Sot pata një takim shumë të frytshëm me përfaqësues të medias; gazetarë, analistë, opinionistë; opinionbërës nga fusha të ndryshme të shoqërisë civile, në veçanti të organizatave të shoqërisë civile; por edhe të artit, të shëndetësisë, të sportit, të kulturës, të arsimit që kanë të bëjnë me tre problemet kryesore që ishin në qendër të diskutimit tonë; krimi, droga dhe kjo në lidhje me zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Gjatë këtij takimi të gjatë, prej më shumë se katër orësh, më shumë dëgjova sugjerime, opinione, kërkesa rreth  këtyre problematikave  të cilat nuk i përkasin vetëm Partisë Demokratike, por janë tre problematikat më të mëdha me të cilat përballet sot Shqipëria dhe shqiptarët.

Nga ky takim dal edhe më i inkurajuar, edhe më i vendosur për të ndërtuar së bashku me shqiptarët, me pjesën e shëndoshë, të ndershme të shoqërisë shqiptare që është pjesa dërrmuese e shqiptarëve, një aleancë sa më të madhe, një aleancë sa më solide për të siguruar luftën kundër krimit, mposhtjen e fenomenit kanceroz të kthimit të Shqipërisë në një hambar droge dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sepse ky nuk është vetëm interesi i Partisë Demokratike por  interes i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, si interesi kombëtar në këtë emergjencë kombëtare.

Këto procese konsultimi, reflektimi të cilat kanë nisur prej kohësh, do të vazhdojnë dhe do të konkludojnë, sa më takon mua dhe Partisë Demokratike, me formulimin e një aksioni politik opozitar për të cilin do t’u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve të luajnë rolin e tyre, secili sipas përgjegjësive të tyre, me opozitën dhe Partinë Demokratike në përgjegjësinë e saj.


Prononcim i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas konsultimit të zhvilluar me personalitete të shquara të medias, kulturës, artit, sportit, shëndetesisë dhe arsimit, 4 Nentor 2016