Partia Demokratike me mbeshtetjen e CDU-së së Kancelares Angela Merkel përfundoi programin e zhvillimit ekonomik për 7 fusha,  ekonomi tregu, financa publike, arsim, energjetikë,  infrastrukturë,  zhvillim rural dhe teknologji informacioni. 

  • Më pak shtet arbitrar dhe arrogant dhe më shumë liri për individin.

 

  • Programi qeverisës i PD, realist, konkret, i matshëm dhe i bëshëm.

 

  • Tatimet dhe taksat e qeverisë tonë do të përbëjnë gjithmonë pjesën më të vogël të kostos së qytetarëve dhe të sipërmarrjeve dhe do të kthehen tërësisht në shërbim të tyre. Që do të thotë: taksa të ulëta; taksë e sheshtë 9 për qind, TVSH 15 për qind, taksa të ulëta, më pak taksa. Dhe asnjë shpenzim që nuk shkon tërësisht në shërbim të taksapaguesit.

 

 

Dua ta nis me një falënderim të madh për të gjithë ekipin që ka punuar për më shumë se një vit tashmë për alternativën ekonomike të Partisë Demokratike. Për alternativën që do të siguroj rritje ekonomike, zhvillim ekonomik përmes taksave të ulëta, përmes shpenzimeve qeveritare, jo për luks, as për fasada por për investime që përmirësojnë jetën e qytetarëve, që përmirësojnë rritjen ekonomike; që sjellin më shumë punë dhe punë me paga më të mira.

Pak më parë në takimin final me ekspertët e pranishëm sot këtu, diskutuam paradoksin në dukje të parashtrimit të platformës ekonomike të opozitës në një kohë kur në Shqipëri janë rrezikuar dhe kërcënohen shtyllat themelore të stabilitetit dhe demokracisë.

Gjendja aktuale e vendit është e paprecedentë dhe kjo për shkak të situatës së krimit, të drogës, si parathënie të rënies së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme- një çështje të cilën unë së bashku me Partinë Demokratike, me aleatët tanë, me koalicionin opozitar dhe me një aleancë gjithmonë e më të gjerë qytetarësh e kemi në qendër të vëmendjes.

Por dua të garantoj çdo qytetar shqiptar se ndërsa kjo sfidë jetike, demokracia, pra zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dekriminalizimi, lufta kundër krimit dhe drogës mbetet në qendër të betejës dhe të aksionit tonë opozitar, ne po kështu marrim përgjegjësitë tona si opozitë dhe si alternativa për nesër, për t’iu shpalosur shqiptarëve, jo thjesht dhe vetëm denoncimet me fakte, argumenta, shifra, emra dhe mbiemra, institucionale dhe ligjore, jo vetëm thjesht indinjatën dhe përgjegjësit për këtë çështje, por po kështu dhe rrugët e daljes.

Rrugët e daljes kalojnë patjetër nga një model i ri politik në radhë të parë, i një demokracie funksionale në duart e qytetarit shqiptar dhe jo në duart e një mekanizmi të kalbur të politikës në Tiranë që e ka përdorur dhe po e përdor vetëm për pasurimin e vet dhe të një grushti njerëzish, me ose pa rekorde kriminale.

Shembja e këtij establishmenti  të korruptuar dhe kriminal është hapi i parë që duhet hedhur. Instalimi i një modeli politik, ku pushtetin ta kenë qytetarët dhe institucionet e ndërtuara nga qytetarët me përgjegjësinë e votës. Eshtë A-ja pa të cilët nuk mund të themi as B  dhe as C.

Por dua të ndaj sot me shqiptarët lajmin e mirë se opozita po përfundon procesin e hartimit të një alternative të plotë e të gjithanshme e cila përbën rrugëzgjidhjen, rrugëdaljet për shumë nga problemet e përditshme; siç është papunësia, varfëria, shkaqet kryesore por jo të vetme për dëshpërimin, për eksodin masiv, për zbrazjen e Shqipërisë; siç është gjendja dramatike e arsimit, e shëndetësisë, e bujqësisë, e pensionistëve, e shtresave në nevojë, e kështu me radhë.

Në thelb qeverisja, përtej rendit dhe sigurisë, nuk është gjë tjetër veçse rishpërndarje e të ardhurave, sa taksa mbledhim dhe si i shpenzojmë ato.

Sa herë që kjo punë bëhet keq e mos më keq, përballemi me  pallavra, me retorikë, por në thelb gjithçka bëhet e qartë nga shifrat e buxhetetit. Sa të ardhura mbledh qeveria? Çfarë sistemi fiskal ka? Sa janë taksat dhe si i shpenzon ato?

Prioritetet e qeverisë apo mungesa e tyre janë të skalitura në buxhete, në ato të planifikuara dhe ato të realizuara.

Prioritetet tona që ne i kemi shpalosur, i kemi konsultuar e po i konsultojmë me qytetarët, kanë qenë subjekt i një inspektimi të hollësishëm dhe një diskutimi që zgjat prej më shumë se një viti me ekspertë të njohur ndërkombëtarë, europiane dhe amerikanë.

Sonte kam një falënderim të veçantë për  Unionin Kristian Demokratë Gjerman, të udhëhequr nga Kancelarja Merkel, për Fondacionin Konrad Adenauer, të cilët na janë gjendur pranë në këtë proces, përmes ofrimit të ekspertizës më të mirë ekonomike, makro-ekonomike, fiskale.

Dua të falënderoj Walter Glos, drejtorin rezident të Konrad Adenauer në Tiranë, që ndodhet edhe sonte në krahun tim dhe në krahun e Partisë Demokratike.

Dhe dua t’i uroj mirëseardhjen edhe para publikut shqiptar dy ekspertëve më në zë të Konrad Adenauer dhe  Unionit Kristian Demokrat gjerman, z. Mathias Hübscher dhe Matthias Schäfer.

Ekspertë të ekonomisë dhe financave që gjatë muajit të fundit kanë qënë pjesë e diskutimeve me ekipin tonë për programin e Partisë Demokratike dhe gjatë dy ditëve të fundit, me këtë ekip që shikoni këtu në sallë dhe të tjerë që nuk ndodhen këtu në sallë, kanë diskutuar në detaje për projekt-programin, për alternativën e Partisë Demokratike.

Kam marrë komente shumë pozitive nga diskutimet e bëra me ekspertët tanë, dhe të dy ekspertët e lartë gjermanë janë shprehur me optimizëm për ofertën tonë programore, për alternativën tonë.

Projekti i programit tonë i përgjigjet sfidave me të cilat përballet Shqipëria, përmes parimeve më të mira të Partive të Qendrës së Djathtë Europiane, e në veçanti të CDU të drejtuar me sukses nga Kancelarja Merkel.

Ne ndamë të njëjtin qëndrim dhe orientim me ekspertët gjermanë se duhet të rikthejmë besimin tek politika si instrument ndryshimi për jetën e qytetarëve, besimin tek institucionet e demokracisë, besimin tek liria, besimin tek nisma e lirë, si domosdoshmëri për të rikthyer rritjen e fuqishme ekonomike, si i vetmi gjenerues i mirëqenies, punësimit dhe zhvillimit.

Për kthimin e besimit është folur gjatë me ekspertët tanë, kemi folur gjatë së bashku. Dhe unë vlerësoj në radhë të parë këshillën më kryesore të miqve tanë, të dy ekspertëve: jo premtime boshe, jo shumë e për lumë, e të rrejshme ashtu siç bëri dhe vazhdon çdo ditë qeveria aktuale. Ndaj, angazhimet tona programore janë vetëm realiste, konkrete, të matshme dhe të bëshme.

Kemi diskutuar dhe punuar prej muajsh intensivisht, mes nesh, me grupet e interesit, me qytetarët anembanë Shqipërisë dhe së fundmi edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti këto ditë me partnerët tanë gjermanë, për të hartuar një program të zhvillimit ekonomik që është pjesë e një programi terësor, që përcakton mënyrën dhe mjetet, burimet financiare sesi do të arrihen objektivat tanë, dhe se si do të mbajmë angazhimet që marrim përpara qytetarëve.

Ky është rasti për të theksuar se ne besojmë tek modeli i ekonomisë së tregut me një komponent të fuqishëm social, zbatuar me sukses në Gjermani nga partnerët tanë politikë nën drejtimin e Kancelares Merkel dhe po adoptojmë në programin tonë elementë të këtij koncepti, të arsyeshëm për realitetin shqiptar.

Për ne, tregu i lirë me një komponent të fuqishëm social është më shumë sesa një model ekonomik; përfaqëson një model organizimi të shoqërisë, pra një rend shoqëror ku krijohet hapësira për të zhvilluar shpirtin krijues, krijohet hapësira ku çdokush përmes lirisë që ofron ky model të mund të shfrytëzojë për përfitimin e tij dhe të familjes së tij në maksimum aftësitë dhe mundësitë që i jepen dhe ku dinjiteti njerëzor prevalon mbi ndërhyrjen dhe arrogancën, arbitraritetin e shtetit. Më shumë liri, më pak shtet. Më pak shtet arbitrar dhe arrogant dhe më shumë liri për individin.

Nga liria, sigurisht e lidhur me përgjegjësinë merr forcë ky model i ekonomisë së tregut me një komponent të fuqishëm social dhe shtyllat e tij janë: konkurrenca dhe solidariteti.

Këtu në këtë model, njerëzit e kanë të mundur të jetojnë të pavarur dhe po të pavarur të marrin vendime dhe të zgjedhin mënyrën dhe rrugët për suksesin e tyre, për përfitimin e mjeteve të jetesës për vete, për familjen e tyre dhe për të tjerët  që kanë nën përgjegjësinë e tyre.

Ky model i lirisë, po kështu nënkupton një qeverisje të përgjegjshme e cila iu mundëson shtetasve të saj konkurrencë të hapur dhe të ndershme në bazë të shtetit ligjor; pa monopole, një shtet anti-monopolist, një shtet në terma ekonomikë, shpall armiqësinë totale me monopol të hapur apo të fshehur. Po kështu një shtet që siguron akses të lirë në sipërmarrje private, mundësinë që çdo qytetar të kyçet drejtpërsëdrejti apo si i punësuar në sipërmarrjen private, që mbron dhe zhvillon lirinë kontraktuale, që eliminon barrierat administrative dhe i mbron qytetarët nga barrierat administrative, sigurinë e pronës dhe sigurinë e jetës.

Partia Demokratike ka besuar prej ditës së saj të parë tek shpirti sipërmarrës i njeriut në liri si forca më e madhe lëvizëze në shoqëri. E ky është rasti të ripohojmë këtë besim bazë që na mbledh së bashku, ne besojmë tek shqiptarët, tek të rinjtë, tek të rejat, tek burrat dhe gratë në qytet dhe në fshat. Ne besojmë tek përgjegjësia e tyre për të marrë përsipër me lirinë e plotë vendimet që iu takojnë për të zhvilluar ekonominë personale, familjare dhe komunitare dhe për të marrë përsipër edhe rrisqet bashkëshoqëruese.

Që këto sipërmarrje të iniciativës së lirë të jenë të suksesshme është e domosdoshme zgjerimi i hapësirës së lirisë me një kuadër ligjor sa më të thjeshtë, zbatuar me ndershmëri dhe pa diskriminim, pa diferencim, midis nënës dhe njerkës, midis demokratëve dhe socialistëve, me infrastrukturë moderne, me akses në rrjetet e informacionit, me energji elektrike, hidrokarbure, të garantuar dhe të lirë, mundësi për arsim cilësor për të gjithë të lidhur me punësimin, sipërmarrjen dhe tregun.

Për ne kjo arrihet përmes një shteti të vogël dhe efikas, jo të madh dhe zullumqar, shërbëtor të qytetarëve dhe të sipërmarrjes, jo padronë të çdo frymori në Shqipëri. Në këtë kuptim paratë kanë më shumë vlerë nëse investohen me kurajo dhe krijimtari nga njerëzit e lirë, sesa nëse mblidhen me lopatë nga një shtet zullumqar, jo transparent dhe vetë shërbyes. Sepse në fund të fundit janë njerëzit ata që krijojnë punësim, ofrojnë shërbime, sjellin zhvillim, sjellin mirëqenie.

Ndaj, tatimet dhe taksat e qeverisë tonë do të përbëjnë gjithmonë pjesën më të vogël të kostos së qytetarëve dhe të sipërmarrjeve dhe do të kthehen tërësisht në shërbim të tyre. Që do të thotë: taksa të ulëta; taksë e sheshtë 9 për qind, TVSH 15 për qind, taksa të ulëta, më pak taksa. Dhe asnjë shpenzim që nuk shkon tërësisht në shërbim të taksapaguesit: buzëkuq, fasada, makina luksi, orendi, zyra, shpenzime marramendëse për udhëtime, dieta pa fund, etj, etj; abuzime që sot i kushtojnë çdo vit buxhetit të shtetit 100 -130 milionë dollarë e barabartë me 50 mijë vende pune me rrogë minimale 300 mijë lekë në muaj, për një vit. 300 mijë lekë në muaj për 12 muaj, 50 mijë shqiptarë mund të paguheshin me paratë e shpenzuara kot nga kjo qeveri.

Në këtë mënyrë taksat dhe tatimet nuk kthehen në një barrë, në një mallkim, në një kosto por në një investim të qytetarëve për veten e tyre dhe shteti ka detyrën që këtë investim ta shumëfishojë në shërbim të qytetarëve.

Këto janë parimet më të mira të CDU-së. Këto janë dhe parimet që udhëheqin edhe programin tonë. Dua të falënderoj nga zemra edhe një herë ekspertët e CDU-së dhe të Fondacionit Konrad Adenauer për punën e bërë me ne, dhe për vazhdimin e saj deri në përfundimin e këtij projekti së shpejti.

Matthias Schafer- Drejtues i politikave ekonomike te Conrad Adenauer:

Schafer:  Programi i PD i përshtatshëm për të zgjidhur problemet që frenojnë rritjen ekonomike

Schafer: Program i PD, rikthen besimin

Schafer: Programi i PD, jo premtime boshe por realiste

Schafer: Skemë taksimi që ndihmon sipermarrjen, garanton rritje ekonomike, vënde të reja pune

Schafer: Taksa të thjeshta dhe transparente

I dashur Kryetar Basha,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Kanë qenë dy ditë shumë intensive, nga njëra anë sepse sfidat para të cilave qëndron shoqëria dhe ekonomia shqiptare, janë të mëdha, por nga ana tjetër gjithashtu, dhe kjo është një gjë që dua ta them që në fillim para se të kaloj tek disa pika të programit ekonomik, mua më bindi shumë serioziteti me të cilin ne shkëmbyem ide me njëri-tjetrin, me ekspertët e Partisë Demokratike. Folëm për problemet e situatës ekonomike, por gjithashtu edhe për pikat konceptuale për t’i zgjidhur këto probleme në programin e zgjedhjeve të ardhshme. Ishte një përgatitje e shkëlqyer dhe ne shumë shpejt arritëm që të hynim në një diskutim shumë të saktë, shumë serioz dhe për këtë sigurisht nga ana ime dhe nga ana e kolegut Matias Hubscheru ju falenderoj shumë.

Ludvig Erhard, Ministri i Ekonomisë, i cili ka qenë në kohën e kancelarit Adenauher dhe njëri nga etërit e Fondit Ekonomik, ka thënë gjithmonë, 50 përqind, gjysma e një suksesi ekonomik, është besimi dhe psikologjia. Kështu që besoj se këto janë dy pika shumë të rëndësishme të cilat na ndihmojën për të ecur dhe për të mos e humbur fillin e diskutimit, dhe sipas këtyre pikave ne u orientuam në diskutimet tona. Pra si mund ta krijojmë besimin e shqiptarëve, besimin tek institucionet, tek politika, tek përfaqësuesit e tyre, të cilët në fund të fundit janë aty për të sjellë ndryshim ekonomik dhe besoj se me këtë program dhe me shumë pika të tij, ne kemi mundësinë që ju në Shqipëri t’u ofroni qytetarëve një përgjigje të sinqertë dhe të realizueshme se si do ta ringrini në këmbë ekonominë shqiptare. Pra kjo është pika e dytë e rëndësishme, pra rritja. Është një pikë shumë e rëndësishme që u përmend edhe në fjalën e kryetarit. Njerëzve nuk duhet t’u bëhet premtime boshe, por duhet t’u ofrojmë prespektiva realiste, duhet të kemi guximin të vendosim prioritete, për t’i çuar gjërat përpara, ato që janë të rëndësishme. Edhe në këtë pikë sërish një citat të Ludvig Erhard i cili që herët në historinë e Republikës Federale Gjermane, ka thënë: Ne nuk bëjmë dot magji në politikë, por ajo që mund të bëjmë është që të punojmë fort. Pra, duhet të punojmë në politikë dhe në ekonomi. Ne duhet të krijojmë kuadër me të cilin mund të punohet për të mirën e gjithësecilit dhe të gjithë shoqërisë. Kjo është idea jonë. Një ekonomi tregu, sociale e cila është e lidhur me shumë punë, me sfida, me besim, dhe pikërisht këto janë bazat e rritjes ekonomike. Tani do të kaloj në programin konkret, për të cilin folëm këtu në diskutim të hapur, dhe ne sollëm idetë tona të cilat ndërthureshin me përvojën e ekspertëve shqiptarë. Nga këndvështrimi im, ky program është i përshtatshëm për të zgjidhur shumë probleme që frenojnë rritjen ekonomike në Shqipëri dhe për të sjellë një kurs më të shpejt dhe më të fuqishëm rritjeje në këtë vend. Thelbësore është situata e infrastrukturës publike. Çfarë prioritetesh vendosen këtu? Si mund të zhvillohet infrastruktura, e cila në thelb u jep njerëzve mundësinë që të përdorin potencialet e tyre. Që të përfshihen me idetë e tyre në dinamikën ekonomike dhe të mos jetë të varur nga ato që u jep shteti, por që të marrin vetë situatën dhe përgjegjësitë e tyre në dorë. Dhe për të qëndruar sërish në këmbë. Pikërisht në këtë drejtim, infrastruktura, ndërtimi i rrugëve, i aeroporteve etj, vazhdon me infrastrukturën në fushën e arsimit, të gjitha këto janë ato pika kyçe të cilat mbështesin procesin e rritjes me qëllim që qytetarët të bëhen sërish të pavarur dhe të veprojnë. Një pikë e rëndësishme gjithashtu është edhe arsimi. Ne arritëm në përfundimin që është shumë e rëndësishme që të rritet cilësia në fushën e arsimit dhe pritshmëritë e njerëzve nga fusha e arsimit, me qëllim që njerëzit ta gjejnë veten në një zhvillim dinamik dhe ti vënë thekset pikërisht aty ku duhet. Sa më herët që fëmijët të bëhen e të ndjehen pjesë e sistemit të arsimit, infrastrukturës, aq më të mira janë perspektivat për të realizuar një rregull ekonomik dhe një program ekonomik i cili mbështetet nga një dinamikë e sektorit privat, e jo thjesht nga shteti. Sepse në fund të fundit shteti është sipërmarrësi më i keq i mundshëm. Pra duhet që të  mbështetet iniciativa private, reformat dhe ndryshimet në sistemin e taksave janë gjithashtu të rëndësishme. Duhet krijuar bindja që të kemi një sistem taksash të thjeshtë, transparent me qëllim që të ardhurat e njerëzve të mbeten po tek ta. Kemi zhvilluar disa propozime në fushën e taksave të cilat duhet të kontribuojnë për të mbështetur dinamikën sipërmarrëse. Kjo është një përvojë të cilën e kemi bërë në Gjermani dhe kjo çon në rritjen e vendeve të punës, në rritjen e mirëqenies. Këto janë disa ide në fushën e politikave të taksave për të njohur rritje në ekonominë shqiptare. Nëprmjet rritjes ekonomike mund të krijohen vende të reja pune, duke krijuar bazat e barazisë sociale, pasi dua të theksoj se përzierja e rendit të lirisë ekonomike e kombinuar me një ekuilibër social përbëjnë baza të rëndësishme edhe për ata persona të cilët kanë vështirësi apo e kanë më të vështirë që të jenë pjesë e ekonomisë së lirë të tregut. Pra, duhet të lidhin si përgjegjësinë individuale për sipërmarrjen ekonomike si edhe përgjegjësinë sociale për shtrasat më të dobëta në mënyrë që mos përmirësohet vetëm ekonomia shqiptare por edhe shoqëria shqiptare. Pasi nuk flasim vetëm për rendin ekonomik, por edhe për rendin shoqëror, për atë rend shoqëror për të cilin ne duam të jetojmë. Në këtë kuptim dëshiroj që për dy ditët e fundit të shpreh falenderimet dhe vlerësimet për të gjitha çështjet që kemi biseduar. Besoj se të gjitha potencialet e këtij vendi janë të tilla që ju mund të ofroni impulse që këto potenciale të mund të shfrytëzohen në të ardhmen akoma më mirë dhe shumë më mirë seç ka ndodhur në periudhën e fundit. Ju falenderoj që kishim mundësi të ishim pjesë e këtij procesi dhe ju uroj shumë suksese.

Walter Glos, Drejtor i zyrës së Konrad Adenauer për Shqipërinë 

I dashur z. Basha,

Arsyeja përse jemi këtu sot në krahun tuaj është e thjeshtë, Partia Kristian Demokrate e Gjermanisë, Partia Demokratike e Shqipërisë janë që të dyja anëtare të familjes europiane të Partive Popullore dhe në këtë kuptim ne si fondacion politik që ndodhemi pranë Partisë Kristian Demokrat të Germanisë, jemi një partner i cili mbështet në Shqipëri Partinë Demokratike. Unë besoj se jo vetëm ajo çka kemi diskutuar gjatë këtyre dy ditëve të fundit me njëri tjetrin por hartuar dhe rënë dakort, bashkëpunimi në fusha të ndryshme partiake, mund ti vëmë re ndërkohë, sigurisht që nuk përfundon këtu, por do të vazhdojmë edhe më tej. Lulzim ndoshta kur jemi ulur këtu në mjediset e Partisë Demokratike përpara disa muajsh dhe kemi folur për çështje të ndryshme, një prej pikave ka qenë programi i politikave ekonomike të Partisë Demokratike dhe kur kemi biseduar se në ç’masë do të ishte e mundur mbështetja nëpërmjet ekspertëve të CDU-së apo Fondacionit Konrad Adenauer, ne e pritëm mendjehapur dhe me shumë dëshirë këtë kërkesë tuajën dhe u përpoqëm që të bënim më të mirën për t;ju mbështeur. Nëse mendoj ditët e shkuara, unë vetë që ndodhem në Shqipëri prej 10 muajsh, në këtë vend të mrekullueshëm, mund të them se gjatë këtyre dy ditëve kam mësuar vërtetë shumë rreth ngjarjeve që kanë ndodhur përsa i përket fushës së arsimit, të shëndetësisë, të infrastrukturës, bujqësisë. Është një shkëmbim gjatë këtyre dy ditëve të fundit, të cilat do të më ndihmojnë mua  dhe Fonacionin për punën e mëtejshme. Kur shikoj dhe mënyrën shumë intensive me të cilën PD është angazhuar përgjatë këtyre ditëve, besoj se kjo ka lehtësuar punën e eskpretëve tanë dhe kontributin e tyre ndaj dëshiroj të falenderoj përfaqësuesit dhe bashkëpunëtorët e PD por edhe eksprtët. Bashkëpunimi ynë do të vazhdoj edhe më tej dhe uroj që të vazhdojmë të mbështesim këtë proces. Sfidat ndodhen përpara nesh dhe janë të tilla, që të finalizohen në program ekonomik, e cila do të shërbejë edhe për fushatën elektorale dhe jam i sigurt se do të kemi një program shumë të mirë ekonomik, në mënyrë që popullsia e Shqipërisë të ketë një qartësi se cila do të jetë rruga ekonomike e PD për procesin e zhvillimit ekonomik. Do të keni mbështetjen e Fondacionit tonë.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 5 nëntor 2016