Opozita ka votuar pro dhe mbështet procesin e integrimit në Bashkimit Europian të Shqipërisë.
Prononcim i deputetit Aldo Bumcit për NEWS 24
Pyetje: Jeni një ndër 5 deputetët e PD-së që keni votuar kundër rekomandimit të hapjes së negociatave për Integrimin e Shqipërisë?
Gënjeshtër që mund ta prodhojë vetëm Taulant Balla. Është një takim ku thelbi nuk është deklarata por diskutimet. Axhenda vendoset nga Bashkimi Europian. BE-ja kërkonte që ne të informonim për zgjedhjet, reformën në drejtësi, zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, luftën kundër krimit, drogës dhe korrupsionit. Këto ishin temat që kishin vendosur BE-ja, që priste informacion nga ne dhe kjo është detyra jonë si deputetë të opozitës, që të përcjellim këndvështrimin tonë dhe informacionin tonë.
Në këtë takim nuk ka vendimmarrje. Ky është një takim diskutimi, informimi. Shqetësimet tona i ndau edhe Fleckenstein, që është reporteri për Parlamentin Europian që mbulon Shqipërinë, z.Kukan dhe deputetë të tjerë të cilët folën për problemet me zgjedhjet, për problemet me moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit ku keta dy deputet kanë qënë ndërmjetës dhe garant të parlamentit Europian dhe për ceshtjen e kultivimit te droges.
Ky është thelbi i këtij takimi. Në 13 vite ky takim ka vetëm, një deklaratë të përbashkët, quhet deklaratë e përbashkët sepse të dy palët shumica, edhe opozita duhet të bien dakord për këtë deklaratë.
Pyetje: A është opozita pro hapjes së negociatave?
I vetmi paragraf që kishte konsensusin e të gjithë palëve qeveri dhe opozitë ishte paragrafi i parë që thotë shprehimisht, e thotë shumë qartë: Mbështesim integrimin e Shqipërisë kur të plotësohen kushtet në fusha kryesore dhe këto të jenë të pakthyeshme; mbështesim hapjen e negociatave në atë fazë ku implementimi i reformave të jetë i besueshëm dhe hapja e negociatave do të jetë një nxitje për shtyrjen më tej të reformave.
Pyetje: Cilat janë kushtet që duhen plotësuar?
Kushtet që duhen plotësuar nuk i vendos opozita shqiptare. Kjo është një lojë që do të bëjë Partia Socialiste dhe më vjen keq që z.Balla gënjeu dhe nuk tha të vërtetën. Kushtet i vendos Bashkimi Europian.
Nuk ka votuar njeri kundër rekomandimit, nuk ka patur asnjë votë për të vendosur për rekomandimin këtu dhe nuk është diskutuar, a jeni ju pro rekomandimit kjo pyetje nuk është shtruar dhe nuk ka qenë kurrë e shkruajtur. Dhe unë ju thashë që kemi votuar pra “pro”, ke amendamentin e parë që është i votuar nga të gjithë ne.
Por mosplotësimi i kushteve: zgjedhje të lira dhe të ndershme, moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit, mungesa e luftës ndaj krimit dhe drogës. Këto janë çështje që kanë shqetësuar europarlamentarët edhe Bashkimin Europian. Plotësimi i këtyre kushteve hap negociatat.
Pyetje: A nuk do të ishte mirë të hapeshin negociatat dhe paralelisht të zbatoheshin dhe kushtet?
Nuk vendos kushte opozita, nuk merr vendime opozita, ky është një manipulim që po bën Partia Socialiste, nuk është ky një komision që merr një vendim është një komision që informohet, diskutohet, dëgjohet zëri i qytetarëve shqiptarë dhe të atyre që kanë ardhur në Europë për të kërkuar azil dhe që nuk po jetojnë dot në këtë Shqipëri sepse po të ishte bërë Shqipëria si Europa nuk do të largoheshin.
Pra, ky është një komitet që nuk merr vendime dhe është mashtrim i hapur të thuash që opozita votoi kundër.
Thelbi i çështjes është: kushtet i vendos Bashkimi Europian dhe Bashkimi Europian në bashkëpunim me komisionin dhe Komisioni Europian nesër do të dalë me propozimin, ky propozim do ti nënshtrohet vendimeve të vendeve anëtare, Gjermanisë dhe vendeve të tjera, në Këshillin e Ministrave dhe janë ata që do të vendosin për Shqipërinë; hapjen e negociatave, hapjen me kushte dhe etapa të mëtejshme.
Por kjo lidhjet me plotësimin e kushteve dhe jo me opozitën shqiptare. Për shkak se është qeveria më e dështuar, më e korruptuar, më e kriminalizuar do të fshihet sikur opozita kundërshton. Nuk e ka kundërshtuar opozita, absolutisht, opozita mbështet procesin e integrimit në Bashkimit Europian të Shqipërisë.
Pyetje: Kur mendoni se duhen çelur negociatat?
Unë besoj se negociatat duhen çelur, e para kur kjo qeveri të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kur të luftojë drogën. Kjo Shqipëri me këtë përhapje të frikshme të drogës dhe mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme po shkon drejt një krize dhe ky është një problem i madh me të cilin ne po ballafaqohemi prej tetë muajsh.
Pyetje: Pra ju thoni pas 2017-ës?
Vendimin nuk e marr unë, vendimin e merr Bashkimi Europian.
Zgjedhjet janë kushti i parë që BE-ja i ka vënë çdo vendi anëtar. Dhe kjo përmasë e frikshme që ka marrë fenomeni i drogës me ndikime në shoqëri, ekonomi dhe në zgjedhje është alarmuese. Por vendimin do ta marrë BE-ja dhe Këshilli i Ministrave. Ky ishte një takim që ne kemi informuar mbi çështje që ka kërkuar BE-ja dhe çështjet janë shumë të qarta; çështjet janë krimi, zgjedhjet dhe dekriminalizimi.
Pyetje: Pse u nda vota juaj nga zonja Bregu?
Nuk ka patur asnjë ndarje vote ndërmjet nesh dhe znj.Bregu. Zonja Bregu ka votuar të gjitha propozimet e Partisë Demokratike, pra çfarë propozimet bëmë ne që shumica i rrëzoi më votë dhe unë ju thash që nuk ka pasur kurrë votë në 13 vite, ka pasur konsensus. Zonja Bregu votoi pro propozimeve tona, ndërsa votoi “pro” propozimeve tona kjo është shumë e qartë se nuk ka ndarë votë.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 8 nëntor 2016