I nderuar z.Dule

Të nderuar anëtarë e mbështetës të Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut.

Është privilegj për mua të marr pjesë në këtë aktivitet të lartë politik tuajin, dhe ju sjell përshëndetjet e përzemërta të kryetarit Basha.

Në rrugën politike të këtyre viteve të demokracisë, PD dhe PBDNJ, kanë ndarë shpesh vlera të përbashkëta, më themeloret, si respekti i përkushtimi për të drejtat e njeriut, për pronën, per standardet e demokracisë.

Po ashtu kemi ndarë shpesh shqetësimet e përbashkëta kur këto parime janë cënuar nga qeveritë.

Po sot duhet ta themi, se vendi dhe qytetarët janë si asnjëherë tjetër të rrezikuar e të kanosur në dinjitetin e tyre, në themelet e ekzistencës, në parimet dhe vlerat themelore të demokracisë, nga një agresion i pashembullt i qeverisë, me paligjshmerinë, arbitraritetin e arrogancën e saj.

Mijëra qytetare kanë humbur pronat pa paralajmerim dhe në kundershtim me procedurën e rregullt ligjore.

Mijëra bashkëqytetarë janë rrasur në qeli e burgje per fajin e vetëm, varferinë e tyre, pamundësinë për të paguar dritat, apo nevojat bazike të një familjeje.

Mijëra qytetarë dhunohen cdo ditë nga korrupsioni qeveritar, nga sundimi i banditeve e të forteve të lidhur me qeverinë.

Cdo qytetar sot është nën dhunë sistematike për shkak se taksat e tyre merren me forcë deri ne qindarkën e fundit, dhe pikërisht këto para, te mundit e te gjakut, nuk kthehen asnjë ditë në shërbime apo të mira për ta, por vidhen nga Edi Rama, ministrat e oligarkët e tij.

Unë e përgezoj qendrimin që ka mbajtur PBDNJ në këtë situatë, në parlament përmes z.Dule dhe në qendrimet publike. Kritike parimore dhe me argumenta.

Por të dashur miq, rreziku që mund të sjellë qeveria, Edi Rama, është edhe më i madh.

Ai kërkon të kapë totalisht edhe drejtesinë, cka do te thotë se dhuna, arbitrariteti, korrupsioni e lidhja me krimin pas kësaj nuk do të njihnin me asnjë kufi.

Ky është një moment sprovë për vendin, për popullin për cdo qytetar të angazhuar, për cdo intelektual në vend, dhe sidomos për cdo parti politike.

Ta mbrojmë vendin nga rreshqitja në ditët më të errëta, të kapjes totale nga Rama të drejtesisë, dhe të sigurojmë me cdo kusht votën e lirë e te ndershme për zgjedhjet që po vijnë, këto janë dy shinat që do te sjellin shpëtimin, daljen nga kriza e shumefishtë. Ky është terreni i madh i vlerave e parimeve ku besoj demokratët, qytetarët e lirë të vendit, PBDNJ, e cdo forcë politike që do drejtesi të pavarur, zgjedhje të lira e të ndershme, sundimin e ligjit e respektimin e të drejtave të njeriut, kanë mundesinë, shansin, por dhe detyrimin të qendrojnë së bashku për hir te vendit, të femijëve tanë dhe të ardhmes europiane.

Ju faleminderit dhe suksese.


Fjala e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka në Kongresin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, 2 Korrik 2016