Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dalë me vendimin unanim të mbështetjes së miratimit në parim të draftit të ndryshimeve kushtetuese në funksion të reformës në drejtësi, me një dhe vetëm një kusht: Adoptimin dhe zbatimin e plotë, jo të pjesshëm të rekomandimit 88 të Opinionit Final të Komisionit të Venecias. Kjo ka të bëjë me moskapjen politike të drejtësisë. Moszbatimi i plotë i rekomandimit 88 e në veçanti sa i përket procesit të skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të thotë të dorëzosh drejtësinë, jo të një kryeministër dosido, por tek Edi Rama që i quan “killer” gjyqtarët që hetojnë skenarët e përgjimit. Që ka frenuar deri më sot zbardhjen e falsifikimit të firmës nga Erion Veliaj. Që dekoron prokuroren që ndërpreu çështjen penale në ngarkim të Saimir Tahirit për narkotaksinë e lidhur me Habilajt dhe që u bën fresk atyre që në vend që ta ndiqnin penalisht dhe ta çonin para drejtësisë Shullazin, Habilajt, “Hakmarrjen” e dhjetëra banda të tjera që bëjnë ligjin nga mëngjesi deri në darkë, ju bën fresk gjithë ditën duke i siguruar akses në një drejtësi të shantazhuar politikisht.

Pra Partia Demokratike ka një dhe vetëm një kërkesë, që në fakt është zotimi im dhe zotimi i Edi Ramës në Bruksel dhe Uashington. Zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Zbatimin e plotë të Opinionit Final të Komisionit të Venecias. Nuk kemi asnjë kërkesë tonën, asnjë kusht tonin, por zbatimin e plotë të rekomandimit final të Komisionit të Venecias. Nëse pala tjetër bie dakord, jemi gati ta miratojmë që sot draftin kushtetues. Nëse pala tjetër nuk bie dakord, “Tungjatjeta!”, “Mirupafshim kur të bini dakord”.


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 14 qershor 2016