I nderuar  Drejtues i Seancës,

Kolegë deputetë,

Më shumë se 3 vite më parë, në konventën e PS-së për shpalljen e programit të saj, Kryeministri Rama, atëherë Kryetar i opozitës, i shtronte shqiptarëve disa pyetje, të cilat mu rikthyen në mendje sapo u ula për të shkruar këtë fjalim.

“Pse Shqipëria po shkon në drejtim e gabuar – pyeste Rama – e çfarë propozojmë ne socialistët për kthimin e vendit në drejtimin e duhur? Çfarë do të bëjmë ne Rilindasit- pyeste Rama-për të zmbrapsur krimin që ka vënë poshtë shtetin dhe ka kallur pasigurinë?”

E sot pas 3 vitesh rilindje, rendi e siguria, mund të thuhet pa frikë, janë dështimi më i madh i kësaj qeverie. Sot, shqiptarët ndihen më të pasigurt se kurrë.

Rasti më i mirë për ta ilustruar këtë, është ngjarja e fundit në aeroport në mes të ditës, në mes të pistës, në vendin më të sigurt në Shqipëri. Në aeroport 3 persona hynë si në shtëpi të tyre, vjedhin lehtas dhjetëra milionë euro e largohen të pashqetësuar në drejtim të paditur. Edhe filmat e Hollyëood-it do e kishin zili. Sot që flasim, e s’kemi ende asnjë të identifikuar, ngjarja është e pazbardhur.

Edhe më skandaloze e bën këtë ngjarje fakti që institucionet përgjegjëse ishin në dijeni të pasigurisë në aeroport, pasi të 3 testimet e fshehta për sigurinë në aereoport në Prill 2016 nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Policia e Shtetit, kishin evidentuar që siguria e aeroportit kishte dështuar të zbulojë rrezikun. Pra organet zyrtare e kishin të provuar që në Rinas fare lehtë mund të futej eksploziv, armë të ftohta apo të çahet rrethimi, perimetri i jashtëm, saktësisht tek e njëjta derë ku kishin hyrë grabitësit.

Kjo, në mos paaftesi totale të çon në dyshime për bashkëpunim me autorët.

Para dy ditësh një bankë tjetër u vodh në mes të Vlorës ende asnjë i identifikuar.

Disa vjedhje të tjera të bëra në aksin Tiranë – Rinas, në një periudhë të shkurtër kohore, asnjë i identifikuar.

Disa vrasje të kryera edhe në mes të Tiranës – ende ngjarje e zbardhur, asnjë autor i identifikuar.

Ndaj shqiptarët sot janë më të pasigurt se kurrë, bizneset ndjehen më të pasigurta se kurrë, bankat dhe investimet e huaja janë më të pasigurta se kurrë.

Jo vetëm rend e siguri ju premtoi Rama Shqiptarëve, por ju premtoi mirëqenie…

Premtoi 300 mijë vende të reja pune brenda mandatit të parë, por trendi i papunësisë kokëfortë vazhdon të rritet dhe as specialistët apo statisticienët e Partisë s’kanë ç’i bëjnë dot. Sot një ndër 3 të rinj është në kërkim të një pune. Një ndër dy gra, kërkon një pagë për të mbajtur familjen.

Premtoi që 95 % e popullsisë do të përfitojë ulje taksash, ndërkohë që pas 3 vjet Rilindje, 95% e popullsisë ka pasur rritje taksash lokale e qëndrore, rritje të çmimeve të energjisë, naftës, arsimit, shëndetësisë. Sot, 95% e shqiptarëve janë më të varfër se 3 vite më parë.

Rama premtoi Shqipëri të pastër nga plehrat, por makutëria për më shumë fitime po e kthen Shqipërinë në kosh të plehrave.

Por çfarë u premtua për shtresat në nevojë? Jetimët, romët, ushtarakët, e kanë një zgjidhje, tha Rama.

Premtoi zgjidhje përfundimtare të regjistrimit të familjeve rome por sot ende asnjë hap i ndërmarrë në këtë drejtim. Avokati i Popullit ka kohë që ka vënë alarmin. Romët janë lënë në mëshirë të fatit nga kjo qeveri.

Premtoi përcaktimin e një fondi për strehim për gratë kryefamiljare, por a ka pasur strehim për to?

Çfarë është bërë realisht në këto 3 vite për strehimin e shtresave në nevojë? Faktet dhe shifrat zyrtare flasin vetë.

Le t’i marrim kategoritë në nevojë një nga një:

Strehimi i Romëve dhe Egjiptianëve

Të gjendur përballë një kaosi reformash për Qeverinë qëndrore dhe ato lokale grupet vulnerabël janë prekur nga varfëria ekstreme dhe jetojnë edhe sot si në mesjetë. Komuniteti rom është më i braktisuri më i diskriminuari në vend.

Si rezultat i mungesës së politikave qeveritare për strehimin, disa ngjarje tronditëse që kanë ndodhur vetëm pak muaj më parë, disa fatkeqësi natyrore të keqmenaxhuara nga ana e institucioneve shtetërore.

1-Opozita dhe unë personalisht kam shprehur shqetësim të madh për dëbimin e dhunshëm të 44 familjeve Rome nga parku i liqenit. Edhe në raportet për respektimin e të Drejtave të Komuniteteve Etnike, Zyra e Avokatit të Popullit, Amnesty International Komisioneri për të drejtat e njeriut në BE, dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, kanë dënuar historinë e dëbimit të dhunshëm të këtyre familjeve rome pa iu siguruar një strehë dhe kushte jetesën e pa miratimin nga ana e tyre.

Nga Tetori kanë kaluar 10 muaj dhe ende nuk ka asnjë informacion se ku kanë përfunduar familjet rome që u dëbuan me dhunë për një aferë abuzive ndërtimi. Janë humbur kontaktet e askush nuk di se ku gjenden ato familje.

2-Vdekja e foshnjës së tretë, për shkak të motit të ftohtë, në kasollet e komunitetit Rom në zonën e Shkozës, ku jetojnë përafërsisht rreth 60 familje në varfëri të tejskajshme.

3- Përmbytja e rreth 12 familjeve Rome ne zonën e Bregut të Lumit. Kryetari i Bashkisë ju premtoi rulo duke mos respektuar as standardet minimale për një banesë dinjitoze dhe krijimin e getove.

4- u Shembën e rreth 36 banesa të komunitetit Rom në zonën e Selitës, dhe u përjashtuan të gjitha banesat nga procesi i legalizimit dhe për pasoje edhe i  kompensimit.

5- Përfshirja nga flakët e rreth 11 kasolleve në zonën e Shkozës.

Ku ishte shteti kur romët dhe egjiptianët pësonin fatkeqësi njërën pas tjetrës?

Teksa të detyruar të prezantonit gënjeshtrën  e radhës për Strategjinë e Strehimit Social, deklaruat se keni dhënë fond për banesat e komunitetit rom dhe egjiptian. Por ndryshe qëndron e vërteta ! Ky komunitet që ju e përflisni vetëm për të justifikuar projektet me donatorët, është në rrugë i pastrehë dhe i pangrënë!

Nga të dhënat zyrtare, Ministria e Zhvillimit Urban kishte planifikuar 165 familje të komunitetit rom me kushte banimi të përmirësuara për 3 mujorin e parë të këtij viti, por aktualisht rezultati është zero.

Ndaj fare mirë ky projekt ligj mund të kishte sjellë ndryshime që do preknin drejtpërdrejt për tí dhënë zgjidhje një pjese të halleve të shumta të komunitetit rom, veçanërisht strehimit.

Fakte alarmante sjell edhe raporti i Komisionit Europian i 2015 (ECRI) në lidhje me strehimin , romëve:

– raporti evidenton që çështja e legjislacionit reflekton aksesin e romëve në strehim. Romëve ju mungon mundësia e legalizimit të shtëpive pasi nuk mund të ofrojnë dokumentacionin e nevojshëm.

– 30% e shtëpive të Romëve nuk janë të legalizuara

– raporti evidenton se përtej vështirësive për legalizimin e banesave të tyre edhe mungesën e dëbimit të përshtatshëm. Situata e strehimit rom karakterizohet nga kushte të këqija: 15% e anëtarëve të këtij komuniteti jetojnë , kasolle, tenda apo banesa jo me tulla; 60% nuk kanë ujë të rrjedhshëm në shtëpi; 12% nuk kanë tualete. Pjesa më e madhe jetojnë në Zona që kanë rrugë të pashtruara (52.2%) ose kanë rrugë shumë të këqija (22.5%).

Për pasojë, politikat qeveritare i kanë izoluar më tej Romët dhe egjiptianët nga pjesa tjetër ë popullsisë, duke e bërë më të vështirë integrimin e tyre.

Strehimi për kryefamiljarët

Qeveria kishte premtuar të ndihmonte në 3 mujorin e parë të vitit 20 familje një prindërore/gra të divorcuara me fëmijë që përfitojnë bonus strehimi. Sipas të dhënave të disponuara nga ministria e zhvillimit Urban, rezulton se për 3 mujorin e parë nuk është ndihmuar asnjë familje e tillë.

Premtuan ndihmesën për 525 familjeve me bonus qeraje për strehimin, por asnjë familje nuk është ndihmuar.

Me grante të menjëhershme për strehimin do të ndihmoheshin 17 familje, të cilat nuk e morën kurrë këtë përfitim.

Ministria kishte planifikuar 151 banesa të ndërtuara para vitit 1993 të rehabilituara. Edhe këtu, asgjë nuk është bërë. E kështu, mund të vazhdoja gjatë në listimin e shifrave që tregojnë dështimin e qeverisë në strehimin e shtresave në nevojë.

Premtoi qeveria përmirësimin e kushteve të kategorisë së jetimëve.

Po a u mbështetën jetimët me strehim sic ju premtua? Jam takuar vetëm disa ditë më parë disa të rinj jetime, të shkëlqyer në mësime e më dëshirë për të punuar e dhënë kontributin e tyre në shoqërinë shqiptare. Shqetësimi i tyre më i madh ishte mungesa e shtetit për ta mungesa e mbështetjes me strehim, arsimin, shërbime shëndetësore.

PËr strehimin e jetimëve edhe organizatat ndërkombëtare kanë vënë alarmin por qeveria as ka dëgjuar e as ka reaguar.

Organizatat thonë se varfëria është një prej arsyeve kryesore për vendosjen e fëmijëve në strukturat e kujdesit social dhe shteti bën shumë pak për nxjerrjen e tyre nga varfëria. Ato u kanë bërë thirrje autoriteteve të marrin masa për strehimin e të rinjve që largohen nga strukturat e kujdesit publik pas mbarimit të shkollës, t’u sigurojnë pa vonesë këtyre të rinjve mundësi për strehim të përshtatshëm duke u dhënë mbështetje në formën e bonuseve të strehimit ose me forma të tjera. Strehimi social në Shqipëri, thuhet në raportet e organizatave ndërkombëtare, është i pamjaftueshëm dhe më të varfërit nuk përfitojnë dot.

Qeveria dështoi të garantojë të drejtën ligjore të jetimeve të pastrehë për përparësi ne strehimin social. Në muajin maj, në ditën kombëtare të jetimëve, ata protestuan duke kërkuar qasje në arsim dhe strehim dhe duke e cilësuar tallëse mbështetjen sociale të siguruar nga shteti.

Por çfarë ka planifikuar Qeveria në buxhetin afatmesëm për strehimin , shtresave në nevojë?

Më poshtë është një paraqitje grafike e përgatitur nga shoqëria civile në lidhje me numrin e familjeve të pastreha dhe financimit të buxhetit të shtetit për to: del në pah problematika e cila ndërthur varfërinë, përjashtimin social dhe pamundësinë për t’u zhvilluar.

Mungesa e strehës apo streha e pasigurt në kushtet e varfërisë kthehet në kërcënuesin kryesor të të drejtave të njeriut dhe drejtësisë sociale.

Sikurse shihet, 0 buxhet ka parashikuar Qeveria në periudhën 2016-2018 për strehimin e shtresave në nevojë.

Grafiku më poshtë, gjithashtu evidenton qartë që Qeveria vetëm strehimin social nuk e ka priroritet. Nga 21.7 mln Euro në 2014, vetëm 11.2 mln Euro parashikohet në 2018.

Të nderuar kolegë,

Mashtrimi, korrupsioni dhe keqqeverisja e kanë sjellë në buzë të greminës rendin social në Shqipëri. Propaganda për “Drejtësinë Sociale” vazhdon 24 në 24 orë. Staticienët torturohen në leximin politik të të dhënave për papunësinë, varfërinë dhe nivelin e jetesës së shqiptarëve. Përpjekje të mëdha bëhen në gjetjen e periudha krahasimore por gjithnjë përfundojnë me fjalorin e rilindasve se “fajin statistikor e ka Saliu” !

Të nderuar qytetarë,

Në statistikat e qeverisë figurojnë afro 35 mijë të pastrehë, por ju e dini shumë mirë se janë më shumë se çfarë deklarojnë djemtë dhe vajzat e “Edit”. Ju jetoni shumë afër njerëzve në nevojë, ndryshe nga kryeministri që ju qeveris nga ekranet !

E keni parë që për të ligjëruar vjedhjet në shëndetësi, del krah për krah me ministrin e tij të korrupsionit, Ilir Beqaj .

Ndërkohë vetëm dje prindërit e fëmijëve të prekur nga leucemia protestuan për mungesën e preparative për kimiterapinë. I vetmi reagim nga ministria ishte që të mos jepej kronika ! Këshilltari i Ministrit, me urdhër të tij dje ka telefonuar të gjithë gazetarët e televizioneve dh gazetave për të censuruar kronikën. Shumë televizione e censuruan këtë lajm dhe nuk u sensibilizuan me prindërit e dëshpëruar deyrve të spitaleve për një ilaç që mban në jetë fëmijët e tyre.

Kjo është modeli i drejtësisë që kërkon të instalojë Edi Rama në Shqipëri. Pushtet absolut, jo vetëm në gjyqësor, por edhe në media.

Të nderuar kolegë,

Strategjia e strehimit nuk është pikturuar për njerëzit në nevojë, por për trupën qeveritare që po pregatit valixhet për të shkuar kushedi se ku! Dhe për ata që ngelen jashtë anijës, Piktori po bën gati formulën e kapjes së drejtësisë!


 

Fjala në Kuvend e deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, 14 korrik 2016