Zonja dhe zotërinj, vëlllezër dhe motra dibranë, të pranishëm në këtë festë të bashkimit dhe besës dibrane, dhe ju dibrane e dibranë që na ndiqni, dhe ju shqiptarë që i keni sytë nga Dibra; ju përshëndes nga zemra e patriotizmit, e mençurisë, e punës dhe krenarinë, ju përshendes nga Peshkopia dhe nga Dibra.

Vëllezër e mora dibranë. i dashur Sherefedin Shehu, kandidati i opozitës së bashkuar dhe i dibranëve të bashkuar.

Të dashur drejtues të koalicionit, të rinj të sapoardhur, tradicionalë, të rikthyer dhe ju mijera e mijëra të tjerë që jeni bashkuar këto ditë.

I dashur kryetar i Sherit të Dibrës, Ruzhdi Lata.

E dashur rini dibrane. Nuk mund të mos u përshendes në veçanti ju që më pritët dje me zjarrin dhe besimin e fitores në sytë dhe zemrat tuaja.

Dhe ju nëna dhe baballarë dibranë, ju falenderoj nga thellësia e zemrës për këtë prani kuptimplotë sot për të mbështetur kandidatin tonë, kandidatin tim, kandidatin tuaj, një personalitet të shquar që Dibra i ka dhënë Shqipërisë e demokracisë; Sherefedin Shehun.

E lodhshme është rruga për ju nga Dibra në Tiranë e në kthim. E bekuar është për mua se vij tek ju. Vij me nderimin dhe peruljen më të thellë, me respektin që më është rrënjosur në femijëri për ju dibrane e dibranë, njerëz që kombi mbarë ju nderon si të mençur, si punëtorë, si njerëz të nderit dhe të besimit.

Mbrëmë Bashkësia Dibrane, mbi 60 personalitete dibranë që jetojnë prej gjeneratash në Tiranë me në krye kryetarin Bujar Kapexhiu, e me shumë intelektualë të spikatur, profesorë, mjekë, ekonomistë, shkrimtarë, sportistë, artistë na mblodhën këtu në Peshkopi. U thashë diçka që dua ta ndaj sot këtu me ju e që ka të bëjë pikërisht me ndjenjën e thëllë të respektit që kam të rrënjosur në shpirtin tim. Unë mund të kisha cituar intelektualë, dibranë dijetarë që janë të shumtë. Por vendosa të citoj dje në Odën Dibrane një dibran të thjeshtë Dajon Faik i cili thoshte; vdesim më mirë se të hypim, nuk duam lëmoshë, nuk duam mëshirë, duam të punojmë me nder. Janë të paharrueshme,  nga to që lënë gjurmë e që na formojnë si njerëz. Sa herë i kujtoj them me vete ky është dibrani i vërtetë, i lirë, me kultin e punës, me kultin e nderit, e djersës së ballit, që nuk do lëmoshë por punë dhe dinjitet.

Miqtë e mi. Mund të zgjatem me orë të tëra dhe të shpreh nga shpirti im vlerësimin për ju dhe atë që ju me paraardhësit tuaj përfaqësoni për mua, për familjen time, për Shqipërinë e kombin shqiptar. Është zakon që politikanët të kërkojnë e të gjejnë fjalë të bukura. Por ata duhet ta tregojnë me akte besimin dhe respektin e tyre për qytetarët, për zgjedhësit, për qytetin dhe krahinën, për historinë dhe për të nesërmen e tyre.

Sot kam një arsye të re. kam një emër që shpreh respektin tim, respektin e Partisë Demokratike dhe gjithë opozitës së bashkuar për Dibrën dhe dibranët; Sherefedin Shehun, kandidatin tonë të përbashkët. Sherefedini është një profesor që ka nderuar Shqipërinë në Amerikë e gjithë botë, që e njeh dhe nderon Shqipëria. Dibra do të ketë kryetarin e Bashkisë me të ditur, më me përvojë, me të zotin dhe më të respektuarin se çdo qytet tjetër i Shqipërisë. Mbi të gjitha do të keni një njeri të ndershëm. Sherefedin Shehu përfaqëson shqiptarin e fortë, dibranin me karakter që pushteti dhe politika nuk e ka prishur, nuk e ka korruptuar por përkundrazi e kanë rritur si një figurë publike më të aftë, më të gatshëm për të marrë përgjegjësi. Një njeri që nuk do të mendojë të vjedhë e të abuzojë sepse ka treguar gjithë jetën e tij se mendon për njerëzit, që nuk mendon për miqtë dhe klientët por për qytetarët, për dibranët. Do të keni një njeri që nuk ka interesa biznesi. Dibra nuk ka nevojë për më shumë biznesmenë në politikë sepse ju jeni vetë punëtorë, sepse ju doni mundësi për punë, ju doni infrastrukturën dhe ne do ua japim me Sherefedin Shehun.

Sherefedini ka pjekuri, ka aftësinë, ka përvojën, ka durimin dhe nderin që i duhet Dibrës dhe gjithë Shqipërisë. Ai është respekti ynë për Dibrën, është standardi ynë për njerëzit, për cilësitë, që njerëzit që jetojnë në qytetet tona duhet të kenë. Po dëgjon Sherefedini. Po dëgjon brohoritjet tuaja. Mos u shqetësoni. Nuk i rritet mendja, nuk ia ndjen për fjalën e bukura, nuk është njeri i fjalëve por i punës, i veprave. I flet më mirë puna sesa fjala. Do të flasim prap kur të vijë dita për të vlerësuar punën e tij në krye të bashkisë së Dibrës.

Zonja dhe zotërinj.

Kandidojmë në Dibër me aleancën më të gjerë opozitare dhe qytetare. Më të bashkuar se kurrë me kolegët, bashkëpunëtorët, miqtë që kanë zbritur në Dibër për mbështetur me mish e me shpirt fitoren e Dibrës, fitoren e Sherefedin Shehut. Kandidojmë në Dibër me një program konkret, boshtin e të cilit Sherefedini e shpalosi fare qartë para jush. Ndaj kemi një kandidat, një profesor të nderuar, birin e ndershëm të kësaj krahine. Një njeri që kishte një karrierë të sigurtë në Partinë Demokratike sepse mendje si ai i duhen Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Por ai zgjodhi të shërbejë në Dibër, zgjodhi të shërbejë për ju sepse lidhja e fortë e dibranëve të ndershëm me vendin e tyre është detyrimi që ndjejn dhe i tillë është Sherefedin Shehu.

 Kam ndjekur me kënaqësi programin që ka shpalosur dhe nesër ju jap fjalën si kryeministër do të mbështes çdo projekt të kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Sherefedin Shehut. Çdo projekt që do të sjellë punë, zhvillim dhe mirëqënie për ju.

Ne e dimë fare mirë potencialin e madh që ka Dibra dhe mund të jetë hambar për Ballkanin për frutat, perimet, arrat, mollët, qershitë. Ne do të realizojmë programe konkrete ndihmash për bujqësinë, për fermerin dhe blegtorin dibran me pika grumbullimi apo me asistencë marketingu, me infrastrukturë. Vitin tjetër Partia Demokratike është në pushtet dhe mundësitë e realizimit të këtyre premtimeve do të jenë reale dhe të prekshme.

E tha mirë kryetari i Sherit mbremë. Punët i bitis ai që i nis. Ne që e nisëm, ne do ta përfundojmë Rrugën e Arbrit. Ne e filluam Rrugën e Arbrit. Ne dhamë para nga Buxheti i Shtetit. Fakteqësia e rrugës së Arbrit ishte rilindja, fatkeqësia më e madhe për Dibrën ishte rilindja, fatkeqësia më e madhe për Shqipërinë ishte rilindja. E varrosi Rrugën e Arbrit Edi Rama, siç varrosi çdo projekt tjetër për Shqipërinë. Edhe rrugën e  Elbasanit, ndonëse tuneli përfundoi, nuk e ka çuar asnjë metër më tej. Sepse Edi Rama i bën rrush e kumbulla paratë e buxhetit. Nuk i ka për ju por për veten e tij, për miqtë e tij. i harxhon për fasada, për orendi, për mobilime, për godina qeveritare.

Asnjë kilometër rrugë nuk ka bërë dhe as nuk ka ndërmend të bëjë. Ato që ju thotë ju,  janë gënjeshtra dhe gënjeshtrat e tij janë përçmimi për dibranët. Pse e them këtë?! Sepse e dimë botërisht se mençuria  dibrane është një virtyt kombëtar dhe ti mbash me gënjeshtra do të thotë ti përçmosh, ti poshtërosh. Erdhi në Peshkopi, tha disa gjera por nuk tha disa të tjera që  politika nuk mund ti injorojë. Nuk u kërkoi falje dibranëve,  e shau dhe fyeu ish kryetarin e tij  a thua se e gjeti në rrugë, a thua se nuk u bë vetë Rama me besë burri garant që do rilindte Dibrën.

Nuk iu tha pse e hodhi e hoqi Shkëlqim Canin nga ministër Financash. E hoqi se iu bë pengesë për të vjedhur taksat me koncensionin e vëllait të tij, ja pse e hoqi.

Nuk u tha pse u prish projekti me kinezërt për Rrugën e Arbrit. Ne ia lamë gati financimin, gati kontratën në tavolinë. Por Edi Rama e shpalli 3 herë në Dibër që u mbyll kontrata por punimet nuk fillojnë. A e dini pse?! Sepse deshi të caktonte kontraktorin e tij, gjobën e tij, donte pazarin e tij por pazari u prish me kinezët. Për Pazar u prish Rruga e Arbrit.

As për Skavicën nuk u tha asnjë fjalë. Nuk u tha se është një koncension korruptiv me miqtë e tij turq që të bëjë hidrocentralin e të përmbytë gjysmën e Dibrës e të shpërngulë gjysmën e dibranëve pa pyetur fare.

Nuk u tha kur erdhi këtu se një ditë përpara i firmosi Sadri Abazit disa miliona dollar për të bërë disa metra katrorë para Pallatit të Kulturës. Ai që mburret me dy metra rrugë pse nuk e përmendi?! A e dini pse?!  Sepse është çmenduri që ti japësh miliona dollarë Sadriut ti bëjë rrush e kumbulla kur i gjithë buxheti i bashksië është 3 milionë dollar. I ka dhënë për disa metra lulishte 60 % të buxhetit të gjithë bashkisë së Dibrës, të buxhetit me të cilin paguhen mësuesit, mjekët, pastrimi i qytetit dhe çdo shërbim tjetër.

Vëllezër e motra. Ne jemi sot kaq shumë sepse Dibra dhe Shqipëria e kanë kuptuar se rilindja është projekti i grabitjes së Shqipërisë. E vetmja gjë që Edi Rama bën është të mbushë xhepat e veta dhe të klientëve të vetë. Kështu i ka përcaktuar gjërat, pasuritë, minëralet, koncensionet, buxhetin për vete, drogën për kriminelët, emigracionin për popullin. Dibranët e kanë kuptuar, dibranët e kanë braktisur. Më thoni vetëm një herë kur kishte në dorë të bënte një zgjedhje në favor të Dibrës dhe a e bëri?! Kishte në dorë të zgjidhte vazhdimin e Rrugës së Arbrit dhe nuk e zgjodhi. E ndërpreu, e bllokoi, sepse donte para për vete dhe klientët e tij. A i interesonin dibranët dhe Dibra për pazaret që ka bërë për Skavicën?! Sigurisht që jo. Ka zgjedhur pazarin e vetë personal. Kjo vepër e madhe publike është dhënë në charter nga ministri i tij i korruptuar Arben Ahmetaj. Atij i interesojnë qindra milionë dollarë për xhepin e vetë. Nuk i interesojnë tokat e dibranëve, përmbytja e Dibrës. Shpërngula e Dibrës nuk i hyn në sy por vetëm paratë për veten e tij.

Është shumë e thjeshtë, vëllezër e motra. Edi Rama nuk e do Dibrën dhe dibranët dhe këtë e ka vërtetuar me dhjetëra herë. Por do votën tuaj që të kapë paratë për Rrugën e Arbrit, do votën tuaj që të kapë qindra miliona euro për Skavicën. E do Dibrën si plaçkë, e do Shqipërinë si plaçke, jo për dibranët dhe jo për shqiptarët.

Por kujt mendon se do ia hedhë kësja radhe?! Dele i di njerëzit?! Dele i di dibranët?! Ma hodhe njeherë, mu qërroftë njëri sy. Ma hodhe herën e dytë u bëfsha qorr. E ka thënë saktë mençuria dibrane.

Dibranët e kanë braktisur. Socialistët e kanë braktisur. Dje e patë lajmin se ka hequr logon e LSI-së nga xhipat e doganës që ka marrë për fushatë. E patë lajmin apo jo?! Mirë kanë bërë që kanë hequr logon e LSI-së. ta heqin edhe logon e PS-së se xhipat nuk përfaqësojnë as socialistët e ndershëm. Do të ishte e ndershme ndaj socialistëve dibranë që të hiqnin edhe logon e PS-së. E dinë socialistët dibranë që kandidati i tij nuk i përfaqëson. Madje të heqë edhe logon e PDIU-së. Jo se Dibra nuk ka respekt për çamët sepse dibranët e çamët ndajnë histori të dhimbshme të persekucionit dhe dëbimit. Por dega e ullirit nuk bën për xhipat e bardhë. Ju e dini se çfarë bime duhet tek xhipat e bardhë, apo jo?! Kanabisi, hashashi. Kjo është emblem e kandidatit të tij. Po po e tha vetë. E vetmja emblem e koalicionit është gjethja e hashashit.  Rama i vogël është këtu jo për ju, jo për Dibrën por vetëm për Ramën e madh.

Me dhjetra mesazhe, telefona dhe dje këtu në bulevard kam marrë nga socialsitë dibranë. Çfarë më kanë thënë?! Nuk ia dorëzojmë Dibrën bandave! Faleminderit motra dhe vëllezër dibranë, socialiste e socialistë dibranë. Kjo është besa juaj, ky është paralajmërimi juaj. Është betimi i tyre si dibranë të ndershëm edhe si socialist të ndershëm. Mirësevini në betejën për Dibrën. Bashkë do ta fitojmë.

Dibra jo në duart e bandave. Dibra, jo plaçkë e Edi Ramës. Dibra për dibranët!

Paralajmërimi që kemi bërë para disa ditësh dua ta përsëris sot; Edi Rama dhe bandit e tu, larg duart nga zjarri se do të përvëlohesh. Larg duart nga vota e lirë në Dibër se do të digjesh e do të shkrumbohesh. Le ta dëgjojnë edhe emisarët e tij në administratë publike. Sytë e veshët tanë, e të partnerëve tanë janë mbi ju. Çdo lëvizje dokumentohet. Do ta paguani shtrenjtë presionet ndaj administratës.

Le ta dëgjojnë edhe emisarët e tij të krimit që vijnë rrotur në Dibër si çakenj zaberhanë. Dibra nuk e dorëzon votën me asnjë çmim. Koha e Edi Ramës ka mbaruar. Ka vjedhur, ka poshtëruar, ka varfëruar dhe sunduar shqiptarët e dibranët që ditën e parë e tani koha e tij ka sosur. Ka ardhur fundi. Dibrane e dibranë, demokratë e socialistë të ndershëm. Unë nuk u dua për votën tuaj. Sherefedini nuk u do për votën tuaj. Ne ju duam që me votën e 11 Shtatorit të sjellim ndryshimin e vërtetë për ju dhe jo për qeveritarët.

Dielli lind shpejt këtu në Dibër dhe dibranët janë të parët që e shohin dhe e njohin një ditë të re kur ajo sapo nis. Një ditë e re po nis sepse koha e Edi Ramës po mbyllet. Nuk ka më kohë për të, ska më kohë për trafikantët, ska më kohë për hajdutët, ska më kohë për krimin. Ky është një fakt dhe pret vulën tuaj me votë.

Me votën tuaj me 11 Shtator dhe me votën e mbarë shqiptarëve ditën më të parë që do të kemi zgjedhje do ti rifitojmë këto 3 vite e gjysëm të vjedhura. Do ti rifitojmë këto vite të humbura e të grabitura nga çdo vatër e familje. Do ta kapim me ritmin e shpejtë zhvillimin, punën, dinjitetin. Ska më kohë për Edi Ramën, ska për kohë për trafikantët, ska më kohë për hajdutët, ska më kohë për krimin. Është koha e qytetarëve, koha juaj. Motra e vëllezër dibranë është koha për të marrë një vendim për të votuar Sherefedin Shehun. Koha për të dhënë mesazh se nderi, dinjiteti dhe vlerat kanë për zot popullin e Dibrës, popullin Sovran.

Ju faleminderit shumë. Zoti e bekoftë Dibrën. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Me Zotin para!


Fjala e Kryetarit të  Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ne hapjen e fushates per zgjedhjet per kryebashkiak ne Diber, 26 Gusht 2016