Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë lançoi nismën ‘Një axhendë për gratë’ për të nxitur miratimin e ligjeve që ndihmojnë në përmirësimin e statusit të gruas në zonat e varfëra ndërkufitare.
Kryetarja e forumit politik të gruas në Partinë Demokratike, deputetja Albana Vokshi e deklaroi këtë levizje në Shishtavec të Kukësit bashkë me deputetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe me Sekretaren e Përgjithshme të forumit të Gruas së Partive Popullore Europiane, Hillie van de Streek.
“Ky takim rajonal në Kukës me pjesëmarrjen e kolegeve nga Kosova pason forumet e LDGSHsë për të nxitur një lëvizje të re në Shqipëri: ” një axhendë për gratë” në të gjitha zonat ndërkufitare. Të jemi krah njëra – tjetrës për të kapërcyer sfidat e mëdha në politikat vendimmarrëse dhe për të detyruar qeveritë e vendeve tona të rrespektojnë të drejtat ekonomike dhe politike të grave. Shqipëria sot është në një kaos të identitetit shtetëror, të shkaktuar qëllimisht për interesa korruptive. Ndërsa ia arriti të zbatojë ligjet e varfërisë, duke burgosur njerëz për drita dhe bukë, Rilindja ka projektuar një plan të rrezikshëm për të mbajtur pushtetin: Dhunë, prostitucion dhe drogë ! Kukësi është rajoni më i varfër në Shqipëri me numrin më të lartë të papunësisë. Qeveria nuk jep fonde për Bashkitë që i ka humbur me votë ! Ky diskriminim politik po shkatërron ekonomitë familjare dhe po varfëron më shumë gruan.Fëmijët tanë po detyrohen të emigrojnë dhe ne si nëna duhet të ndalim këtë shpërthim dhune që shtyn të madh e të vogël të braktisë vendin. Në një botim historik flitet edhe për “gurin e lotit”, I njohur ndryshe edhe si Guri i Mëngjesit, vendi që shërbente për përcjelljen në kurbet të djemve nga Shishtaveci. ” tha ajo.
Kryetarja e Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetja Lirije Kajtazi vlerësoi rëndësinë e aleancave të grave në zonat ndërkufitare dhe u angazhua për një lobim rajonal.
Sekretarja e Përgjithshme e Forumit të Gruas së Partive Popullore Europiane, Hillie van de Streek kritikoi qëndrimin e qeverisë së Tiranës për diskriminimin ne fonde te Bashkive të Djathta.
“Gratë janë një kapital shumë i rëndësishëm njerëzor, baza e familjes. Mbështetur edhe në përvojën e gruas në PPE, ne duam qe politikanet te marrin vendime më të mira për zhvillimin ekonomik dhe politika më të mira për gratë. Sjellja diskriminuese e qeverisë së Tiranës i pengon hapat përparues në këtë zonë. Dhe kjo situatë na vë para përgjegjësisë për të ndalur këtë politikë të papërgjegjshme dhe për këtë duhet kontributi i forumeve tuaja si në Kosovë dhe në Shqipëri” tha ajo.
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu ngriti shqetësimin e mungesës së tregjeve për prodhimet bujqësore të Shishtavecit dhe zonës së Gorës.
‘Duhet të jemi konkret në mbështetjen e projekteve për të ndihmuar zonat e varfera. Kjo eshte nje zone qe prodhon patate, 1400 lartesia mbi nivelin e detit, duhet te aktivizohen qe te kene nje plan konkret. Kemi nevoje per nje lobim konkret per te dale nga kriza dhe per te hapur tregjet e punes me stimulimin e bizneseve te vogla edhe ne fushen e Bujqesise.Ne kemi ulur taksat për të nxitur edhe sipërmarrjen e grave.
Edhe Deputetja e Qarkut Kukës, Mimoza Hajdarmataj shprehu shqetësimin për diskriminimin e zonave të veriut nga qeveria, duke thelluar varfërinë dhe rënduar gjendjen e grave dhe vajzave.
Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë në 25 vjetorin e krijimit të saj ka celur debatin publik për statusin e gruas shqiptare në raport me zbatimin e të Drejtave Themelore për përfaqësim në politikë, vendimmarrje, fuqizimin ekonomik dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 30 shtator 2016