Lulzim Basha viziton efektivin e policisë Nikolin Gjergji, i plagosur sot në krye të detyrës

 

Ndodhem këtu bashkë me bashkëpunëtorët e mi, për të vizituar efektivin e plagosur sot në krye të detyrës, Nikolin Gjergjin.

 

Dua të falënderoj mjekët për punën e shkëlqyer që kanë bërë.

 

Ndaj me ju lajmin se Nikolini është jashtë rrezikut për jetën dhe po merr kujdesin e duhur shëndetësor.

 

Si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike dua të përsëris, të konfirmoj mbështetjen time të plotë dhe të gjithanshme për çdo efektiv të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, në përballje me krimin në zbatimin e ligjit, Policia e Shtetit, efektivët e Policisë së Shtetit kanë patur, kanë dhe do të kenë gjithmonë mbështetjen dhe përkrahjen time totale, mbështetjen dhe përkrahjen totale të Partisë Demokratike.

 

Beteja me krimin është një betejë e rreptë, e ashpër, është një betejë në kushte të pabarabarta tani që krimi ka pushtet politik, por bashkë me efektivët e ndershëm të Policisë së Shtetit dhe me gjithë qytetarët e ndershëm shqiptarë ne do t’ia dalim së pari të presim lidhjet e krimit me politikën, dhe së dyti të mposhtim krimin me forcën e hekurt të ligjit.

 

Ju faleminderit!