Në këtë  takim presidenti Thaçi i shprehu mirënjohjen zotit Basha për kontributet e padiskutueshme në mbështetje të Kosovës në të gjitha momentet e rëndësishme dhe jetike të saj.

Zoti Thaçi në mënyrë të veçantë shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për zotin Basha për kontributin e tij në realizimin e projektit madhor “Rrugës së Kombit” e cila ka bashkuar shqiptarët, e ka bërë Kosovën partnerin kryesorë për eksporte, si dhe u ka dhënë mundësi mbi 1 milionë shqiptarëve të Kosovës të pushojnë çdo verë në Shqipëri duke sjellë të ardhura në turizëm.
Duke bërë një paraqitje të sfidave me të cilat përballet sot Kosova,  presidenti Thaçi shprehu besimin se si në të shkuarën ashtu dhe sot në opozitë por sidomos nesër në qeverisje do të ketë mbështetjen e PD dhe personalisht të kryetarit Basha, në përmbushjen e këtyre sfidave.
Bashkëbiseduesit ndanë në vecanti domosdoshmërinë për më shumë mbështetje dhe aktivizim të përqendruar të diplomacisë shqiptare në ndihmë të Kosovës, në procesin e njohjeve nga vende që ende se kanë bërë atë dhe sidomos të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Zoti Basha i uroi mirëseardhjen në  Tiranë Presidentit Thaci duke vlerësuar të gjithë aktivitetin e tij si drejtues i luftës çlirimtare, kryetar i opozitës dhe kryeministër gjatë tranzicionit  dhe ngritjes së shtetit të Kosovës, dhe sot si kreu I shtetit sovran të Kosovës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi për PD në çdo kohë e në çdo pozitë është çështje identitare mbështetja dhe ndjeshmëria ndaj Kosovës. Ai e garantoi presidentin Thaçi se ndihma e mbështetja për Kosovën është e do të jetë e plotë dhe e parezervuar në çdo fushë, pa rënë në pozita paternaliste, në mbështetje reale dhe jo në zëvendësim të rolit të  institucioneve të Kosovës. Në këtë kuadër është e domosdoshme  të kemi qëndrime parimore dhe jo inferioriet në raportet me Serbinë, duke nxitur zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe duke kërkuar zgjidhjen e të gjitha cështjeve të tjera përmes dialogut Kosovë Serbi mbi baza reciprociteti.
Zoti Basha shprehu shqetësimin për një aktivizim të jo të mjaftueshëm të  diplomacisë së Tiranës në raport me nevojat e Kosovës, në fushën e aktivitetit diplomatik dhe theksoi se PD do të angazhohet për të nxitur rritjen e energjive dhe në qartësimin e sjelljeve diplomatike në raport me Kosovën e proceset ndërkombëtare që ajo përballet.
Një vend të veçantë në takim zuri dhe situata në Luginën e Preshevës, zoti Basha duke shprehur shqetësim mbi situatën e përkeqësuar të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, theksoi se është detyrim i dy shteteve tona, Shqipërisë e Kosovës, të japin të gjithë mbështetjen e duhur me vepra dhe jo me fjalë dhe të ndihmojnë në përmbudhjen e nevojave  dhe kërkesave legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.​


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 4 tetor 2016