I nderuar drejtues i seancës!

Të nderuar kolegë!

Sapo ka nisur sesioni i ri parlamentar dhe ajo cka tërheq fort vëmendjen, jo vetëm timen personale, por të gjithë publikut  është pikërisht klima e rëndë dhe tepër e zymtë që zotëron në  këtë sallë dhe në  komisionet parlamentare.

Kur po shkruaja radhët e kësaj fjale e kisha të vështirë të bindja veten se fjalimi në foltore është detyrë e rëndësishme e një deputeti, pasi ato cka ndodhin në këtë sallë mund të jenë cdo gjë por vetëm politikë, reforma apo ligje në interesin publik nuk janë.

Fatkeqësisht, peceptimi si i brendshëm dhe ai i opinionit ndërkombëtar, është një furi mllefi dhe kritikash ndaj politikanëve dhe jorastësisht, kriza e besimit ndaj politikës dhe rritja e akuzave ndaj saj, kanë arritur nivelin më të lartë me qeverinë dhe mazhorancën tuaj.

Nuk lipset të bëjmë analizë kronologjike të fakteve, për krimin dhe korrupsionin ku jeni zhytur,  por mjafton të përcjellim cfarë po ndodh para dyerve të këtij parlamenti, si dhe të përmendim krizat e orëve të fundit, antireforma dhe antiligji që bllokon të rinjtë të hyjnë në auditoret universitare,  përhapjen kombëtare të hashashit, anullimin e pazarit me koncesionin e Rrugës së Kombit dhe së fundmi, hapja e një varreze të re publike, po, po, varreze publike- punimet e bashkisë së Veliajt gjoja për rindërtimin e sheshit Skënderbe.

Pavarësisht se e mora fjalën për tëdiskutuar mbi një  projektligj për ratifikim marreveshje me impakt në sektorin e infrastrukturës, nuk mund të jem indiferente për situatën jasht kësaj salle.

Ata që nuk munden të ishin dje para kryeministrisë dhe sot para parlamentit, me dëshpërim na nisin mesazhe në celular apo fb.

Një nënë e stërmunduar nga Tropoja më shkruante se prej muajsh ishte në hall dhe mendonte si do të siguronte jetën e vajzës në konvikt në Tiranë, por tani tha ajo edhe këto mendime –vuajtje të ëmbla u përmbysën sepse vajza nuk figuron tek listat fituese dhe kjo nënë me të drejtë më pyeti nëse a janë prindër deputetet dhe ministrat apo hyena që nuk ngopen me vuajtjet e këtyre njerëzve?

Një tjetër më shkruan se ka katër fëmijë, i madhi hidhet në vitin e dytë të shkollës së lartë ne Durres. Vitin e parë e kemi ndihmuar me borxhe, por tani po detyrohemi ta mbajmë në shtëpi pasi nuk kemi të ardhura të tjera përvec ndihmës ekonomike dhe 3 të tjerëve shkolla po u fillon dhe nuk kam me cfarë tua blej as librat.

Nuk ka turp më të madh sot për këtë parlament, kur pjesa më e madhe i kanë fëmijët nëpër shkolla jashtë Shqipërisë, në komoditet e para, lë pa mëshirë ose më saktë në mëshirë të fatit mijëra të rinj të talentuar, me vullnet e që me aq shumë sakrificë nga prindërit e tyre u mbyllen dyert nga krimi në arsim, nga korrupsioni në arsim, nga trafikimi në arsim, sepse kjo ishte reforma e rilindjes në sektorin më bazik të një shteti që është arsimi e më pas shëndetësia.

E keni kthyer shkollën jo në vatrën e dijes, por vatrën e zhvatjes, e turpit, e fyerjes së djemve e vajzave dhe të lëndimit të mijëra baballarëve e nënave që po i rritin me mund e me shumë sakrificë fëmijët e tyre.

Dhe nuk ka absurd më të madh se sa aktet që sillni këtu në emër të ratifikimeve të marrëveshjeve apo projektligjeve të ndryshme, kur asnjë taksë e paguar me aq mund nga  shqiptarët nuk shkon  në investime publike por në  grabitjen galopante të klientëve të qeverisë, lluks, mirëqënie, pse jo edhe bursa studimi për fëmijët, nipër e mbesa, në universitetet më cilësore të SHBA dhe Evropës.

Kolegë!

E kemi diskutuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet dy qeverive, të Shqipërisë dhe Italisë, përfaqësuara nga ministritë respective, për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe projektimit në nivel përfundimtar si dhe studimin e impaktit mjedisor në sektorin e infrastrukturave për:

 – Zgjerimin e rrugës nga Miloti në Shkodër;

– Krijimin e lidhjes direkte Vaqarr-Kavajë;

– Realizimin e By-pass-it të Elbasanit.

Citoj këtu për shqiptarët që po na ndjekin, se bëhet fjalë që, Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje mundëson lidhjen e mëpasshme të një marrëveshjeje financiare mes palëve, për akordimin e një kredie ndihme prej 2.1 milionë euro nga qeveria Italiane për studime fizibiliteti dhe  projektime, për realizimin e tre veprave infrastrukturore të rëndësishme të sipërpërmendura.

Vazhdoj të citoj pjesë nga relacioni që shoqëron aktin se, ndërtimi i akseve të propozuar në këtë marrëveshje do të përmirësonte shumë lëvizshmërinë e mjeteve, si në aspektin kohor edhe cilësor si dhe do të rriste sigurinë rrugore në këto akse.

Po pse more zoterinj, vetëm kredia 2 milion euro për studime dhe projektime ju mungonte, për të përmiresuar rrjetin rrugor të pjesës veriore të vendit, e cila rezulton të jetë ndër më të varfërat ekonomikisht por më të pasurat natyralisht prej bukurive turistike që po perpiqet ti shfrytëzojë sado pak për mbijetesë?

Studimet dhe projektimet ju mungonin, për të bërë dicka për të zgjidhur ankthin e pritjeve me orë, në trafikun e rënduar, të turistëve që frekuentuan sivjet plazhet e Shëngjinit dhe Velipojës?

Studimet dhe projektimet ju munguan, për të bërë dicka me mirembajtjen e rrugës nga Vau i Dejës që të con në Koman, si dhe të 2  kalatave, asaj të Komanit dhe të Fierzës, të cilat, turistët që kishin kënaqesinë të vizitonin Alpet dhe shijonin udhëtimin me traget, i kane cilësuar me standarte të vendeve të botës së tretë?

Unë vetë kam shoqëruar disa herë miq dhe dashamirës të turizmit malor dhe të apasionuar mbas Alpeve, ndër të cilët edhe diplomat dhe të huaj. Dhe a e dini se cfarë paradoksi ekziston kur bën ate udhëtim? Rruga drejt kalatës së Komanit është skandalisht e demtuar dhe e pamirëmbajtur, ndërkohë qe paralel me të, si për tu tallur me dashamirësit e Alpeve, KESH ka invstuar në një rrugë qe të con në digë dhe që rrihet maksimumi 2 herë në ditë nga 2 ose 3 makina të stafit.

Sigurisht unë nuk pres ndërtimin e rrugës nga një kryeministër dhe  ministra alergjik ndaj veriut, për të lëvruar fonde por të paktën tënderhyhej në mbushjen e gropava.

2 muaj e gjysëm vere- sezon turistik dhe asnjë lopatë dhe’ nuk është hedhur, asnjë punëtor nuk është dukur për mirëmbajtje në akset kryesore dhe jetike për këto zona dhe ju na servirni strategjira dhe qëllime përmiresimesh të akseve rrugore vetëm në letra, paratë e së cilave kushedi se në xhepat e cilëve zyrtar do përfundojne, se rrugë jo se jo do të shikojmë të shtruar apo ndërtuar.

Kjo gjë dëshmon më sëmiri demagogjinë tuaj për turizmin malorë, për infrastrukturën e të cili nuk keni hedhur asnjë lek.

Faktet flasin vetë, ndërsa ne diskutojmë sot si një rutinë marrëveshjen e radhës e cila për hir të së vërtetës tingëllon sa absurde aq edhe qesharake qysh në titull.

 Jo për formulimin por për kontekstin kur zhvillohet diskutimi për infrastrukturën dhe zhvillim të saj, pikërisht nga një qeveri dhe mazhorancë e cila i urren rrugët.

 Vera që po lemë pas, shënoi një bilanc lufte me jetët e humbura nëpër aksidente.

Aksidentet janë shtuar në mënyrë dramatike dhe qytetarët u bënë dhe po bëhen cdo ditë, dëshmitarë të skenave fatale nëpër rrugët e vendit shoqëruar me një ineficencë të policisë e cila bëhet prezente gjithnjë pas ngjarjeve, pasi janë më së shumti të angazhuar me ruajtjen e parcelave të hashashit.

Dhe burimi i të gjithave këtyre aksidenteve nuk ishte mungesa e studimeve por mosinvestimi në infrastructure, në ato që njihen si pika të rrezikshme si dhe në akset që për shkak të fluksit të turistëve mbingarkohen në sezonin e verës.

Ne sot flasim për ratifikim të një marvëshje me ndikim në sektorin e  infrastrukturës kur pikërisht një nga kryeveprat historike të zhvillimit të shqiptarëve, Rruga e Kombit është kthyer në një mollë sherri për pazaret dhe interesat e pakufijshëm të mafies në pushtet.

Dorëheqja e ministrit Haxhinasto kaloi në terr informativ si vetë koncesioni i mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit dhe që më pas dhe vetë anullimi i tij.

Edhe një telenovelë e jetës së Eskobarit do të ishte më e sqaruar dhe më e kthjellët sesa filmi, që realizon Rama cdo ditë me zyrat e propagandës së tij.

Duke mbetur tek shqetësimi dhe alarmimi i shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë por dhe më tej, që me finalizimin e kontratës së mirembajtjes do të vendoset edhe një taksë për cdo automjet që qarkullon në këtë rrugë, jo pak por 5 euro për secilin sens levizje.

Për të hedhur dritë mbi kostot e mbajtura sekret të këtij koncesioni, BIRN ben prezent se ka kërkuar që  para vendimit të KPP-së, të mund të merrte një kopje të ofertës fituese për të parë fluksin e parashikuar të mjeteve që do të qarkullojnë në Rrugën e Kombit si dhe koston e premtuar të subvencionimit nga buxheti i shtetit, për të krijuar një ide të përafërt mbi koston totale që ky koncesion do të ketë në xhepat e shqiptarëve dhe vlerës së përgjithshme të investimeve, por ka marrë pergjigje negative nga Ministria e Transportit.

Para disa ditësh bashkë me kolegë të tjerë dhe të zgjedhur vendor nga Qarku i Kukësit, morëm pjesë në një tryezë të përbashkët me përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe shoqerinë civile në Kukës për të dikutuar mbi këtë shqetësim madhor për zonën tonë por jo vetëm.

Argumentat e sjellë nga ata se përse e  kundërshtojnë taksën dhe që paralajmërojnëedhe ndërmarrjen e hapave konkret për ta refuzuar permblidhen si më poshtë:

  • Autostrada është ndërtuar me fonde publike pra nga taksapaguesit shqiptar.
  • Cdo mjet që qarkullon në territorin shqiptar, sipas nenit 2 të ligjit 157/2014,  paguan taksën e qarkullimit e cila i dedikohet mirmbajtjes së rrugëve.
  • Qarku i Kukësit nuk ka një rrugë tjetër alternative që e lidh me pjesën tjetër të vendit, në mënyrë që përdoruesve të rrugës tu lihet hapsirë zgjedhje.
  • Mospërputhja e taksës me strategjinë kombëtare të turizmit dhe humbja financiare që shkaktohet nga aplikimi i saj në këtë sektor jetik.

  Me vendosmëri ata parashtrojnë që qeveria ose të kthejë mbrapsht dhe anullojë aplikimin e taksës ose të shfuqizojë ligjin 157/2014 dhe të heqë taksën mbi karburantin.

Kush e di se për cfarë përdoret taksa e qarkullimit, në një kohë që mirëmbajtja e rrugëve është në minimumin historik?!

Kolegë!

Taksa është një veprim në vijimësi i kësaj qeveria antitreg, anti biznes, fobike ndaj veriut dhe mbi të gjitha kundër bashkimit të shqiptarëve në të gjithë Rajonin.

Kjo taksë e fut në një kolaps shkëmbimin tregtar, komunikimin ndërsektorial mes Kosovës e Shqipërisë por edhe më gjerë dhe sigurisht trondit rëndë turizmin.

Ajo rrugë duhet ti bashkojë për zhvillim shqiptarët e dy shteteve e jo ti ndajë, për ti shtyrë edhe më shumë drejt varfërisë.

Nga ana tjetër Veriun e izolon edhe më tej dhe mbyll edhe më shumë ato pak hapesira për tregti e punësim.

Eshtë demagogji krejt manipuluese se taksa kaq e lartë i duhet mirëmbajtjes së rrugës.

Në fakt i duhet kësaj qeverie dhe kryeministri të marrë edhe më shumë nga mundi e sakrifica e shqiptarëve.

Një aferë e pastër me miliona euro cdo vit, një barrë e re e vendosur në kurrizin e shqiptarëve, sipas skemës së qeverisë për 30 vite me radhë, në emër të mirëmbajtjes së rrugës.

Por të jeni të bindur se nuk do i gezojë të ardhurat e saj.

Mendoj dhe historia më jep të drejtë në konstatimin se, qeveria dhe mazhoranca juaj ka gjeneruar më shumë kriza se nga cdo periudhë tjetër të rëndë historike për Shqipërinë që nga themelimi i shtetit në 1912.


Fjala në Kuvend e deputetes së Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj, 8 Shtator 2016