Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim Ministrin Federal të Agrikultures dhe Ushqimit të Gjermanise, Christian Schmidt, njëkohesisht nën-Kryetar i CSU dhe zëdhënës për Politiken e Jashtme dhe Sigurinë ne CSU, me të cilin ndau vlerësimin për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, si dhe shprehu shqetësimin për sfidat e mëdha që po has Shqipëria, mbi të gjitha me cështjet që kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin, me drogën, me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me dekriminalizimin.
Basha e falenderoi z.Schmidt për mbeshtetjen e vazhdueshme që Gjermania, populli gjerman dhe CSU, i kanë dhënë Shqipërisë që nga hapat e para të demokracisë dhe deri me sot, për konsolidimin e institucioneve dhe shtetit ligjor, për zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe integrimin europian.
Kryetari Basha theksoi se një prej sfidave që po has vendi është moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit, cka nuk po sjell ndarjen nga krimi dhe po vë në dyshim sundimin e ligjit duke rrezikuar demokracinë.
Për fat të keq, tha Basha, kthimi i drogës në aktivitetin më të madh prodhues në vend ka nxjerrë ne pah forcimin e krimit të organizuar dhe lidhjet e tij me segmentet më të larta shtetërore.
“Sfida më e madhe sot është garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme”, u shpreh z.Basha.
Nga ana e tij, zyrtari i lartë gjerman, ministri Schmidt vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtzakonshëm të Partisë Demokratike në procesin e integrimit europian gjatë qeverisjes së saj, si dhe sot në opozitë, si edhe bashkëpunimin ndër vite mes Partise Demokratike dhe CSU dhe vuri theksin në thellimin edhe me tej të këtyre marrdhënieve si parti si-motra anëtare të të njëjtës familje politike europiane të EPP. Ai garantoi z.Basha, se CSU do të jetë në krah të Partise Demokratike në cdo sfidë që ajo dhe Shqipëria do të kenë përpara.
Kryetari Basha tha se PD ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të Shqipërisë, në sinkron të plotë me parimet themelore të Partisë Demokratike.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 19 nëntor 2016