Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dëgjoi dhe bashkëbisedoi me drejtues të strukturave të PD në Librazhd dhe Përrenjas.  Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në një realitet ku shtetin e ka marrë në dorë krimi dhe trafikantët, ishte në qendër të takimeve.  Në kohën kur  s’ka mbajtur asnjë premtim,  ku papunësia është shtuar, varfëria është rritur përballja e ndershme me qytetarët do të ishte fatale për qeverinë dhe Edi Ramën, tha zoti Basha duke shtuar se e vetmja shpresë e Edi Ramës është krimi i bërë njësh me pushtetin.

“Gjithçka që po ndodh, krimi, droga, tenderat që vidhen, gjithçka është në funksion të kapjes së zgjedhjeve të ardhshme. Ne duhet të garantojmë proces të lirë zgjedhor.  A ka proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor  me Edi Ramën kryeministër? A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën Kryeministër, me Saimir Tahirin  ministër të Brendshëm? Me dy persona që e kanë lidhur ekzistencën e tyre politike me krimin dhe drogën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse ata e kanë lidhur veten e tyre me krimin dhe drogën pikërisht për të prishur zgjedhjet, pikërisht sepse kanë frikë nga vota e qytetarëve.”

Situata e rëndë ekonomike ishte kryefjala e bashkëbisedimit në Përrenjas. Papunësia e lartë, pamundësia për të mbyllur muajin, për të siguruar ngrohjen për dimrin që po troket, mungesa e subvencioneve dhe investimeve në bujqësi ishin disa nga shqetësimet e shprehura në këtë takim.  Që prej ditës së parë që është ulur në karrigen e kryeministrit, tha Basha, Edi Rama u ka shërbyer vetëm kriminelëve, duke lënë në mëshirë të fatit qytetarët.

“Qytetarët e Shqipërisë e dinë shumë mirë përse kemi ardhur në këtë gjendje. E dinë që Edi Rama i ka braktisur që ditën që mori pushtetin. Që prej ditës së parë që është ulur në atë karrige mirënjohjen s’e ka me qytetarët, e ka me kriminelët që e bënë Kryeministër dhe i bëri deputetë, që e mbështesin dhe i bëri kryetarë bashkish, drejtor të mëdhenj. Ai ju ndihet borxhli atyre dhe paktin e ka të lidhur me ta. Paratë e tenderave i ndan me ta, drogën që ka mbuluar Përrenjasin dhe gjithë Shqipërinë e ka me ta. Droga është produkt i kriminalizimit të administratës dhe të dyja bashkë janë pjesë e planit të Edi Ramës për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin”.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 19 Tetor 2016