Kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu i shoqëruar nga deputetët Arben Imami dhe Gent Strazimiri u takua me banorë të Lurës.  Ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe zhvillimi i turizmit janë prioritetet e shpalosura nga zoti Shehu. Që vitin e parë, theksoi zoti Shehu do të nis rehabilitimi i infrastrukturës rrugore dhe investimet për furnizimin me ujë të pijshëm ndërsa në planin afatgjatë zhvillimi do të bëhet i planifikuar dhe për këtë do të hartohet plani i zhvillimit urban, theksoi Sherefedin Shehu.

Sherefedin Shehu: Që të vijnë investitorët këtu në radhë të parë duhet rruga. Rruga  që vjen nga Rrësheni dhe rruga nga Përlati, ju garantoj që do të fillojë brenda vitit. Dhe ju garantoj që vitin tjetër  deri në hyrje të urës së Lushës, siç i themi ne, do të fillojë asfaltimi dhe gradualisht edhe në krahun e Dibrës do të fillojë lidhja me asfaltin. Do të ketë një plan të zhvillimit urban.

Lura si një nga zonat më të bukura të Shqipërisë ka potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit. Krahas infrastrukturës zoti Shehu theksoi se ka nisur diskutimet me institucione ndërkombëtare për të investuar në shtëpitë karakteristike të Lurës për t’i kthyer në destinacione mikpritëse për turistët.

Sherefedin Shehu: Lura ka edhe traditën familjare, kështu që këto kulla meritojnë që të jenë mikpritëse. Unë kam vënë kontaktet që tani me Agjencinë Gjermane për Zhvillim, ajo ka një program për turizmin familjar që ka filluar nga zona e Korabit, do ta sjellim edhe këtu në Lurë.

Turizmi theksoi zoti Shehu është një mundësi e mirë për zhvillimin e zonës dhe punësimin.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 29 Gusht 2016