Lulzim Basha: Ne do të ulim taksat, do t’i japim Shqipërisë taksën e sheshtë 9%, TVSH 15%, asnjë lek i qeverisë sime nuk do të shkojë për palma, për luks, për ekspozita, për 11 miq. Prioritet do të jenë shtresat në nevojë.
Nesër Edi Rama do të paraqesë buxhetin e tij të fundit për këto katër vite. Buxhet i cili konfirmon tri vitet pararendëse në disa aspekte. Së pari, është buxheti që i merr shumicës dhe i jep pakicës. Do të rriten prapë taksat. 10 milion dollarë më shumë ka parashikuar tu marrë shqiptarëve duke e çuar rritjen totale të taksave kumulative gjatë qeverisjes Rama, me 430 milion dollarë në vit. Pra Edi Rama që 3 vite më parë erdhi në pushtet me premtimin se 97% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa, u mori shqiptarëve këto 3 vite në total 1.5 miliard dollarë më shumë, duke u rritur taksat, jo duke përmirësuar mbledhjen e tyre, por duke u rritur taksat. Ka rritur taksën e gazit përshembull. Pse e ka rritur? E ka rritur për t’i shërbyer interesit publik? Jo. E ka rritur se ndërkohë që qytetarët konvertojnë makinat e tyre nga nafta apo benzina në gaz sepse gazi është më i lirë, ky do të mbrojë klientët e tij, duke i detyruar qytetarët të blejnë naftë ose gaz, ose t’ua paguajnë këto para Edi Ramës. Kjo është një masë që nuk ndihmon shoqërinë, nuk e ndihmon interesin publik, nuk i ndihmon qytetarët, por ndihmon një grusht klientësh të Edi Ramës në sektorin e hidrokarbureve dhe ndonjë ministër që është ortak me ta. Mora këtë shembull, por në fakt e gjithë rritja e taksave bëhet për të rënduar edhe më shumë xhepat e qytetarëve, pa iu kthyer asgjë mbrapsht, sepse po të shohim shpenzimet, edhe këtë vit 80 milion dollarë më shumë ia ka dhënë vetes së tij për shpenzime operative dhe për shpenzime të tjera të qeverisë.
Flasim për pagat dhe për pensionet. Ka premtur që do t’i rrisë nga prilli. Pra dy muaj para se të marrë ndëshkimin popullor me vote, po rrit pagat dhe pensionet. Po sa po i rrit, sa po i rrit? Po i rrit ndërkohë që ka ngrirë për 3 vite, pagat dhe pensionet, dhe pensionet i ka rritur më pak se sa është rritur inflacioni. Me rritjen që hyn në fuqi në prill, pagat dhe pensionet nuk rriten me dekret qeveritar por i rrit ekonomia, por ekonomia këtë e ka lëshuar, por me këtë rritje, me dekret qeveritar prapë se prapë në total një pensionist shqiptar do të ketë fuqi blerëse më të vogël se tri vite më parë. 7% më të vogël se 3 vite më parë. 15% më të vogël do ta ketë shqiptari mesatar fuqinë blerëse që varet nga pagat shtetërore, 15 % më të pakët se 3 vite më parë. Pra në fund të qeverisjes së tij, njerëzit paguajnë më shumë taksa kanë më pak punë dhe blejnë më pak me të ardhurat që kanë.
Shëndetësia. Për shëndetësinë falas, tha, vitin e fundit shëndetësia do të jetë falas. Kështu apo jo? Shqiptarët vazhdojnë të paguajnë për shëndetësinë, si nga taksimi i përgjithshëm, ashtu edhe për sigurimet shëndetësore. Ne tre vite, shqiptarët kanë paguar 967 milionë dollarë për shëndetësinë falas të Edi Ramës. Jo vetëm nuk kanë marrë shëndetësi falas, por nuk kanë marrë as shëndetësi. Kanë marrë vuajtje, kanë marrë keqtrajtim, kanë marrë barna më të shtrenjta dhe skarco, e trauma të tjera të përditshme për të cilat mjafton të vendosni kamera tek cilido spital, duke filluar nga QSU e çdo spital tjetër i vendit për të parë që shëndetësia ka rrëshqitur në standarde mesjetare, ku jo vetëm nuk ka shërim, por shqiptarët përballen me trauma psikologjike, përveç traumës kur ata vetë apo familjarët e tyre duhet të kenë kujdes shëndetësor.
Shtresat në nevojë të cilat i goditi që vitin e parë, se gjysmën e hoqi nga lista, u tha ikni refugjatë sepse nuk kam punë me ju, pra shtresat në nevojë nuk marrin asnjë qindarkë. 45 përqind e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, dhe nuk ka asnjë qindarkë më shumë për ta në buxhetin e Edi Ramës për vitin e ardhshëm. Kur e keqja zë rrënjë, na duket pastaj e natyrshme si një pemë që kemi para shtëpisë. Ne e kemi thënë vit për vit se kjo qeveri nuk ka kujdes për shtresat në nevojë, përkundrazi i godet shtresat në nevojë. Dua ta përsëris se buxheti i 2017-ës, po kështu është një buxhet antisocial, shtresat në nevojë, ish-të përndjekurit, pronarët, asnjë qindarkë më shumë, dhe kjo reflektohet në buxhetin e tij. Në thelb, është një buxhet i cili është qepur për t’i vënë vulën realitetit të qeverisjes Rama këto katër vite. Merri shumicës, jepi pakicës. Shumica dërrmuese e shqiptarëve janë varfëruar, paguajnë më shumë, fitojnë më pak, jetojnë më keq. Një pakicë me në krye Edi Ramën, hapin ekspozita pikture, bëjnë qypa balte, blejnë pasuri miliona dollarëshe brenda dhe jashtë vendit, të gjitha me paratë që u merren shumicës së shqiptarëve. Opozita nesër, deputetët tanë do të shpalosin në detaje këtë buxhet antipopullor, si sa i përket fushave të ndryshme, ashtu edhe përsa i përket efekteve që do të ketë tek qytetarët të cilët opozita i përfaqëson në parlament. Alternativa jonë të cilën po e diskutojmë ditë për ditë me qytetarët është krejtësisht e kundërta e kësaj që bën Edi Rama. Ne do të ulim taksat, ne do t’i japim Shqipërisë taksën e sheshtë 9%, TVSH 15%, asnjë lek i qeverisë sime nuk do të shkojë për palma, për luks, për ekspozita, nuk do të shkojë për 11 miqtë e Lulzim Bashës. Prioritet do të jenë shtresat në nevojë. Objektivi ynë i parë social, qëllimi ynë i parë, qëllimi im i parë si Kryeministër, do të jetë që asnjë familje të mos mbetet pa bukë, pa ujë, pa drita. Dhe në këtë kuadër alternativa jonë sociale, programi ynë social parashikon pagesën e 200 kv të parë të energjisë për çdo familje në nevojë. E njëjta gjë edhe me faturën e ujit dhe ndihmën ekonomike me të cilën të mund të përballojnë nevojat minimale jetike. Jo me një dorë t’i marrin dhe me dorën tjetër t’i paguajnë si faturë energjie, apo si faturë uji apo si ilaçe, në rastin e pensionistëve.
Alternativa jonë është alternativa e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies, duke e bërë shtetin garantuesin e lirisë dhe jo xhandarin në të cilin e ka kthyer Edi Rama. Xhandar i cili përcakton që sado i aftë të jesh, sado ide të mira të kesh, edhe kur ke mundësinë apo kapitalin për të ecur përpara, nuk e vendos tregu, por e vendos doganieri i korruptuar, tatimori i korruptuar, ministri i korruptuar, kryeministri i korruptuar. Ai vendos nëse do të bësh përpara në ekonomi apo do të mbesësh në vend. Kjo do të marrë fund. Ne do të ndërtojmë një Shqipëri të mundësive për të gjithë ku secili të ecë përpara sipas aftësive, djersës, mundit dhe punës së ndershme.
Natyrisht seanca e nesërme nuk është seanca e shpalosjes së alternativës së Partisë Demokratike. Ndonëse nuk do të mungojë kontrasti i thellë midis asaj që ne propozojmë, duam dhe do të arrijmë bashkë me shqiptarët, një Shqipëri të mundësive për të gjithë. Por është autopsia finale e një regjimi kleptokrat, hajdutësh, të korruptuarish dhe kriminelësh që erdhi në pushtet me premtime të mëdha dhe që sot jo vetëm që s’ka realizuar asnjë premtim por e ka zhytur Shqipërinë në mjerim të thellë, në korrupsion, në drogë dhe në krim. Ka mbyllur dyert e integrimit europian të Shqipërisë dhe njësoj si paraardhësit e vet biologjik dhe politik fajin gjen tek armiqtë e tij imagjinarë të brendshëm dhe të jashtëm, fajin e gjen tek opozita, fajin e gjen tek mediat, fajin e gjen tek parlamentarët gjermanë, austriakë, holandezë, grekë, fajin e gjen tek mediat amerikane, britanike, zvicerane, italiane, por asnjëherë tek vetja e saj.
Kjo është simptoma e fundit të një regjimi të izoluar nga realiteti, të ndarë me një hendek të madh nga populli, është edhe parathënia e rënies përfundimtare, e largimit të kësaj qeverie. Nesër opozita do ta bëjë këtë të qartë gjatë gjithë seancës parlamentare.
Prononcimi për media i Kryetarit Lulzim Basha pas mbledhjes së grupit parlamentar, 30 nëntor 2016