Kandidati për kryetar bashkie të Dibrës, Sherefedin Shehu së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me banorë të fshatrave  Poçest,  Bellovë, Rapdisht dhe Tomin.

Zoti Shehu u tha banorëve se me të kryebashkiak, bashkia do tu kthehet qytetarëve dhe administrata e bashkisë do të jetë në shërbim të tyre. Sot, punonjësit e bashkisë vetëm marrin rrogën dhe nuk ofrojnë asnjë shërbim për qytetarët edhe pse mundësi ka. Ndërmarrjet e bashkisë, mirëmbajtja e rrugëve, ujësjellësi dhe bordi i kullimit do të kthehen në punë që ditën e parë të drejtimit të bashkisë nga Sherefedin Shehu.

Sherefedin Shehu: Duke filluar nga dita e hënë më datë 12 bashkia do të kthehet tek ju. Largimi i mbeturinave do të fillojë që ditën e parë. Ndërmarrja e Ujësjellësit do të vijë këtu tek ju do të zgjerojë sistemin e ujit të pijshëm. Bashkia ka një ndërmarrje për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të vaditjes dhe pranverën e vitit të ardhshëm do ta filloni me një sistem të kanaleve vaditëse të përmirësuar ndjeshëm.

Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë prioritet i Sherefedin Shehut. Ai tha se Dibra i ka të gjitha mundësitë për zhvillim, pasi ka prodhime bujqësore, blegtorale, pemëtari dhe potencial të madh turistik. Bashkia, tha zoti Shehu do të jetë ndërmjetëse mes bizneseve të mëdha dhe fermerëve të Dibrës, në mënyrë që prodhimet e tyre të gjejnë treg.

Sherefedin Shehu: Tregu në Dibër është i vogël dhe bashkia ka për detyrë që të sjellë tregtarët këtu edhe këtë e kemi filluar. Para tre ditësh kemi bërë një takim me fermerë që prodhojnë mollët dhe grumbulluesi i mollës i garantoi që 80% të prodhimit të Dibrës do ta blejë vetëm një dhe të tillë  ka në Tiranë. Ne i kemi identifikuar, do t’i sjellim që t’i ulim këtu me ju që në pranverën e vitit të ardhshëm të fillojë porosia. Pra, tregtarët të porosisin blerjen e produkteve nga ju. Ne do të bëjmë panaire me blerësit e produkteve, do të vijnë në pranverë kur ju të mbillni që të keni të sigurt që nesër atë që mbillni dhe prodhoni ta keni të shitur.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 8 shtator 2016