• Rekomandimi për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është një lajm i shkëlqyeshëm për Shqipërinë dhe për gjithë shqiptarët.
  • Reformat e thella që ne ndërmorëm hodhën gurët e themelit dhe ndërtuan konturet e këtij procesi përmes asociimit të Shqipërisë dhe përmbushjes së gjithë detyrimeve për marrjen e statusit kandidat.
  • Rruga që kemi përpara është e vështirë, sfida të mëdha dhe të menjëhershme na presin, mbi të gjitha zgjedhjet e ardhshme dhe prerja e lidhjes së politikës me krimin
  • PD, partia e interesit kombëtar, partia e integrimit europian të vendit do të jetë po kështu partia që do të hapë negociatat me Bashkimin Europian, dhe përmes bashkimit të të gjithë shqiptarëve që duan një qeveri të kontrolluar nga qytetarët dhe jo nga krimi, që duan një qeveri të pastruar nga korrupsioni, çka mund të kaloj vetëm përmes një drejtësie vërtetë të pavarur dhe jo të kapur nga qeveria, ne do t’ia dalim.

 

Konferenca e plotë për mediat e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha

 

Të dashur bashkëqytetarë,

Të nderuar përfaqësues të medias,

Rekomandimi për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është një lajm i shkëlqyeshëm për Shqipërinë dhe për gjithë shqiptarët.

Urojmë dhe shpresojmë që ky rekomandim të kthehet sa më parë në një vendim të Këshillit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë. Kjo është një fitore në radhë të parë e qytetarëve shqiptarë që kanë besuar dhe besojnë tek e ardhmja europiane e vendit, që kanë luftuar dhe luftojnë për të ardhmen europiane të vendit.

Hapja e negociatave do të jetë fillimi i një rruge të gjatë, të vështirë por të sigurt dhe të pakthyeshme të përparimit të vendit tonë.

Sot ka një dritë shprese për të gjithë shqiptarët që e duan Shqipërinë si gjithë Europa. Në çerekshekullin e kaluar Shqipëria ka njohur probleme të mëdha, kriza të rrezikshme shoqërore dhe politike dhe si shumë shpesh ka njohur edhe dështime. Prandaj ia dedikoj këtë arritje, në radhë të parë dhe ja njoh si meritë njerëzve të thjeshtë, ka qenë forca e dëshirës së tyre dhe presioni që i kanë bërë politikës ajo që i ka detyruar politikën të ndërmarrë hapa në procesin e integrimit.

Si kryetar i Partisë Demokratike, partisë së lindur me sloganin :“Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!”, partisë që i kontribuoi këtij vendi me firmosjen e marrëveshjes së stabilizim asociimit, me dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Europian, me marrjen e rekomandimit pozitiv për statusin kandidat; si partia që bëri të mundur lëvizjen e shqiptarëve pa viza në zonën Shengen, nuk mund të mos shpreh vlerësimin më të madh për kontributin që kanë dhënë burrat dhe gratë, demokratë dhe demokrate, Partia Demokratike bashkë me gjithë shqiptarët në këtë proces.

Reformat e thella që ne ndërmorëm hodhën gurët e themelit dhe ndërtuan konturet e këtij procesi përmes asociimit të Shqipërisë dhe përmbushjes së gjithë detyrimeve për marrjen e statusit kandidat.

Natyrisht vlerësoj kontributin e gjithë kujt tjetër në këtë proces. Rruga që kemi përpara është e vështirë. Sfida të mëdha dhe të menjëhershme na presin, mbi të gjitha zgjedhjet e ardhshme dhe prerja e lidhjes së politikës me krimin, e cila ka rezultuar në një dëm të pallogaritshëm për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë, me formën e saj më akute, kanabizimin e vendit.

Partia Demokratike dhe unë jemi të vendosur të jemi në krye të këtyre përpjekjeve. Personalisht zotohem se do të bëj çdo gjë që politika të kthehet në një instrument që i shërben aspiratave të qytetarëve dhe mbi të gjitha të aspiratës së tyre europiane.

Kjo rrugë e vështirë do të kaloj doemos përmes disa sfidave me të cilat për fat të keq kryeministri sot refuzoi të përballet. Sfida numër një mbetet ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sfidë po kaq e madhe, siç u shprehën qartë komisioneri Hahn, që dëshiroj ta falënderoj bashkë me ekipin e tij dhe përfaqësuesja e Bashkimit Europian në konferencën me Kryeministrin, mbetet lufta kundër krimit, lufta kundër korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria nuk ka bërë përpara.

Ndaj dua të siguroj qytetarët shqiptarë se PD, partia e interesit kombëtar, partia e integrimit europian të vendit do të jetë po kështu partia që do të hapë negociatat me Bashkimin Europian, do të nisë këtë proces kulmues për ëndrrën tonë europiane. Dhe përmes bashkimit të të gjithë shqiptarëve që duan një qeveri të kontrolluar nga qytetarët dhe jo nga krimi, që duan një qeveri të pastruar nga korrupsioni, çka mund të kaloj vetëm përmes një drejtësie vërtetë të pavarur dhe jo të kapur nga qeveria, ne do t’ia dalim.

Pyetje: Z. Basha ju po thoni që sigurisht Partia Demokratike ka patur një rol në procesin e integrimit të Shqipërisë, por kjo që u vendos sot nga Bashkimi Europian është vlerësimi i reformave të kësaj qeverie të cilat e çuan në këtë moment. Në fakt nuk u dëgjua nga ana juaj asnjë deklaratë në lidhje me atë që është ndërmarrë gjatë kësaj kohe dhe ka çuar në këtë vendim? Bashkimi Europian nuk foli për zgjedhje të lira apo për çështje të cilat ju i keni kërkuar jo vetëm në Shqipëri por edhe në arenën ndërkombëtare siç janë zgjedhjet e lira apo krimi, sigurisht kusht ishte ligji i Vetingut dhe zbatimi i këtij ligji. Si e shihni ju këto dy momente?

Basha: Së pari, më lejoni t’ju them se PD është e vendosur të japë kontributin e saj dhe e ka provuar këtë me vepra dhe jo me fjalë. Dy reforma thelbësore, të vlerësuara nga Komisioni Europian do të ishin të pamundura pa PD, pa qëndrimin tonë të palëkundur pro europianist dhe pro vlerave të Europës. Reforma në drejtësi, konsensusi unanim për ndryshimet kushtetuese është shprehimisht vlerësuar nga Komisioni Europian si një kontribut thelbësor i opozitës shqiptare, i Partisë Demokratike.

Së dyti, ligji për dekriminalizimin, për prerjen e lidhjeve të krimit me politikën dhe politikës me krimin është vlerësuar botërisht, ndërkomëbtarisht si një hap i domosdoshëm për ecjen përpara të Shqipërisë.

Pyetja që më bëtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mund t’ua kthej ju dhe përmes jush edhe atyre që na ndjekin përmes medias: A ka shqiptarë demokratë apo socialistë, apo  të çfarëdo bindje që beson se Shqipëria mund të ecë qoftë edhe një milimetër përpara drejt bashkimit me kombet europiane në Bashkimin Europian, pa garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme?!

Më lejoni të shkoj një hap me tej. A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme pa prerë lidhjet e krimit me politikën, çka do të thotë zbatim i plotë i ligjit të dekriminalizimit?

A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme në një vend ky aktiviteti kryesor ekonomik, si volum i Prodhimit të Brendshëm Bruto është kthyer kultivimi  dhe trafikimi i drogës?

A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri që ekziston vetëm për të zhvatur buxhetin e qytetarëve shqiptarë përmes prokurimeve pa tender?

Këto janë probleme të thella dhe të mprehta që raport-progresi i Komisionit Europian i ngre qartë dhe në mënyrë të vendosur për këdo që ka sy për të lexuar dhe veshë për të dëgjuar.

Partia Demokratike ka dhënë kontributin e saj për reformën në drejtësi dhe do të vazhdojë ta japë atë. Por jo një reformë në drejtësi ku kryeministri apo ministrat e tij të siguerojnë imunitet përmes mbajtjes në sistem të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar që mbyllin dosjet e tyre apo futjes në sistem të militantëve që garantojnë mosndëshkueshëmrinë e tyre.

Ndaj është e domosdoshme të zbatohet reforma në drejtësi sipas konsensusit unanim të 22 korrikut. Partia Demokratike dhe unë qëndrojmë për këtë: Zbatimin e plotë, pa mëdyshje të Kushtetutës së 22 korrikut. Është pala tjetër e cila në dhunim të hapur të zotimeve që kishte marrë çoi në Kuvend dhe miratoi pa konsensusin e opozitës ligje që bien ndesh me Kushtetutën e 22 korrikut.

Pse e bëri këtë?! Sepse mesa duket nuk është në interesin e saj zbatimi i menjëhershëm i këtyre amendamenteve kushtetuese, të cilat ne i kemi votuar me ndërgjegje të plotë dhe kanë mbështetjen e plotë të opozitës deri në zbatimin e tyre deri në një. Këtë kërkon Bashkimi Europian, ky është një ndër kushtet që u radhit sot bashkë me lajmin e mirë që iu dha shqiptarëve dhe për këtë Bashkimi Europian, qytetarët shqiptarë, duhet ta llogarisin Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën si aleatin dhe mbështetësin numër një.

Ne nuk do të lejojmë zhbërjen e Reformës në Drejtësi. Ne nuk do të lejojmë një drejtësi të kapur nga Kryeministri. Por kemi besim të madh se përmes ndihmës së faktorit ndërkombëtar përmes mekanizmave kushtetues që vendi zotëron, do ta rikthejmë në binarët kushtetues procesin e reformës në drejtësi, dhe do të nisim pa vonesë zbatimin e kësaj reforme, si një ndër kushtet kryesore për ecjen përpara të Shqipërisë, për hapjen faktike të negociatave që është objektivi më madhor i Partisë Demokratike e që do të jetë pa dyshim arritja jonë më e parë pas marrjes së besimit të qytetarëve shqiptarë.

Pyetje: A do të bashkëpunoni me mazhorancën për reformat, pasi z.Rama sapo u shpreh skeptik për mungesën e vullnetit të opozitës duke ju konsideruar madje edhe bllokues?

Basha: Z. Rama në të kaluarën jo fort të largët, ka bërë deklarata fort të rënda të cilat janë mbajtur shënim se çfarë thotë dhe se çfarë bën. Ti thuash Policisë së Shtetit se armiku juaj kryesor nuk është krimi por është opozita, nuk është thjesht lajthitje, por është një qëndrim i qartë, jo vetëm kundër opozitës, por edhe në raport me krimin. Por, nuk jam këtu për të folur për z. Rama, sepse për z. Rama sot besoj ka një konsensus të madh shoqëror dhe politik: Largimi i tij i hap rrugë zbatimit të kushteve të Bashkimit Europian. Dhe ne do të punojmë me të gjithë qytetarët e ndershëm shqiptarë për të larguar çdo pengesë, çdo pengesë që qëndron në rrugën europiane të Shqipërisë.

Sot bëri sikur shtriu dorën e bashkëpunimit ndaj opozitës. Por edhe kur dorën e ka patur të mbledhur grusht, edhe kur gjuhën e ka patur, siç e ka të helmatisur në raport me opozitën, kjo opozitë, kjo Parti Demokratike dhe ky kryetar kanë bërë gjithçka dhe do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka për të nesërmen europiane të Shqipërisë.

Sepse kjo nuk ka të bëjë me Edi Ramën, nuk ka të bëjë me një njeri, por ka të bëjë me qindra, mijëra familje shqiptare, me fatin e miliona shqiptarëve sot dhe nesër. Ndaj, kemi qëndruar fuqishëm për vlerat themelore të Bashkimit Europian, vlerat themelore të Europës. Drejtësinë e pakapur. Një vit e gjysëm betejë për të mposhtur puçin institucional që kishte përgatitur dhe gatuar dhe ja dolëm. Tani, nuk kërkojmë asgjë më shumë dhe nuk pranojmë asgjë më pak se zbatimi në gërmë dhe në shpirt i Kushtetutës së 22 korrikut. Dekriminalizimin, nuk e kërkuam për veten tonë, por e kërkuam sepse jemi të bindur se as Bashkimi Europian, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as NATO, askush nuk mund të pranojë apo të tolerojë një vend që humb dinjitetin e tij përmes një qeverie të kontrolluar nga krimi. Dhe kjo vlen edhe për zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Nuk bëhet fjalë thjesht për kritere teknike. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme për Partinë Demokratike, për mua, jam i bindur për shumicën e një pjese dërrmuese të shqiptarëve, janë një proces i zëvendësimit të një qeverie të korruptuar dhe të kontrolluar nga krimi, me një qeveri të kontrolluar nga qytetarët shqiptarë dhe që i shërben qytetarëve shqiptarë.

Për këtë nuk duhet thjesht një ndryshim, por duhet një përmbysje totale e këtij sistemi që i ka nxjerrë qytetarët shqiptarë jashtë vendimmarrjes, që ka asgjësuar hapësirën politike të debatit dhe ku vendimmarrjet më të rëndësishme për shëndetësinë, për arsimin, për bujqësinë, për punësimin, për prokurimet, merren në zyrat e krimit. Këto janë sfida të vërteta. Ky është realiteti me të cilin përballen sot shqiptarët dhe opozita është në ballë të përpjekjes për ti dhënë shqiptarëve shpresën dhe besimin tek një e nesërme europiane.

Sot kemi këtë lajm, të mirë, i cili vjen pa dyshim si rezultat i kontributit tonë në shumë vite. Vjen gjithashtu si rezultat i të vetmes reformë ku duhej kontributi i opozitës dhe opozita e dha këtë kontribut, por që mbetet peng jo si rezultat i mosbashkëpunimit të Partisë Demokratike me qeverinë, por si rezultat i mosbashkëpunimit të qeverisë me opozitën për të luftuar krimin, për të zbatuar ligjin për dekriminalizimin, për të reflektuar dhe luftuar problemin e madh të drogës dhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Por dora ime mbetet e shtrirë për këdo që nuk ka interes të mbajë statuskuonë e qeverisë të kontrolluar nga krimi, statuskuonë e zgjedhjeve që prishin, kapen e blehen. Statuskuonë e kthimit të drogës në aktivitet kryesor ekonomik të Shqipërisë. Dhe jam i bindur se dora ime e bashkëpunimit se thirrja ime, thirrja jonë për një aleancë të gjerë, rezonon sot me shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Ka një shpresë, ka një dritë në fund të tunelit, por tuneli është i errët dhe i vështirë. Së bashku do t’ia dalim në krye.

Pyetje: Z. Basha, Komiteti i Stabilizim Asociimit më parë në Bruksel nuk ka arritur të dalë në një deklaratë të përbashkët duke qenë se pjesa më e madhe e PD-së  votuan kundër një pjese të amendamenteve të hartuara nga europarlamentarët. Mendoni sot që një pjesë e deputetëve tuaj gabuan, pasi Majlinda Bregu votoi si maxhoranca?

Basha: Më lejoni të korrigjoj informacionin që shpallët këtu. E vërteta është se në 13 mbledhjet e Komitetit të Stabilizim Asociimit ka patur vetëm një deklaratë ku opozita e drejtuar nga unë ka dhënë konsensusin. Në 12 raste të tjera, ky komitet nuk ka arritur kurrë në një deklaratë dhe kjo nuk ka të bëjë me qëndrimet e europarlamentarëve, po ka të bëjë dhe ka pasur të bëjë me mosrakordimin politik mes mazhorancës dhe opozitës, edhe kur kemi qenë ne në qeveri, edhe sot kur qeveria është kjo që është.

Dita e djeshme ka qenë ora kur opozita duhej të vendoste, midis të vërtetës dhe gënjeshtrës. Të pranonte një deklaratë ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dekriminalizimi, korrupsioni dhe problemi i drogës zeroheshin, apo ti ngrinte këto probleme, këto sfida me qëllim që së bashku me të gjithë faktorët e interesuar kombëtarë dhe ndëkrombëtarë të bëjmë ç ‘është e mundur për zgjidhjen e  tyre, pasi pa zgjidhjen e tyre Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara. Zgjidhja e tyre nuk mund të jetë monopol i një partie.

Si opozitë kemi drejtuar gishtin tonë tek Edi Rama, përgjegjësin kryesor për thellimin e situatës së korrupsionit, të krimit dhe të drogës. Por nuk na mungon vullneti që me çdo faktor politik dhe shoqëror të bëjmë detyrën tonë dhe e dimë fare mirë, e dimë ne, e dinë shqiptarët që na ndjekin, e di Europa, e dinë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se Shqipëria mund të ecë përpara vetëm pasi të zgjidhë këto probleme të rënda dhe të rënduara gjatë këtij tre vjeçari e në veçanti gjatë vitit të fundit.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe trajtimin e problemit të madh me të cilin është ballafaquar këtë vit, atë të drogës, si aktiviteti kryesor ekonomik i shqiptarëve. Shpreh besimin tim të madh se kjo shkëndijë shprese për Shqipërinë Europiane, do të kthehet në një burim frymëzimi për t’u bashkuar me PD, për të realizuar së bashku reformat e munguara dhe ju jap fjalën se Partia Demokratike do të jetë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë dhe do të jemi ne, partia e interesit kombëtar, partia e integrimit europian të vendit që do të bëjmë të mundur hapjen e negociatave dhe vazhdimin e rrugës sonë europiane deri në anëtërësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 9 nëntor 2016