Dëgjojeni pak thirrjen publike të këtij që sot hesht, censuron mediat e që po bllokon zbardhjen e të vërtetës për aferën e madhe kriminale e korruptive të landfillit të Sharrës.
“Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që sot e sigurojnë jetesën e tyre, duke ndërhyrë në koshat e bashkisë, që ta lënë atë punë të paligjshme, për të punësuar edhe 200 punonjës të tjerë, për ta çuar në 400. Ne mund të punësojmë pa fund njerëz që realisht duan të punojnë”.
Këtë thirrje ka bërë Erjon Veliaj me 16 mars të këtij viti.
Pra lini punën e paligjshme dhe hajdeni në landfillin e Sharrës.
Ardit Gjoklaj e shumë të tjerë iu përgjigjen kësaj thirrje.
Po ajo çfarë gjetën atje, ishte një mashtrim i madh i Erjon Veliajt.
Vdekja e Arditit, dhe investigimi më tej nga disa media tregoi se Lanfilli i Veliajt dhe partnerit të tij, kryetarit socialist të Peqinit, që nuk i dorëzohet drejtësisë, ishte një ferr paligjshmërie.
Të mitur, burra e gra që punonin të pasiguruar.
Shfrytëzoheshin deri fëmijë 10 vjeç.
Shfrytëzoheshin me tre turne, në atë punë të rëndë e sfilitëse, për fare pak lekë.
Me këtë thirrje publike, Erjon Veliaj e coi drejt vdekjes Arditin. Ai është padyshim përgjegjësi kryesor, jo vetëm se administron landfillin që është biznesi i tij, por sepse i garantoi publikisht njerëzit për ligjshmëri. Me fjalën e tij shkuan të punonin hallexhinjtë, që u kthyen në skllevër.
Çfarë pret prokuroria të marrë në ndjekje penale Erjon Veliajn?
Pse Erjon Veliaj qëndron mbi ligjin?
Pse hesht e nuk ka thënë asnjë fjalë prej 2 javësh për ngjarjen e rëndë?
Pse i bën mediat të heshtin, dhe mediat kombëtare madje që hiqen si të pavarura?
Partia Demokratike do të kërkojë deri në fund drejtësi për Arditin dhe drejtësi për Arditin do të ketë, sado të përpiqet Erjon Veliaj ta mbyllë këtë krim.
Deklaratë e Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, 25 gusht 2016