Pyetje: Z. Basha, çfarë vendimesh u morën në grup?
Basha: Në grup kemi diskutuar me shqetësim të thellë për situatën në Shkozë. Eshtë një sjellje jo prej qeverie, por prej pushtuesi, ku 153 familje të cilave u ishte premtuar gjatë fushatës nga kjo forcë politike dhe ky kryeministër, legalizim dhe shpronësim, me vlerë sipas tregut, sot ju shemben shtëpitë dhe nxirren në mes të katër rrugëve. Edhe një familje do të ishte dramë. Janë 153 familje dhe ky është treguesi më i qartë se; çfarë ishte, çfarë është dhe çfarë do të jetë qeveria e Edi Ramës.
Ndërkohë që mbahet ky qëndrim për 153 familje, për qindra qytetarë shqiptarë nga fëmijët të vegjël e deri tek të moshuarit, i keni parë vetë, tjetër qëndrim mbahet për bandat, pasuria e të cilave, qarkullimi i të cilave është i garantuar edhe kur godasin makinat e policies, siç ndodhi në Elbasan. Pse? Sepse këto banda në Elbasan, siç e dinë të gjithë banorët e Elbasanit, ishin në krah të Edi Ramës për zgjedhjet e 25 Qershorit. Dhe ky është thelbi i problemit. Një qeveri e cila nuk ka ardhur me votën e qytetarëve, nuk është përgjegjëse para qytetarëve. Një qeveri që ka ardhur me lekët e pista të krimit nuk e godet krimin, por e mbron atë edhe kur krimi godet policinë.
Ndaj, kemi diskutuar përsëri në detaje për hapin e parë që duhet hedhur për shembjen e këtij sistemi të kalbur politik, të këtij karteli politiko–kriminal, ky hap, janë zgjedhjet.
Po nuk u rregullua çështja e zgjedhjeve në Shqipëri, do të vazhdojmë të kemi qeveri që vijnë në pushtet me paratë e krimit dhe të drogës dhe i bëjnë Amin kriminelëve, bandave, ndërkohë që godasin qytetarët. Pse?
Sepse nuk e kanë të lidhur fatin e tyre me qytetarët.
Reforma zgjedhore është urgjencë absolute. Duke filluar që nga kjo javë, ne do të nisim konsultimet politike për t’i shtrirë ato pastaj edhe në rrafshin e konsultimeve me qytetarët, me intelektualët, me grupet e interesit. Brenda javës do të nisë konsultimi me aleatët opozitarë të Partisë Demokratike, si dhe do të eksplorojmë qëndrime të përbashkëta, me çdo forcë tjetër politike që është në opozitë me qeverinë e ardhur në aleancë me krimin dhe që sot i bën temena krimit dhe godet qytetarët.
Pyetje: Z.Basha, por kryeministri Rama dje tha që reforma zgjedhore duhe të bëhet sipas marrëveshjes së 18 majit. Ju, nga ana tjetër, thoni që kjo marrëveshje ka vdekur praktikisht?
Basha: Ky është cirk, ky nuk është thelbi. Ai do të pretendojë se ka marrëveshje. S’ka marrëveshje për një arsye të thjeshtë, se marrëveshjen e shkeli. Marrëveshja çfarë kishte në thelb? Votën e lirë. Çfarë bëri më 25 qershor? Bleu, dhunoi votën e shqiptarëve. Kjo i jep fund marrëveshjes. Ndaj ky është një cirk dhe unë ju ftoj të mos harxhoni shumë kohë me cirkun.
Qëndrimi im dhe i Partisë Demorkatike për marrëveshjen e 18 majit është shprehur qartësisht në seancën e parë në Parlament. Kush vazhdon të merret me “e lagu, s’e lagu”, nuk bën gjë tjetër, nuk i shërben interesit publik, por i shërben tymnajës që Edi Rama do të krijojë.
Thelbi është: marrëveshja vdiq sepse Edi Rama shkeli thelbin e marrëveshjes, bleu vota sa deshi, angazhoi kriminelët sa deshi. Këto janë faktet, këto i di unë, i dini ju, i di edhe Edi Rama.
Prandaj le të merremi me thelbin. Reforma zgjedhore është domosdoshmëri për vendin; dhënia fund e manipulimit dhe shkatërrimit të zgjedhjeve, dhënia fund shit-blerjes së votës; dhënia fund e rolit të kriminelëve të cilët janë ata që na caktojnë qeveritë, prandaj sillen qeveritë si kriminelë me shqiptarët dhe sillen si aleatë me krimin. Ky është prioriteti. Dhe në këtë rrafsh përtej deklaratave dhe qëndrimeve tona që i japin zë mllefit dhe dëshpërimit popullor, ne po lëvizim edhe në planin e zgjidhjeve, duke ofruar nisjen e reformës zgjedhore si domosdoshmëri. Do apo nuk do Edi Rama.
Tani të mendosh se Edi Rama do reformë zgjedhore, se do të luftojë shit-blerjen e votës, se e do votimin elektronik kjo është një gënjeshtër e pastër. Sepse është falë shit-blerjes së votës dhe manipulimit, që Edi Rama është sot akoma kryeministër.
Votimi elektronik është përparësi absolute. Dhe është vetëm përmes votimit elektronik që ne do të mundësojmë edhe objektivin tonë të shpallur prej vitesh, votimin e emigrantëve shqiptarë, që është përparësi absolute për Partinë Demokratike.
Pyetje: Po lidhur me fraksionet në Partinë Demokratike, dje ka pasur….
Basha: Partia Demokratike ka qenë dhe është e hapur dhe do të jetë edhe më e hapur. Unë do të bëj gjithçka që gjithkush që do të kontribuojë, të gjejë vetën e tij apo të saj në çdo formë apo mënyrë përfaqësimi, nga forumet më të larta, tek aktiviteti i anëtarëve të Partisë Demokratike.