I nderuar zotni kryetar!

Të nderuar kolegë deputetë!

Të nderuar qytetare e qytetarë!

Projektligji për buxhetin e vitit 2017 i paraqitur sot për miratim,është një përqasje e qartë propagandistike e kësaj qeverie, me qëllim që ta vendosë buxhetin e vitit 2017 në funksion të fushatës parazgjedhore.

Në fakt, buxheti për vitin 2017 i ngjan shumë atyre të dy viteve të fundit dhe është i mbushur me shpenzime të kota, por dhe objektiva e prioritete të paqarta e të pa arritshme.

Sërish bien në sy financimet për koncesionet, për fasada të kryeministrisë, por dhe për arredime zyrash, makina etj. për ministritë, që këtë herë arrijnë në masën 25 milion euro, duke na treguar se dhe në këtë projekt-buxhet, koncesionet dhe fasadat mbeten sërish dy mënyrat më të preferuara të kësaj qeverisjeje për të abuzuar me fondet publike.

Qeveria e taksave më të larta në rajon,  qeveria “Rama” ka  mbledhur  më pak se çdo vend tjetër në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe vazhdon të  ulë nivelin e të ardhurave edhe në buxhetin e  ri, duke vërtetuar edhe njëherë “dëshirën e qeverise” për të mos ulur kontrabandën dhe evazionin galopant në karburante, cigare, e tjerë,por duke shtrydhur biznesin shqiptar, duke i kërcënuar me burg dhe gjoba stratosferike, të cilat do të sjellin vetëm dështim dhe falimentim të tyre.

Filozofia e këtij projekt-buxheti është shumë e rëndësishme për kuptuar shkaqet se pse vendi ndodhet në krizë totale ekonomike, në varfëri, në papunësi, një pamundësi të 46% të shqiptarëve për të dalë nga nivel i mjerimit, siç e shfaqin edhe statistikat e fundit të Bankës Botërore, një pamundësi të biznesit për t’u zhvilluar për të hapur vende pune.

Nuk ka investime të reja strategjike që do t’i paraprinin zhvillimit. Nuk ka rrugë të reja,
nuk ka asnjë urë të re, asnjë shkollë të re, sepse paratë që duhet të destinoheshin për këto investime kanë përfunduar dhe siç shihet sërish do të përfundojnë përmes skemave korruptive në xhepat e një grushti të vogël njerëzish dhe në xhepat e qeveritarëve të korruptuar shqiptarë.

Por këtu dua të përqendrohem tek një pikë e rëndësishme, tek evitimi i përmbytjeve që ky projektbuxhet mesa duket nuk e merr parasysh sa duhet, duke minimizuar çuditshëm një prej problemeve me të cilin po përballemi me një shpeshtësi në rritje këto vitet e fundit.

Bëhet fjalë për një problem me të cilin nuk përballet, tashmë, vetëm zona veri-perëndimore (Shkodër- Lezhë), por pjesa më e madhe e vendit. Dhe siç e kanë evidentuar edhe specialistët e kësaj fushe, ka ardhur koha pёr tё menduar seriozisht pёr kёtё
me njё plan tё mirёartikuluar dhe natyrisht me ndёrhyrje tё mirё programuar dhe vetёm nё kёtё mёnyrё mund t’i dalim pёrpara situatave. Java e parë e muajit nëntor e tregoi më së miri se me ç’situatë të vështirë mund të përballemi.

Por më rezulton se në projekt-buxhet nuk korrespondojnë pritshmëritë e ministrit Panariti, i cili në komisionin e veprimtarive prodhuese përsa i përket buxhetit të vitit 2017 për bujqësinë, u shpreh se do të përdoret veçanërisht për kanalet kulluese, si masë për parandalimin e përmbytjeve, ndërkohë që në relacionin e projektbuxhetit fq. 43, pika 4.3.3, nuk e jep aspak si një prioritet. Jo vetë kaq, por nuk e përmend fare.

Kjo përforcohet edhe nga buxheti i detajuar në zërat përkatës. Për vitin 2017 krahasuar me 2016, vërejmë se: Ulen me 2.5 miliardë lekë fondet për “kanalet e ujitjes dhe kullimit”, pothuajse 60% më pak, duke u planifikuar vetëm 1.7 miliardë leke, nga 4.2 miliarde që janë të planifikuara per vitin aktual.

Madje keni ulur edhe fondin që mund t’i vinte në ndihmë bashkive nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Ndonëse janë planifikuar 9.5 miliardë lekë për FZHR-ne e infrastrukturë vendore, kjo vlerë rezulton të jetë 200 milionë me e ulët sesa vlera e parashikuar për vitin 2016.

Nga ana tjetër si deputete e Qarkut të Shkodrës nuk mund të rri pa përmendur që në listën e investimeve që qeveria shqiptare do të kryejë në infrastrukturën problematike të këtij qarku është vetëm rikonstruksioni i rrugës Shkodër(mbikalimi i trenit) –Mes.

Një diferencim i qartë krahinor, e në këtë këndvështrim do ta quaja më diskriminuesin deri më tani. Nuk gjeta asnjë shenjë për fondin e kompensimit të familjeve të përmbytura të nënshkodrës.

E nga ana tjetër, buxheti vazhdon për të katërtin vit rradhazi ta rris oborrin kryeministror, edhe me 43 punonjes te tjerë që normalisht do t’i duhen për fushatën e vitit që po vjen.

Po ashtu,rriten me 1.5 miliarde leke apo 2% shpenzimet operative të qeverisë krahasuar me buxhetin 2016, dëshmi mjaft e qartë e filozofise qeverisese e cila ka tendencen te rrise vit pas viti shpenzimet e luksit.

Ndonëse varfëria është ulur këmbëkryq,
nuk rriten me as edhe një qindarkë fondet për ndihmen ekonomike.

Në këtë buxhet për vitin 2017, ulen me 204 milionë lekë investimet në përkujdesin social,
ulen me 241 milionë lekë investimet në “planifikimin urban dhe strehimin”.

Prandaj, ta quash këtë projekt-buxhet, si projektbuxheti i qytetarit, siç bëri ministri i financave, është tallja më e hapur që mund t’i bëhet shqiptarëve sot.  T’i thuash se ky është
projekt-buxheti i punësimit të 16 mijë vendeve të reja të punës, i shëndetësisë falas,i investimeve, dhe përkrahjes sociale, kur të ardhurat mendon t’i rrisësh nga shtimi i taksave, pa krijuar asnjë kusht për rritjen dhe zgjerimin e bizneseve në këtë kohë krize, në rastin më të mirë do ta quaja mashtrim.

Sot besoj se në këtë vend nuk ka njeri, perveç atyre që i shërbejnë Edi Ramës që nuk sheh se në Shqipëri, në vend të 300 mijë vendeve të premtuara të punës, kemi 300 mijë vetë që kanë ikur e mijëra të tjerë që duan të braktisin vendin.

Besoj se në këtë vend nuk ka njeri, përveç atyre që i shërbejnë Edi Ramës që nuk sheh se në vend të shëndetësisë falas, është instaluar një sistem korruptiv dhe plaçkitës me miliona euro koncesione klienteliste.

Besoj se nuk ka njeri që nuk sheh paligjshmërinë dhe inkriminimin, që nuk dallon se kjo qeverisje që është  sa arrogante, aq dhe e korruptuar, është dhe po aq e paaftë për ta kuptuar në varfërinë dhe situatën e pashpresë ekonomike ku ka zhytur vendin.

Ky është buxheti i katastrofës, buxheti i zhvatjes së mëtejshme të qytetarëve që paguajnë taksa gjithmonë e më të larta dhe plaçkitjes së taksave të tyre nga një grusht qeveritarësh.

Urimi më i mirë që mund të bëhet sot është: “Qoftë ky projektbuxheti juaj i fundit!”


Fjala në Kuvend e Irma Koplikut, 1 dhjetor 2016