Do flas shkurt se nuk kam çfarë them në fakt.

Fitoi Rama, jo ai i Dibrës. Ky! Fitoi dhe fitoi me meritë. E sigurisht siç thotë Rama, për këtë e ka fajin Lul Basha. E ka fajin Basha, sepse:

Ne nxorëm një kandidat të nderuar në të gjitha aspektet, një profesionist adapt për vendin që konkurronte ndershëm. Një figurë për të cilën as ky që qelb gjithçka, nuk e sulmoi dot. Ky ju paraqiti dibranëve një kandidat të kapur prej veshi që në fillim.

Votën për Sherefedinin ne e kërkuam me Petrit Baren, Besnik Mystafajn e Bujar Kapexhiun. Ti, me Ymerin  dhe Sadriun.

Ne, dilnim t’i takonim, t’i përshëndesnim, t’u jepnim dorën dibranëve ditën, ti u dërgoje bandat e kanabisit natën në shtëpi.

Ne u flisnim për dinjitetin e burrave e grave të Dibrës, banditët e tu kërcënonin me jetë po të votonin PD.

Ne i takonim për t’u njohur me problemet e tyre e për të ofruar zgjidhje, ti çoje sekserët e mjerimit që përpilonin listat e urisë.

Të varfërve ne u premtuam dyfishim të ndihmës ekonomike, ti u hiqje edhe atë pak ndihmë që kishin.

Ne u premtonim subvencione për bujqësine e investime për kanalizime të ujit, ti u kishe marrë edhe tokën dhe ujin me bandat e kanabisit.

Ne ju thonim “nuk do të lejojmë që hidrocentralet e Damianit t’ju përmbysin toka e shtëpi”. Ti u çoje për fushatë vetë Damian Gjiknurin.

Ne kërkonim t’ju kthenim shpresën të rinjve dibranë që mos merrnin rrugët.

Ti pasi u mbylle universitetin, u thoje me mburrje si meritë e qeverisë tënde, se plotë 16 të rinj dibranë, kishin fituar universitetin.

Ne ju thamë se do të përfundojnë atë që  ne kemi nisur, Rrugën e Arbërit.

Ti ju the se ke tre vjet që nuk vjen në Dibër por ke takuar ambasadoren kineze për rrugën e dibranëve.

Ne, “i fyem” dibranët sepse u kërkuam të mos e shisnin votën për një copë bukë. Ti i mbrojte nga kjo fyerje! Jua bleve votën!

Mund të vazhdoja gjatë duke renditur gabimet tona dhe meritat e tua e të flisja për policinë e administratën, por nuk ka vlerë.

Ti fitove. Të lumtë!

Shukriun.


Fjala në Kuvend e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 15 shtator 2016