Inkriminimi që Edi Rama i ka bërë zyrave publike duke emëruar persona me të shkuar kriminale në poste kyçe të administratës, është tronditës.
Partia Demokratike ka denoncuar qindra raste nga më të të pabesueshmet. Si përshembull të bësh drejtor të transportit për gjithë Sarandën, Balilin trafikantin më të madh të drogës, apo kur vendosi në krye të autoritetit ushqimor, një të dënuar për prodhime pirate në bodrume.
Por më e rënda në galerinë e madhe të inkriminimit të Ramës është një rast që kemi mësuar së fundmi.
Artur Rrokaj njëri nga skafistët e 9 janarit 2004, përgjegjës për humbjen e 28 jetëve, i dënuar nga drejtësia për këtë krim, me rilindjen është bërë shef në kapitenerinë e Portit të Durrësit.
A mund ta besoni se skafisti i 9 janarit, i një prej dramave më të mëdha të shqiptarëve në përpjekjen për të gjetur Europën, me Edi Ramën ruan portin e Durrësit, jep urdhra, largon anije, afron ngarkesa, komandon në kapitenerinë më të madhe në vend.
Kjo ka ndodhur.
Mund ta gjeni edhe me emrin Arten, se e ka ndërruar.
Por është i njëjti. Është përgjegjësi për 28 të jetët e humbura në ujin e ftohtë të janarit, të cilit Edi Rama i ka besuar kapitenerinë e portit më të madh shqiptar.
Ky është pra shteti i Edi Ramës. Ky është pushteti që ai na instaluar në vend, me të inkriminuar, trafikantë, tutorë e vrasës.
Deklaratë e Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, 13 qershor 2016