Partia Demokratike dorëzon sot kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor në lidhje me krimin shtetëror të përgjimit të paligjshëm.
Eshtë provuar dhe vërtetuar botërisht se në mes të muajit mars, në Shqipëri hyri pa u deklaruar dhe regjistruar në doganë një paisje përgjuese IMSI-Catcher, dhe u përdor më tej kjo paisje për interesat e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, pa pasur autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm, siç parashikon ligji dhe Kushtetuta.
Ky krim i rëndë shtetëror, cënim i sigurisë kombëtare, shkelje brutale e të drejtave të njeriut, është nën hetim nga prokuroria, por një hetim i plotë parlamentar do të zbardhë rrethanat dhe faktet, sidomos në kohën kur Edi Rama po ushtron një presion kriminal ndaj drejtësisë për ta mbyllur çështjen.
Ishte pikërisht shantazhi mafioz i Edi Ramës ndaj gjykatave që solli rikthimin në detyrë të drejtorit të Policisë Cako, dhe dy vartësve të tij, që janë njëri prej segmenteve që kanë përgjegjësi direkte për këtë krim shtetëror.
Qëllimi i Komisionit Hetimor është shqyrtimi i fakteve, provave dhe rrethanave, që dëshmojnë mënyrën e administrimit dhe përdorimit të pajisjes “IMSI Catcher” nga Policia e Shtetit.
Ne besojmë, se është në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që kjo çështje të zbardhet në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse. Një hetim i plotë parlamentar, hedh dritë mbi këto fakte dhe nxjerr përgjegjësit nga i pari tek i fundit.
Përgjimi i paligjshëm është në krye të krimeve të Edi Ramës e Saimir Tahirit në këto tre vite. Nuk është thjesht një cështje e opozitës.
Zbardhja e kësaj cështje është një sprovë për vendin.
Jemi me sundimin e bandës, apo me ligjin?
Me interesat e Ramës, apo jemi me kushtetutën?
Jemi me të drejtat e banditëve, apo me të drejtat e njeriut?
Me aferat kriminale Rama-Tahiri, apo jemi me sigurinë kombëtare?
Jemi me shtetin mafioz të Edi Ramës, apo jemi me shtetin ligjor?
Deklaratë për mediat e Nënkryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Flamur Noka