Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dorëzoi sot në Kuvend një kërkesë për thirrje urgjente të Konferencës së Kryetarëve pas pengimit seancave dëgjimore në dy Komisione Parlamentare.
Komisioni i Shëndetësisë dhe Komisioni i Mediave dhe Edukimit u penguan sot nga deputetët e maxhorancës për të zhvilluar dy seanca dëgjimore, përkatësisht me gazetaren Alida Tota mbi censurën në media duke i kushtuar asaj largimin nga detyra si drejtore Informacioni pranë një televizioni si dhe seanca dëgjimore me ministrin e Shëndetësisë.
Grupi Parlamentar i PD kërkon marrjen e masave nga Kuvendi për cënimin e së drejtës kushtetuese të opozitës dhe Komisioneve Parlamentare në përmbushjen e detyrës së tyre.
Pengimi i qëllimshëm i realizimit të seancave dëgjimore në Komisionet Parlamentare është një precedent i rrezikshëm kundër demokracisë parlamentare në Shqipëri ndaj Partia Demokratike do të kërkojë në Konferencën e Kryetarëve që ky veprim të mos përsëritet në të ardhmen.
Bashkëngjitur kërkesa e dorëzuar sot në Kuvendin e Shqipërisë.
Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 26 Tetor 2016