Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës denoncuan sot show-n e radhës së kryetarit të Bashkisë, Erion Veliajt për bilancin një vjeçar në detyrë. Sipas Akil Krajës, në një vit Erion Veliaj ka vetëm fjalë ndërkohë që Tirana po vuan për shkak të papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit të kreut të bashkisë. Kraja denoncoi mosmbajtjen e premtimeve, rritjen e çmimit të biletës, betonizimin e parkut të liqenit, tenderat korruptivë, heqjen nga puna të 500 punonjësve menjëherë, ngritjen e agjensive që po zhvatis Tiranën.

Erion Veliaj ka vetëm fjalë. Pas 360 ditësh ka vetëm fjalë dhe nuk është në gjendje të shesë një histori por veç të bëjë propagandë sepse organizoi një pseudoevent të mbushur me militantë. Erion Veliaj ka vetëm fjalë sepse në një qeveri ku imazhi dhe propaganda primon mbi punën dhe përmbatjen nuk mund të ishte ndryshe veçse fjalë. Në një vit Erion Veliaj ka gënjyer qytetarët. Tha që çmimi i biletave të autobuzëve nuk do të rriten dhe ato u rritën. Tha që taksat do të uleshin dhe ato u rritën. Ai tha se tek liqeni nuk do të pritet asnjë pemë por sot ka një dëshmi tjetër për masakrën që ndodh atje. Ai premtoi që gjatë një viti do të ketë ndalim të ndërtimeve por sot në Tiranë ka kantiere nga më të mëdhatë ku me monstruozi është ai tek stadium Qemal Stafa dhe ngritjen e një gradaçele. Erion Veliaj tha se në një vit do të ishte avokat i qytetarëve por nuk ndodhi kështu. Ai dha në mënyrë të paligjshme një koncension në Parkun Rinia duke e kthyer në një shesh betoni për një parkim nëntokësor. Në një vit ka bërë krejt të imagjinueshmen por nuk mbaroi pasi si me fshesë ka pushuar 500 punonjës së Bashkisë së Tiranës, në UKT e kështu me radhë  dhe shkoi deri aty sa falsifikoi një dokument të Bashkisë së Tiranës. Por korrupsioni nuk ndalet dhe ka shkuar edhe në shumëfishimin e agjensive të cilat vetëm rrisin taksimin e qytetarëve për të bërë skema vjedhjeje. Tirana parking, një agjensi e krijuar rishtazi dhe sot po grabit qytetarët e Tiranës me parkingun ndërkohë që karta e rezidentit nuk është miratuar akoma. Eco Tirana, një agjensi për manaxhimin e mbetjeve e madje që do të tregtojë mbetjet duke bërë një monopol dhe druajmë se do të ketë edhe import nga Italia. Si u zgjodh kompania??! Ne nuk jemi në gjendje ta themi. Në një vit Erion Veliaj ka vetëm fjalë dhe asnjë bilanc”, tha Kraja.

Këshilltari Mateo Spaho u shpreh se Erion Veliaj e ka varfëruar qytetin duke rritur me 50 milionë dollarë taksat për biznesin. Veliaj po godet të dobëtit e ndërkohë po zhvat çdo para publike me tendera të dyshimtë.

Në një vit Erion Veliaj rriti taksat me më shumë se 50 milionë dollarë. Erion Veliaj rriti taksën për shkollat dhe nga ana tjetër çerdhet ia bojatisin sipërmarrës që nuk dihet se kush janë. Këto taksa nuk e dimë se ku po shkojnë. Ai rrit taksa të ndryshme dhe veprat publike ia bëjnë sipërmarrës fshehurazi si ajo në rrugën Dritan Hoxha, që sot nuk e dimë se kush janë. Erion Veliaj bën tendera jo transparentë. Firmat nuk konkurojnë por i jepen në mënyrë të drejtpërdrejtë firmave të preferuara, në shkelje të rregullave e ligjeve. Erion Veliaj merret me të dobëtit e të vobektit pasi i persekuton tregtarët e vegjel. Bëhet kjo për të liruar hapësirat publike?! Kurrsesi jo. Kjo bëhet për të kioskëzuar Tiranën, për të vendosur të reja çdo 100 metra dhe ato merren koncension në Bashki duke lënë atje kushedi se çfarë falenderimi. Erion Veliaj ka vetëm fjalë sepse mund të bënte shumë dhe ka shpenzuar 0 lekë për nxitjen e punësimit, 0 lekë për të rinjtë, 0 lekë për moshat e treta. Erion Veliaj ka vetëm fjalë”, tha Spaho.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 29 Korrik 2016