Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me fermerë të Gruemirës në Malësi të Madhe. Fermerët, të cilët merren kryesisht me kultivimin e sherebelës, thanë se prej tre vitesh nuk kanë marrë asnjë lek subvencionim. Vendin e sherebelës e ka zënë hashashi, thonë fermerët, sipas të cilëve çmimi  i kulturave bujqësore sa vjen e ulet duke mos mbuluar as kostot. Propozimi i kryeministrit për të marrë kredi është tallje, thanë fermerët, pasi sipas tyre është e pamundur të paguajnë këstet mujore.

Banor: Një fermer, a më kupton ti, që mjel një lopë te shpija po të mos shkojë të paguajë 60 mijë lekë të marrë një numër NIPT-i, s’mundet me ua shit baxhove qumështin. Vijnë e subvencionohen tre vetë që kanë mbledh sherebelën e tanë Malësisë së Madhe, e marrin  150 mijë  dollarë  e nuk jepet asnjë lek një fermeri. Inshalla kena Zotin me veti e ja then qafën një herë e përgjithmonë!

Banor: Tri vjet tuj na rrejt në tana format; do uli energjinë elektrike, nga ana tjetër e çon 25 lekë/kilovat energjisë elektrike.

Banor: S’kena as tokë, as nuk mund të mbajmë lopë. Puna është mbyll komplet. Me ça të jetojmë na? Shkoj me marrë një certifikatë, unë s’kam tokë, e  më thotë: “Ke me pagu 5 mijë lekë/dynym”.

Basha: A keni takat ju me marrë kredi? Me çfarë do ta lani ju interesin e kredisë, në kushtet kur bujqësia jo vetëm është në vend numëro por po bën hapa mbrapa?! Është zgjidhje kredia pasi e ke rrënuar tre vjet fshatin ? S’ke bërë asnjë investim, asnjë kilometër rrugë, asnjë metër rrugë nuk ke shtru. A ishte ky që thoshte : “Do të shtroj rrugët në çdo parcelë”. Ndërkohë që një metër rrugë rurale nuk e ka shtruar. A ishte ky që thoshte do të sjellë ujin, do të bëjë vaditjen, do të bëj kullimin, një vepër nuk ka fillu. A ishte ky që tha se do të shumëfishonte subvencionet për fermerët, me buxhet i ka përgjysmuar dhe ai përgjysmim që ka bërë me buxhet edhe ai nuk vjen tek fermerët, se e marrin një grusht njerëzish për grumbullim.

Zgjidhja për fshatin, zgjidhja për fermat, zgjidhja për fermerët është subvencioni. Nuk ka zgjidhje tjetër, se përndryshe nuk e bënte Europa.

Subvencionet në vitin tonë të parë do të jetë 100 milionë euro dhe nuk do të shkojnë tek grumbulluesit, do të shkojë drejtpërdrejtë tek fermeri, pa NIPT, pa burokraci. E vetmja gjë që do të matet do të jetë është prodhimi, kaq prodhim ke kaq subvencion meriton, do të marrësh subvencionin.”

Në dëgjimin dhe bashkëbisedimin me drejtues të strukturave të PD në Malësi të Madhe, zoti Basha përcolli mesazhin e bashkimit. “Në qoftë se dikush mungon dhe i thotë vetes demokrat, që është gati për të ndarë kontributin e tij apo të saj, është detyra jonë ta thërrasim e ti themi që të kemi pritur. E djeshmja është e djeshmja, ajo çfarë ka rëndësi është e sotmja dhe e nesërmja. Në këtë betejë nuk mund, nuk duhet e nuk do të mungojë asnjë demokrat, asnjë burrë apo grua që kërkon largimin e Edi Ramës, ata do të jenë pjesë e kësaj familje, ata do të gjejnë hapësirën e tyre në këtë familje. Askush nuk duhet të ndihet as i paragjykuar, as i mënjanuar, as i përjashtuar”.

Përgjigje ndaj thirrjes së kreut të demokratëve erdhi menjëherë nga salla.

Ramadan Lika: Unë nuk dhashë kontributin tim në zgjedhjet e vitit 2015 për kreun e Bashkisë dhe për këtë sot u kërkoj ndjesë të gjithëve.  Unë jam i gatshëm që sot të japë kontributin tim të pastër. Do të bashkëpunojmë fuqishëm, bashkë me ju derë më derë për të arritur atë fitore që realisht e presin të gjithë.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 28 Tetor 2016