Kryetari i Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, reagoi pas situatës alarmante të krijuar nga trafiku, këtë pasdite në qendër të kryeqytetit. Ai deklaroi se abuzimet e Veliajt me fondet publike, ngutja për të investuar nga një kompani e cila ka fituar pa garë të drejtën për të ndërhyrë në qendrën e Tiranës, shkaktuan kaosin pranë Sheshit Skënderbej.
“Për fat të keq, sot Erjon Veliaj i tradhtoi sërish qytetarët e Tiranës, dhe besimin që i dhanë. I urdhëruar nga Kryeministri i vendit, tutori i tij politik, i cili njëkohësisht është kryetari de facto i bashkisë së Tiranës, nisi planet ogurzeza për sheshin Skënderbej, që tashmë po vihen në zbatim. 4 milionë euro do ti kushtojë shqiptarëve ky trill i Edi Ramës dhe ndërkohë që trojet publike do të grabiten si sipër ashtu edhe nën sipërfaqen e tokës. Eshtë e ditur që do të kemi ndërtimin e kullave, ndërtimin e parkimit nëntokësor që do ti shërbejë vetëm interesave të pushtetit dhe 4 milionë euro para publike i janë dhënë një kompanie pothuajse pa garë. Nuk mund të shkojë më keq se kaq. Mafia e betonit me ngut nisi punimet, duke shkaktuar sot një kolaps të jashtëzakonshëm. Në fund të fundit c’lidhje kanë të drejtat dhe detyrimiet që ka Erjon Veliaj dhe Kryeministri Rama ndaj qytetarëve”, tha Olli.
Denoncim i kreut të Këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, 7 shtator 2016