Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot Bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Andrej Hunko dhe z. Joseph O’Reilly.

Basha ndau me  reporterët e Këshillit të Europës shqetësimin për drogën, krimin, korrupsionin, shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, lirisë së medias  dhe  mungesën e vullnetit të qeverisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Zoti Basha theksoi se kanabizimi i vendit me shpejtësi të madhe është pasojë e marrëveshjes së Kryeministrit me segmentet kriminale, që çoi edhe në kriminalizimin e parlamentit dhe administratës. Përhapja dramatike e sipërfaqeve të mbjella me kanabis u vërtetua nga vëzhgimet ajrore dhe nga tonelatat e kanabisit të kapura në Itali dhe Greqi, është bërë tashmë temë e mediave prestigjioze ndërkombëtare dhe shqetësim për sigurinë e vendeve të BE-së.

Grupet e organizuara kriminale që veprojnë me mbrojtje të segmenteve të caktuara të policisë dhe që kanë lidhje me politikanë të lartë, përfshirë ministrin e Brendshëm, zotërojnë qindra miliona euro dhe rrjetë të sofistikuar. Kjo përbën kërcënim për sigurinë e vendit por edhe më gjerë, sepse bashkëpunimi i këtyre organizatave me terrorizmin ndërkombëtar kërcënon sigurine e rajonit dhe te vendeve europiabe.

Basha, ‎theksoi se lidhja e krimit me politikën, paraja  e siguruar nga trafiqet, krimi dhe korrupsioni po shkatërrojnë procesin politik në Shqipëri. Në zgjedhjet e 2015-ës e më pas në ato të Dibrës, Edi Rama tregoi qartë se paratë e drogës dhe rrjetet kriminale do të përdoren për të blerë votat në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa krimi do blejë pushtet politik.

Kjo përbën‎ rrezikun më të madh për zgjedhjet e ardhshme. Rama ka bllokuar zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe shembull janë Rroshi, Bushi, Prenga e dhjetëra drejtues tre posteve kyçe në administratë dhe polici. Nëse nuk zbatohet ligji i dekriminalizimit dhe nuk ndërmerren veprime energjike, nën presion ndërkombëtar, për ndalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është e pamundur që vitin e ardhshëm të zhvillohen zgjedhje.

Në mënyrë të qëllimshme, Rama ka vonuar dhe bërë të pamundur reformën zgjedhore tashmë që pas një muaji fillojnë përgatitjet zgjedhore. Në këto kushte, standardet e zgjedhjeve demokratike dhe legjitimiteti i zgjedhjeve do cenohen rëndë.

Basha iu përgjigj interesimit të dy raporterëve në lidhje me lirinë e medias. Presioni i vazhdueshëm i Edi Ramës ka bërë që  hapësira mediatike për aferat korruptive, presionet kriminale dhe situatën e rëndë ekonomike të ketë pak ose aspak hapësirë. Rast flagrant është heqja nga puna e gazetares Alida Tota dhe mbyllja e emisionit  investigativ “Publicus” sepse po hidhnin dritë mbi përgjegjësitë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për vdekjen e 17- vjeçarit, Ardit Gjoklaj.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 29 Tetor 2016