dhe mbështetjen e Institutit Republikan Amerikan (IRI)
Mirëmëngjesi!
Më lejoni ta nis me një falënderim për Fondacionin për Liri dhe Demokraci, zotin kryetar i bordit, anëtar të bordit, drejtorin ekzekutiv.
Ky është një aktivitet i përbashkët i Fondacionit për Liri dhe Demokraci të Partisë Demokratike, i Institutit Ndërkombëtar Republikan të Partisë Republikane Amerikane, me pjesëmarrje natyrisht të deputetëve dhe funksionarëve të Partisë Demokratike. të shoqërisë civile, në veçanti të organizatave të cilat në këto vite janë marrë me çështjen e transparencës dhe korrupsionit. Dua t’i falënderoj nga zemra për interesin që kanë treguar këtë mëngjes, dy ditë para nisjes së Kampionatit Europian dhe dy ditë pas përfundimit të takimit të shumëpritur dhe pa rezultat midis kryeministrit dhe kreut të opozitës.
Jemi midis dy momenteve, njëri sportiv dhe tjetri jo dhe aq sportiv, por interesi i pjesëmarrësve në këtë takim tregon atë që dimë të gjithë ne se korrupsioni dhe transparenca janë dy probleme të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Dua të përshëndes dhe drejtuesit e Institutit Republikan për vëmendjen e veçantë që i jepni këtij problemi kaq të mprehtë, jo thjesht për opozitën, por për Shqipërinë, për shqiptarët, për qytetarët, për biznesin, për median.
Sot jemi në kryeqytetin e një vendi, qeveria e të cilit vitin e kaluar ka harxhuar plotë 80 milionë dollarë për zyra, karburante, bileta avionësh, orendi, perde, dhe i kërkon llogari opozitës se me çfarë parash do të financojë 20 milionë euro që është kostoja e mbulimit nga shteti të të gjithë familjeve në nevojë ekonomike për energjinë deri në 300 KW në muaj.
Nëse shteti shqiptar u thotë familjeve në ndihmë ekonomike, atyre që marrin maksimumi 68 mijë lek të vjetra se këto lekë do ti keni për bukë dhe çfarëdo ushqimi tjetër, dhe se faturën e energjisë deri në 300 KW do ta marrim ne përsipër, kjo kushton 20 milionë dollarë. PD ka premtuar, ne e kemi premtuar, unë e kam premtuar se do ta bëjmë realitet, familjet në ndihmë ekonomike deri në 300 KW do të kenë pagesën e energjisë dhe të faturës së ujit nga buxheti i shtetit. Pse qeveria tregohet e habitur apo na akuzon ne për propagandë? Sepse nuk ka mjaftueshëm transparencë për të nxjerrë hapur para shqiptarëve se kjo qeveri harxhon 4 herë më shumë për zyra, makina, karburant, bileta avionësh. 14 milionë dollarë vitin e kaluar vetëm për bileta avionësh. Nuk ka transparencë, ndaj bëhet propagandë me atë që në fakt nuk duhet të jetë çështje propagande, por të jetë çështje politikëbërje e përgjegjshme midis dy kundërshtarëve politikë. Këtë ofrojmë ne, çfarë ofroni ju? Jo, ne nuk ofrojmë gjë, por këta gënjejnë se nuk thonë se sa lek bëjnë. Ja që bëjnë 20 milionë dollarë, 4 herë më pak se ç’harxhuat ju për zyrat.
Jemi në kryeqytetin e një vendi ku qeveria në dy vitet e fundit ka dhënë koncesione në shëndetësi që detyrojnë taksapaguesin shqiptarë të paguajë plotë 2 milionë euro në muaj për shërbime që nuk i shohin kurrë. Të famshmin check-up dhe sterilizimin, ndërkohë që Onkologjiku nuk ka ilaçe për të sëmurët rëndë. Ndërsa një herë në dy javë shohim tek Spitali i Traumës se nuk ka as antibiotikë dhe as medikamente anestezie, në spitalin që ekziston për operacione. Këto janë pasojat e korrupsionit, këto janë pasojat e mungesë së transparencës dhe llogaridhënies.
Një shoqëri është e detyruar të dëgjojë dy orë në ditë, live në televizion, kryeministrin duke bërë propagandë në një media të kapur, të manipuluar, të blerë, të kërcënuar dhe të shantazhuar përmes pronarëve të vetë. Ku sa herë një gazetar apo redaktor ka guximin të nxjerrë skandalet e qeverisë, përballet me një rrebesh që vjen pas furtunës mbi kokat e pronarëve. Problemi sigurisht nuk është media, problemi nuk janë as gjyqtarët, as prokurorët, problemi është korrupsioni politik. Në saj të korrupsionit politik korruptohet media, në saj të korrupsionit politik, shantazhohen e vihen nën presion gjyqtarët dhe prokurorët dhe s’kemi drejtësi të drejtë dhe sipas ligjit. Megjithatë, PD, ka qëndruar fuqishëm dhe ka treguar me vepra, jo me propagandë boshe, jo me fjalë, gatishmërinë e saj për reformat që do të përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien dhe mbi të gjitha, sundimin e ligjit.
Këtu një nga reformat më të rëndësishme është reforma në drejtësi. Ku jemi me reformën në drejtësi? Ne jemi gati. Të hënën opozita pranoi të gjitha sugjerimet e faktorit ndërkombëtar me mbështetjen e Venecias për një paketë ndryshimesh kushtetuese e cila do ti hapë rrugën reformës në drejtësi. Për një reformë që nuk e mbron, por që e ndëshkon korrupsionin. Të hënën opozita dha garanci se është e gatshme të votojë këtë paketë. Kryeministri, mazhoranca që pretendon dhe përdëllehet ditë për ditë për drejtësinë e refuzoi. Refuzoi një zgjidhje jo nga PD, por nga OPDAT, nga EURALIUS dhe nga Venecia. E refuzoi sepse nuk përputhet me konceptin e tij për drejtësinë. Cili është koncepti i tij për drejtësinë? E patë edhe dje, kur prokuroria nis hetimet për skandalin e skandaleve, çështjen e përgjimeve, ky çohet dhe kërcënon prokurorinë. Njësoj siç kërcënoi Gjykatën Kushtetuese kur dha vendimin për Kokëdhimën. Ky është koncepti i Edi Ramës për drejtësinë. Ose vendimet siç i do Edi Rama, ose përndryshe dru mbi gjyqtarët dhe prokurorët. Po kjo s’mund të jetë kurrë drejtësia që meritojnë shqiptarët dhe drejtësia që fut Shqipërinë në Europë. Kurrë! Pra në këtë moment po ekspozohemi me një problem tektonik fondamentale. Qeveria do një drejtësi të kapur dhe të nënshtruar politikisht. Qeverisë nuk i intereson një drejtësi e pavarur, e pandikuar e cila të hetojë korrupsionin, të hetojë krimin e në veçanti kur është me lidhje qeveritare, apo skandalet dhe megaaferat, si CEZ, apo ARMO-s i cili është në gatim e sipër, apo skandali i skandaleve, ai i përgjimeve. Sot që flasim, kryeministri po ushtron presion mbi Gjykatën e Apelit për të lënë Haki Çakon, kokën e turkut, për ta rikthyer në detyrë, sepse Haki Çako i pezulluar dhe drejtori i Operacionales në arrest shtëpie, janë një kërcënim i vërtetë se e vërteta do të zbardhet.
Kërcënimi i djeshëm i Kryeministrit nuk bëhet për llogari të Saimir Tahirit. Jo, jo është një akt i pastër vetëmbrojtje. Asnjë shqiptar nuk e beson se një skandal i përmasave të tilla mund të kryhet pa dijeninë dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë e shefit të ekzekutivi . Pra është një investim i drejtpërdrejtë vetëmbrojtjeje.
Sesa larg është gati të shkojë kjo qeveri, ky kryeministër për të shprehur të vërtetën dhe për të mos bërë drejtësi e kemi parë dhe po e shohim. Pyetja shtrohet çfarë jemi gati të bëjmë ne ? Së pari dua t’i bëj një thirrje sot nga kjo sallë të votojë Reformën në Drejtësi, kështu siç e kemi rakorduar tashmë me opsionet e paraqitura dhe të rakorduara me Venecian. Është gati eja votoje. Mos e blloko integrimin siç e ke bllokuar më përpara.
Së dyti t’ia bëj të qartë atij dhe kujtdo tjetër që përkundet në ëndrra diabolike, naive apo të papërgjegjshme se opozita ka pranuar një nga versionet e Venecias, që ofron mekanizmat e moskapjes politike. Këto garanci i pranojmë, nëse ka garanci më të mëdha jemi gati t’i diskutojmë. Asgjë më pak se kjo nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë kurrë. Kjo nuk është çështje që i takon opozitës. Kjo është çështje që i takon qytetarëve shqiptarë.
Përgjimi nuk është çështje e opozitës është çështje e çdo qytetari që është dhunuar në të drejtat e tij kushtetuese të privatësisë, gazetarë, bankierë, biznesmenë apo diplomatë. Është çështje e sigurisë kombëtare. Nëse ne nuk qëndrojmë për këto vlera, kush do të qëndrojë?!
Pra, mungesa e transparencës padyshim është nëna e korrupsionit dhe korrupsioni politik është nëna e korrupsionit në drejtësi. Jo e kundërta. Korrupsioni në drejtësi është shkak, pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit politik. Prandaj dhe korrupsioni politik meriton një përgjigje masive dhe kjo përgjigje masive jepet më së miri në një proces të lirë e të ndershëm votimi. Kemi insistuar dhe insistojmë për votimin biometrik dhe elektronik që do të thotë automatikisht edhe numërim elektronik.
Ashtu si dielli është dizifektanti më i mirë, transparenca është dizifektanti më i mirë kundër korrupsionit. E transparenca që ofron një sistem biometrik dhe elektronik votimi dhe numërimi i jep fund jo të gjithë problemeve, por një pjese të madhe të problemeve të zgjedhjeve shqiptare, në veçanti të zgjedhjeve të fundit. Ku pamë një sistem të perfeksionuar, klinik të shitblerjes së votës, të kërcënimit të votuesve, të korruptimit dhe shantazhimit të administratës zgjedhore, të mbledhjes së kartave të identitetit, të votimit të dyfishtë, manipulimit me listat, presionit ndaj numëruesve deri në thyerje e mbushje kutish. Probleme të cilat mënjanohen, zgjidhen përmes votimit elektronik dhe biometrik. Sigurisht kush ka interes tek e para, s’mund të ketë interes tek dyta. S’jemi naivë, por ky është një kusht i domosdoshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mosplotësimi i të cilit, lë një shteg të hapur, rrëzimin e kësaj qeverie e zeëvendësimin me një qeveri teknike për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ja pra ku ndodhemi në raport me korrupsionin, transparencën në Shqipëri. Sot provat tregojnë qartë se kem një qeveri të painteresuar për reformën në drejtësi që garanton moskapjen e drejtësisë dhe një drejtësi që lufton korrupsionin dhe krimin dhe një opozitë që tashmë është plotësisht e rakorduar me propozime që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë dhe Komisioni i Venecias. Kjo është e vërteta, të tjerat janë broçkulla, pavarësisht se nga vijnë.
Në këto kushte i bëj thirrje të gjithë atyre që na kanë ndihmuar e na ndihmojnë këto 25 vite për një Shqipëri europiane, euroatlantike, demokratike, të hapur dhe të shtetit ligjor, shtetit të së drejtës që të na ndihmojë përsëri. Heshtja nuk është naivitet por është bashkëpërgjegjësi. Shqipëria do të ketë një reformë në drejtësi. Nëse kjo qeveri e zhytur deri në fyt në korrupsion dhe krim nuk do të ketë guximin t’ia japë, ne bashkë me qytetarët shqiptarë do t’ia japim.
Jam gati të deklaroj dhe një herë sot se në qëndrojmë të hapur për një marrëveshje konsensuale, bazuar vetëm dhe vetëm mbi parimet dhe modelet e ofruara nga faktori ndërkombëtar, të sanksionuara nga Komisioni i Venecias për një drejtësi të pakapur që lufton dhe nuk mbron korrupsionin në nivele të larta dhe se për këtë Partia Demokratike është gati të investohet me sinqeritet dhe gatishmëri. Partia Demokratike e dëshiron këtë reformë siç dëshiron integrimin europian të vendit. Ndaj dhe një herë i bëj thirrje kryeministrit, mazhorancës, të bëhen gati të votojnë bashkë me ne paketën kushtetuese dhe ligjet kushtetuese, ashtu siç i kemi rakorduar, jo sipas tekave dhe kapriçiove, por sipas garancive që ofrojnë.
Edhe një herë i përsëris se nëse ka një model që ofron më shumë garanci kundër kapjes politike se ky që ne kemi përzgjedhur në bazë të propozimeve të Venecias, jemi gati ta diskutojmë dhe ta pranojmë. Por se nuk mund të pranojmë e nuk do të pranojmë asgjë më pak sesa garancitë që ofron modeli që ne kemi përzgjedhur në bazë të propozimeve të Venecias.
I bëj thirrje të heqë dorë nga presioni i vazhdueshëm kundër drejtësisë sa herë që nisin çështjet e korrupsionit ndaj qeveritarëve e i bëj thirrje në veçanti të ndalë presionin ndaj Gjykatës së Apelit dhe Prokurorisë për skandalin e skandaleve atë të përgjimit dhe të largojë menjëherë nga detyra Saimir Tahirin. Duke dhënë kështu provën minimale se ka interes në një hetim të paanshëm dhe të plotë dhe jo në ndalimin e hetimit, sepse e dyta nuk do të ishte thjesht mbrojtje e Saimir Tahirit, por do të ishte vetë denoncimi i Edi Ramës si porositësi i këtij skandali.
Unë i uroj suksese panelit që do të vazhdojë këtë aktivitet. I kërkoj ndjesë që për shkak të angazhimeve të mia nuk do të jem në gjendje ta ndjek këtë panel, por jam i sigurt që do të jetë shumë frytdhënës dhe syhapës si për ata që do ta ndjekin përmes mediave dhe ashtu për personalitetet e pranishëm në këtë sallë që japin kontributin e tyre, nga përgjegjësi të ndryshme që kanë marrë në këtë shoqëri dhe që unë i inkurajoj pavarësisht se shpeshherë mund të jemi në anët e ndryshme të llogoreve politike. Për ne ajo që ka më shumë rëndësi është transparenca dhe lufta kundër korrupsionit dhe çdokush që kontribuon në këtë drejtim është një aleat natyral i Partisë Demokratike.
Ju faleminderit!
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 8 qershor 2016