Vrasja e sotme ne Gramsh që ka motiv parcelat me kanabis, është tregues i qartë i thellimit të varfërisë, rritjes së konflikteve, dhunës dhe vrasjes, dhe i shtetit që jo vetëm bën sehir ndaj drogës, por bëhet instrument mbështetës; shembull i qartë i të cilës është ministri Tahiri sot, që e fsheh motivet e vrasjes në Gramsh.

Eshte e qarte që miliona euro që nxjerr ky biznes kriminal shkojnë në pak duar, pasurojnë vetëm kartelin e Edi Ramës, që përdoren më pas për të blerë dhe votën, për të ruajtur pushtetin e krimit, ndërkohe që vazhdon të thellojë varfërinë e shqiptarëve.

Kryeministri i vendit, në vend që të luftojë kanabisin dhe trafikantët e tij, tallet, siç bëri mbrëmë në studion e emisionit Studio e Hapur, në News24, duke konfiskuar një degë kanabisi.

Kryeministri i vendit, tallet, ndërkohe që kjo është realisht drama më e madhe qe po kalon vendi.

Drame që dje gjeti rrugën dhe tregoi degën e hashashit në studion televizive, pasi ky biznes kriminal ka mbuluar vendin.

Drame që sot shënon viktimen e radhës në Gramsh, sepse është e qartë, droga pasuron një grusht të vogël kriminelësh dhe pushtetarësh, ndërkohe që vret dhe që varfëron qytetarët dhe shkatërron shoqërinë.

Eshtë koha që shqiptarët të bashkohen e ta shpëtojnë vendin nga ky rrënim.

Shqipëria nuk meriton drogë, nuk meriton të sundohet nga karteli i Edi Ramës.


Deklarata për mediat e deputetit Gert Bogdani, 21 Shtator 2016