Partia Demokratike ka nisur sot përpjekjen e saj për reformimin e sistemit politik në vend. Shqipëria nuk mund dhe nuk do të ndryshojë pa ndryshuar politika. Politika është burimi i të gjithë të këqijave në vend, ndaj reforma politike është përparësia kryesore. Shqipëria meriton dhe duhet të ketë demokraci të vërtetë, meriton dhe duhet të ketë një qeveri që u shërben njerëzve, meriton dhe duhet të ketë luftë pa kompromis kundër drogës, krimit dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Ndaj hapi i parë për reformën politike, është reforma zgjedhore, e cila do të bëjë të mundur dhënien fund një herë e përgjithmonë, historisë së manipulimit dhe shkatërrimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Sa kohë që qeveria nuk vjen nga vota e ndershme e qytetarëve, por vjen nga paratë e drogës, nga dhuna e kriminelëve, nga interesat e oligarkëve, ajo nuk do t’i shërbejë njerëzve, por do t’i shërbejë këtyre grupeve. Për këtë arsye ne e shohim këtë si një proces i cili nuk u takon vetëm partive politike, nuk i takon vetëm Kuvendit, por i takon të gjithë qytetarëve. Ndaj, jemi të vendosur që në nisje të këtij procesi, të angazhojmë të gjithë qytetarët, shoqërinë civile, botën akademike, të gjitha grupet e interesit, në kuptimin më të mirë të fjalës, për të dhënë kontributin e tyre. Sikundër jemi të vendosur që kjo reformë as mos te ndalet, as mos të bëhet sa për sy e faqe, vetëm nga partitë politike në vend, por të bëhet vetëm pasi të ketë konsultime dhe konsensusin më të gjerë shoqëror. Ne jemi të hapur për modelin, por duhet të plotësojë sipas Partisë Demokratike, tre kushte: E para, të ofrojë votimin dhe numërimin elektronik, e dyta, të ulë rolin e kryetarëve dhe partive politike dhe e treta, t’u japë më shumë pushtet qytetarëve për të vendosur mënyrën e përfaqësimit të tyre në Parlament dhe në të gjitha organet e tjera vendimmarrëse.
Pyetje: Z. Basha, keni një propozim konkret për llojin e sistemit zgjedhor?
Siç ju thashë, jemi të hapur për çdo model që ofron këto tre kushte. Votimin dhe numërimin elektronik, uljen e rolit të kryetarëve dhe partive politike në proçes dhe që u jep më shumë pushtet qytetarëve për të vendosur për përpafqësuesit e tyre.
Pyetje: Çfarë qëndrimi do të keni për votën e emigrantëve? Është një prej kërkesave të Partisë Socialiste.
Basha: Vota emigrantëve është një kërkesë fillestare e Partisë Demokratike dhe ne nuk do ta lejojmë të kthehet në një fasadë, siç janë kthyer shumë kauza në fasadë nga qeveria, nga Edi Rama për të mbuluar dramën e madhe që kjo qeveri nuk iu ofroi shqiptarëve votën e lirë, as për banorët këtu në Shqipëri, jo për për qytetarët që jetojnë jashtë vendit. Prandaj reforma zgjedhore, përfshi votimin elektronik dhe numërimin elektronik është një hap i domosdoshëm që do të garantojë edhe objektivin tonë, që është garantimi i votës për të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë.
Pyetje. Z.Basha cilësimi i marrëveshjes si e vdekur, ndërkohë që duke patur parasysh edhe një ndër pikat e saj është edhe reforma zgjedhore.
Basha: T’i themi gjërat siç janë. kjo qeveri nuk do të ishte qeveri pa paratë e drogës, pa dhunën e kriminelëve, pa paratë e korrupsionit që u derdhën për të blerë votën. Në këtë kuptim marrëveshja e 18 majit u vra nga Edi Rama përmes zgjedhjeve të 25 qershorit. Objekti i vetëm i marrëveshjes ishin zgjedhjet e lira e të ndershme. Zgjedhjet ishin gjithçka përveçse të lira e të ndershme. Se cili do të jetë qëndrimi i Edi Ramës këtë do ta shikojmë. E kaluara jo fort e largët, e para dy muajve tregoi se është rreshtuar në anën e atyre që në vend që të respektojnë vullnetin e ndershëm të qytetarëve e blen, e manipulon e dhunon. Ndaj ne nisimi në këtë betejë duke patur Edi Ramën përballë dhe jo në krah. Kjo jo për fantazinë tonë, as për dëshirën tonë për të krijuar konflikt në mënyrë të panevojshme por sepse Edi Rama u rreshtua edhe kësaj radhe sikundër në 2015-ën, sikundër edhe në zgjedhjet e pjesshme të Dibrës në anën e atyre që ua mohojnë vullnetin qytetarëve përmes angazhimit të parave të pista, dhunës kriminale dhe interesave të tjera që nuk përfaqëosjnë interesat qytetareve. Ndaj ne e llogarisim Edi Ramën në këtë përpjekje jo si aleat për reformimin e sistemit politik, por si vetë problemin.
Prandaj jemi të vendosur që këtë përpjekej ta bëjmë jo thjeshtë të izoluar në Kuvend, jo vetëm me demokratët opozitarë, por me gjithë qytetarët shqiptarë që e kanë kuptuar tashmë që gjendja e vendit është produkt i drejtpërdrejtë së gjendjes së politikës. Pa reformuar politikën, pa ndryshuar politikën nuk do të ketë ndryshim të Shqipërisë.
Pyetje: A do të inicioni tryeza me të tillë aktorë, siç thoni, për të thithur mendimin?
Basha: Patjetër! Ky është vetëm fillimi i procesit, patjetër që ne do t’i japim formë këtij vendimi, këtij qëndrimit tonë. Reforma zgjedhore si pikënisja e reformës poltikës i takon të gjithë qytetarëve.
Pyetje: Keni një koment për fotografinë e Enver Hoxhës në Pezë?
Basha: Kjo është një sëmundje e përsëritur të cilës nuk mund t’i jepet ilaçi me propozime fasadë. Ndaj ne kemi kërkuar ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Do të kërkojmë konkretisht ndihmën e partnerëvë gjermanë. Do të propozojmë shumë shpejt në Kuvend një projekt-ligj për ndalimin dhe kriminalizimin e përdorimit të simboleve të komunizmit sipas ligjit që përdor Gjermania për simbolet e nazizmit.