Prononcimi për mediat i kryetarit të opozitës, Lulzim Basha
“Qeveria Rama 2 ka fshirë nga programi çdo premtim që u dha shqiptarëve. 220 mijë vendet e punës kanë avulluar, paga minimale 300 mijë lekë ka avulluar rritja e pensioneve dhe shpërblimet kanë avulluar. Kështu që nkur tallet me gjakpirjen e shqiptarëve ta dijë se gjakpirja nuk është një metaforë; Rama 1 u ka marrë shqiptarëve 1,5 miliardë dollarë sipas shifrave zyrtare të institucioneve publike, para që janë abuzuar shpërdoruar dhe vjedhur.
Ta nisë duke i kthyer këtë gjak të vjedhur shqiptarëve, 1,5 miliardë dollarë të zhvatura nga Rama 1 dhe ministrat e tij që janë prapë anëtarë të Rama 2.
Për shqiptarët çdo ditë që kalon bëhet më e qartë se asgjë nuk ka ndryshuar. Gjërat do të shkojnë keq e më keq sa kohë që vendi të qeveriset nga Edi Rama me një kabinet fasadë, që është bërë si agjenci ekskursionesh. Dhe prapa kësaj fasade do të vazhdojë vjedhja e shqiptarëve, do të vazhdojë gjakpirja, do të thellohet papunësia, shëndetësia në kolaps, arsimi në ditën më të zezë. Ndaj detyra jonë kryesore është të mobilizojmë të gjitha forcat tona brenda dhe jashtë asaj salle, jo vetëm me demokratët por me gjithë shqiptarët e ndershëm.
Të tjerat janë çështje që na takojnë si Parti Demokratike, i diskutojmë brenda Partisë Demokratike, sigurisht me transparencë maksimale para medias dhe qytetarëve. Por në asnjë mënyrë nuk duhet të heqim vëmendjen nga kjo që po ndodh, nga kjo e keqe e madhe që po vazhdon të thellohet ku asgjë nuk ka ndryshuar. Një gjë është e sigurtë, Partia Demokratike nuk ka rrugë pas, por vetëm rrugë përpara, për t’u bashkuar me qytetarët, për t’u ofruar më të mirën dhe kjo kalon përmes një debati të hapur dhe transparent, por po kështu të vërtetë dhe që i shkon për shtat interesave të qytetarëve dhe jo interesave individuale të askujt, as të miat individuale, dhe të askujt tjetër”.