Kryetarja e LDGSH ndan shqetësimin e pushtimit të vendit nga droga që po prek edhe gratë e fëmijët

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, deputetja Albana Vokshi deklaroi në Kongresin e Forumit të Grave Popullore Europiane se Shqipëria rrezikon të kthehet në një “Kolumbi” në Ballkan për shkak të lidhjeve të qeverisë me prodhuesit dhe trafikantët e drogës.

Zonja Vokshi deklaroi se Partia Demokratike dhe LDGSH kanë nisur takimet me qytetarët për të denoncuar lidhjet e qeverisë me krimin dhe për të mos lejuar pushtimin e Shqipërisë nga trafikantët e drogës dhe mafia e plehrave. Ajo kërkoi ndihmën e Forumit të Grave Popullore Europiane për të lobuar me kancelaritë perëndimore për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo situatë kritike që rrezikon edhe procesin e integrimit ne BE.

Zonja Vokshi shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të vrasjeve për shkak të konflikteve për parcelat e drogës si dhe rritjen e përdorimit nga ana e fëmijëve e të rinjve. Trafikantët po shfrytëzojnë të rinjtë dhe familjet e varfra për të mbjellë kanabis duke sjellë edhe rënien e sektorëve të tjerë prodhues të ekonomisë (bujqësia, fasonët etj) . Ndërsa në raportet sekrete ka të dhëna se rryshfeti për drogën shkon deri në qeveri. Edhe në mediat më prestigjioze po shkruhet se qeveria e Tiranës po e përdor drogën për të mbajtur pushtetin, tha deputetja Vokshi në takimin e europarlamentareve dhe përfaqësueseseve të qeverive të djathta europiane.

Gjatë fjalës së saj, Vokshi theksoi shqetësimin për thellimin e varfërisë te gratë dhe të rinjtë. Referuar raporteve të Bankës Botërore, gjysma e popullsisë jeton në minimimin jetik, me më pak se 500 lek në ditë, pasi korrupsioni është i përhapur në cdo qelizë të qeverisjes.

“Shqiptarët kanë frikë të flasin nga varfëria dhe po shfrytëzohen për punë të rënda dhe të paligjshme bashkë me fëmijët e tyre dhe gratë e pambrojtura. Papunësia është rritur ndjeshëm tek gratë (në rajone të caktuara edhe 50 – 70%); politikat qeveritare i mbyllën dyert e universiteteve mijëra vajzave që investuan për 12 vjet për tu arsimuar. Pa punë, pa akses në arsim e shëndetësi, pa shpresë, e vetmja mundësi për shumë gra dhe vajza mbetet azilimi.  Vokshi falenderoi qeveritë e vendeve Europiane që mikpritën familjet shqiptare që emigruan nga varfëria dhe papunësia.

Censurimi i medias, përndjekja e gazetarëve që hiqen nga puna për denoncimet që i bëjnë korrupsionit dhe krimit shtetëror ishte një tjetër shqetësim që znj. Vokshi ndau me pjesëmarrëset në takim.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 8 tetor 2016