Prerja barbare e portokalleve sjell revoltë në Elbasan: Qytetarët nuk janë pyetur
Partia Demokratike në Elbasan ka protestuar dje për masakrën që po bën Qazim Sejdini në një prej rrugëve historike, duke prere barbarisht portokallet që ishin simbol i qytetit.
Kryetari i PD-së së Elbasanit, Aurel Bylykbashi së bashku me qytetarë e të rinj, denoncuan këtë akt të rëndë të Qazim Sejdinit që ka sjellë revoltë në Elbasan, ku banoret nuk janë pyetur e nuk janë konslutuar për një vendim të tillë.
“Jemi këtu për të bërë denoncimin e radhës për masakrën e radhës së kryebashkiakut Qazim Sejdini. Qazim Sejdini do tëmbahet mend si kryebashkiaku i Elbasanit, në kohën e të cilit, qytetarët nuk u pyetën asnjëherë, si në rastin e kësaj rruge këtu, e cila mbahet mend nga qytetarët elbasanas si “rruga e Portokalleve”. Kryebashkiaku Sejdini do të mbahet mend si njeriu që erdhi në atë karrige duke blerë, vjedhur, deformuar e dhunuar qytetarët e Elbasanit, votën e lirë, mediat e lira. Kryebashkiaku Sejdini do të mbahet mend si njeriu në kohën e të cilit, qyteti i Elbasanit u kthye në një Palermo të viteve 80”, tha Bylykbashi.
Kreu i PD-së së Elbasanit shtoi se ky akt barbar është edhe i paligjshëm gjithashtu.
“Në dijeninë time mund të ketë një vendim të Këshillit bashkiak për rikonstruksionin e rrugës dhe vendimet i merr shumica. Por nuk ka tekstualisht një vendim i cili të bëjë fjalë për prerjen e këtyre pemëve që janë pjesë e historisë së qytetit tone”, pohoi Bylykbashi.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 6 tetor 2016