Nga njëra anë, Edi Rama predikon vetingun, pra vlerësimin e gjykatësve, dhe propagandon që atë ta bëjnë profesionistët e jo partitë, nga ana tjetër ka vërsulur një taborr me policë kundër gjykatësit që dha një vendim që nuk i pëlqen atij, një vendim bazuar mbi kërkesën e prokurorisë për pezullimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë, mbi skandalin e përgjimeve.
Linçimi publik mesjetar që po i bën gjykatësit sepse nuk dha masën që donte ai, në një përpjekje për të trembur gjykatën e apelit para vendimit për Cakon e tij, tregon mirëfilli, e nxjerr lakuriq, konceptin e Edi Ramës për drejtësinë dhe institucionet e drejtësisë.
Kjo është gjithashtu një vepër e rëndë penale, shkelje e nenit 145 pika 3 e Kushtetutës që ndalon ndërhyrjen në veprimtarinë e gjykatave.
Edi Rama po e shkel ligjin themelor, duke kërcënuar çdo gjykatës e prokuror në vend, duke u thënë se nëse hetoni kundër meje, nëse jepni vendime kundër meje, unë ju vërsul policinë.
Me fletërrufe e me aksione prej gestapoje, Edi Rama po u tregon gjykatësve dhe prokurorëve se i pret fati i Arjan Aliajt nëse guxojnë të hetojnë, të bëjnë drejtësi, kundër krimeve të tij, kundër korrupsionit të tij.
Për kujtesë, Arjan Aliaj është i njëjti gjyqtar që për Edi Ramën ishte në rregull, kur liroi babain e Saimir Tahirit të akuzuar për kontrabandë ilaçesh.
Partia Demokratike është pa asnjë rezervë në favor të hetimit të pasurisë së gjykatësve e çdo zyrtari në vend. Por vetëm bazuar mbi ligj, e kur kjo bëhet nga institucionet që kushtetuta ngarkon me këtë detyrë.
Edi Rama po dëshmon çdo ditë motivin e vërtetë që ka për reformën në drejtësi, që është kapja e saj. Kërkon ta ketë nën kontroll, që ai të verifikojë pasurinë e gjykatësve e prokurorëve, që ai të vlerësojë vendimet e tyre, që ai të caktojë kush qëndron e kush ikën.
Edi Rama kërkon ta ketë drejtësinë nën hyqëm, që të mbrojë krimet e tij, të mbrojë batërdinë e vjedhjeve në shëndetësi e dogana, grykësinë e tenderave që i ndan me miqtë, plaçkitjen e pasurive publike, aferat skandaloze si ajo e stadiumit, lidhjet me bandat e trafikantët, të mbrojë krimin shtetëror të përgjimit të paligjshëm.
Eshtë sot detyrë kombëtare të mos e lejojmë Edi Ramën ta vendosë drejtësinë nën këmbët e tij.
Opozita është e vendosur për të mos lejuar kapjen mafioze të drejtësisë nga Edi Rama.
Do të ketë drejtësi sipas Venecias, vetëm sipas Venecias, sipas parimeve e standarteve të saj.
Drejtësi që kufton korrupsionin e krimin.
Drejtësi që nuk sulmohet nga kryeministri kur heton qeverinë.
Drejtësi që nuk linçohet nga askush kur bën detyrën e zbaton ligjin.
Deklaratë e Sekretarit për Zgjedhjet, Ivi Kaso, 15 qershor 2016