Përfaqësimi i Shqipërisë në aktivitetin ndërkombëtar më të rëndësishëm sportiv siç janë Lojërat Olimpike në Brazil, është një goditje për imazhin tonë dhe një shprehje e rrënimit të çdo standardi në këto 3 vite.

Atletja jonë pa kostum kombëtar, një rast i paprecedentë në histori, sherri i pjesëtarëve të ekipit gjatë paradës në sytë e mbarë botës, dhe numri më i ulët në rajon e më gjërë i garuesve që Shqipëria ka atje, janë dëshmi e pastër e shkatërrimit të sportit, e shpartallimit të këtij sektori jetik në çdo drejtim.

Edi Rama është padyshim përgjegjësi kryesor për këtë gjendje të mjeruar e për këtë përfaqësim mjeran në qendrën e botës këto ditë, në Rio.

Hipokrizia e tij me sportin është e dukshme tashmë para gjithë shqiptarëve. Ai bën shoë, dhe jo punë. Nuk është serioz. Nuk e do sportin, por e përdor atë kur i duhet.

Edi Rama abuzoi me suksesin e kombëtares tonë të futbollit duke dashur të përfitojë kredite. Ai kujtohet për sportin vetëm kur i hyn në punë ose kur e kthen në avantazh elektoral, ose kur bën afera financiare, siç është kulla e paprecedent bashkë me qendrën tregtare në qendër të Tiranës, një histori tronditëse korrupsioni.

Edi Rama e sheh sportin si instrument politik për të bërë propagandë dhe jo si sektor ku duhet investuar me seriozitet.

Përfaqësimi i turpshëm në Lojërat Olimpike të Brazilit është meritë e tij.

Ne i urojmë suksese sportistëve tanë atje dhe dëshirojmë rezultatet më të mira, por jemi të indinjuar që ata janë braktisur me përbuzje nga qeveria, nga Edi Rama.

Edhe Lojërat olimpike, edhe sporti dëshmojnë se Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën.


Deklarata për mediat e anëtares së Këshilli Bashkiak të Tiranës, Klodiana Shala, 7 Gusht 2016