Mbrëmë Opinion bëri të mundur transmetimin e emisionit “Publicus”, një investigim mediatik që Erjon Veliaj e kishte bllokuar.
Dhe mbrëmë u kuptua fare qartë pse Erjon Veliaj bëri cdo përpjekje për ndalimin e këtij emisioni.
Investigimi mediatik nxori qartë aferën e madhe korruptive e kriminale të Sharrës dhe përgjegjësinë direkte të Erjon Veliajt në vdekjen e Arditit.
Investigimi zbuloi firmën e Erjon Veliajt në kontratën me kompaninë 3R, e kryetarit socialist të Peqinit, që edhe sot e kësaj dite merret në mbrojtje nga Edi Rama e nuk i dorëzohet drejtësisë.
Mbrëmë shqiptarët panë se në kantierin e Veliajt nuk zbatohej asnjë ligj, nuk respektohej asnjë kriter sigurie, nuk paguheshin siguracionet.
Panë kushtet mizerabël të punës ku kishte humbur jetën para Arditit edhe një grua, një lajm i mbajtur i fshehur deri tani.
Të rinj, të mitur, burra e gra shfrytëzoheshin në këtë landfill, ndërkohë që Erjon Veliaj kishte premtuar punë të sigurtë me thirrjen publike që u bëri qytetarëve.
Publikimi i emisionit të censuruar nga Erjon Veliaj është një lajm i mirë që tregon se ka ende garanci në vend për lirinë e shprehjes, megjithë shtypjen kriminale që pushteti u bën mediave herë me kërcënime e herë me joshje.
Transmetimi mbrëmë është një thirrje e fortë për Prokurorinë e Tiranës, që të mos dremisë mbi këtë dosje, por të cojë hetimin përpara e të bëjë drejtësi për jetët e humbura në këtë aferë korrupsioni e krimit të Erjon Veliajt.
Deklaratë e Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, 13 tetor 2016